Home KRYESORE Laçiani që qëlloi policin: Ashtu ma dha truni! Grabisja dhe në Itali,...

Laçiani që qëlloi policin: Ashtu ma dha truni! Grabisja dhe në Itali, por këtu…

Aldi Lleshaj, 20- vjeçari që u arrestua për grabitjen dhe plagosjen e efektivit të Policisë së Lezhës, vijon të mbahet i shtruar në Spitalin e Traumës, ku po merr mjekim.

Ai mbeti i plagosur në këmbë, pasi nuk iu bind thirrjeve të policëve për t’u dorëzuar, duke i detyruar forcat e rendit të qëllojnë ndaj tij, shkruan “Panorama”.

Ndërsa kurohet në spital, të riun e mbajnë në vëzhgim 24 orë dy punonjës Policie, në një prej dhomave që ndodhet në pavijonin e katit të parë, në Spitalin e Traumës.

Në dhomën ku mbahet i shtruar Aldi Lleshaj nuk ka pacientë të tjerë, vetëm dy punonjësit e Policisë që e ruajnë çdo minutë. Megjithatë, Panorama arriti të futej në dhomën e tij dhe ta pyeste për motivet që e shtynë në plagosjen e efektivit të Policisë së Lezhës, Nikolin Gjergji.

Aldi Lleshaj, dje në spital duke folur per “Panorama”

Motive, që në fakt as ai vetë nuk i ka të qarta dhe nuk di të na i thotë.

“Nuk e di as vetë pse e bëra. Në fakt, nuk doja dhe nuk kisha ndërmend ta qëlloja policin. Ishte gjëja e fundit që më vinte ndërmend. Por në një moment, ashtu ma dha truri. Nuk e di pse e bëra”, shprehet 20-vjeçari Lleshaj.

Më pas përmend edhe Italinë, ku mesa duket ka realizuar vjedhje, por nuk i ka hyrë gjemb në këmbë.

“Isha mësuar në Itali. Atje e kisha më të lehtë. Nuk më ndaloi asnjë polic asnjëherë. Këtu, pas asaj që bëra në Laç, më rrethuan”, shprehet Lleshaj.

Ai e ka marrë tashmë masën e sigurisë nga Gjykata dhe pasi të përfundojë mjekimin, do të transferohet në paraburgim, ku do të qëndrojë pa ndonjë afat të përcaktuar. Megjithatë, deri atëherë, 20-vjeçari si qeli do të ketë një prej dhomave të Spitalit të Traumës.

Share: