Home KRYESORE Lamtumirë bajraktarizëm!

Lamtumirë bajraktarizëm!

Nga Keti Bazhdari

Për këdo që e shikonte rezistencën ndaj reformës në drejtësi dhe Vetting-ut si një ndërmarrje të përkohshme dhe të vetëm pak personave me shumë pushtet, gabohej.

Ekziston dhe ka ekzistuar thuajse gjithmonë një lidhje e fshehtë, e shtrirë në kohë dhe në numër, që ka arritur të pajtojë shpirtra të trazuar me vullnet kriminal kundër parimeve demokratike të shtetformimit, të gatshëm t’i shërbejnë me devotshmëri çdo pushtuesi apo interesi antikombëtar, me një qëllim të vetëm, forcimin e pushtetit personal pa kushte dhe kufij. Me pak fjalë një armatë deficitarësh socialë, pa identitet, të gatshëm të komplotojnë kudo e me këdo në përpjekje për tu identifikuar.

Çdo qenie njerëzore që s’e plotëson dot kuadrin e identitetit të vet, shet shpirtin për një kornizë. Edhe në shoqëritë më të konsoliduara ekzistojnë qenie të cunguara të zinxhirit vleror, që i përgjigjen po me aq epsh thirrjes së gjakut, teksa ngulin fort kthetrat në pushtet. Këta mutantë të vegjël, luftojnë përditë për ta kancerizuar dhe mundur shoqërinë, por janë pikërisht barrierat e forta imunitare të organizmave shoqëror të emancipuar, që janë ngritur në intelektualizëm dhe identitet vlerash, të afta t’i bëjnë pritë. Këta barriera, për fatin tonë të keq, historik, në shoqërinë shqiptare, nuk arritën të konsolidoheshin kurrë sa dhe siç duhet. Çdo përpjekje shtetformuese u minua nga bashkëpunimi i bajraktarëve kancerogjen me pazarçinjtë e interesave antishqiptare.

Luftërat më të përgjakshme u zhvilluan në terrin e vetvetes, mes aleancës së injorancës që fshihej në histeritë kolektive që ngjallte, duke përfituar nga naiviteti i një shoqërie përherë në hapat e parë dhe një fryme të brishtë të intelektualizmit shqiptar, që vritej çdo natë pas shpine. Nëse doni të dini për intelektualët shqiptarë dhe veprën e tyre deri më sot, kërkoni qosheve të errëta të kësaj shoqërie se aty i gjeni varret e tyre dhe të kushërinjve vrasës.

«Tjetërkund, njerzt e idealit, ne u mbytshin për së gjalli, nderohen për së dekuni.
Ndër né ata mbyten dy herë: edhe harrohen?!
Nji komb qi lindet ká nevojë për fatosa qi desin. Por fatosat qi desin nuk kan ça bâjn në nji komb qi i harron e i përbuzë.»
(At Gjon Shllaku për Luigj Gurakuqin)

Por sot të dashur lexues, historia nis të shkruhet përsëmbari;

Fryma për të ndërtuar shtet të së drejtës, udhëhequr nga parimet më të larta të organizimit shoqëror arriti të fitojë me bajraktarizmin edhe luftën në terr, falë vullnetit të intelektualëve shqiptarë dhe dritës së fuqishme të prozhektorëve të diplomacisë amerikane dhe asaj europiane. Pavarësisht se ne shqiptarët e kemi të vështirë ta perceptojmë të plotë at çfarë ka ndodhur sot, duhet ta pranojmë që është fitorja tjetër më e madhe për reformën në drejtësi dhe për integrimin tonë si qytetarë të Europës.

Të gjithë ata që e kanë shfrytëzuar këtë popull pa reshtur, e kanë mashtruar, shtypur, plaçkitur, imponuar, dhunuar, sot kanë humbur diçka të madhe, të drejtën për të përdorur identitetin e grabitur. Të gjithë e dinim se një ish nomeklaturist i rangjeve më të larta të asaj kohe s’kishte si të ishte simbol i demokracisë së kësaj kohe, apo që një ish bashkëpunëtor i fashizmit apo kujtdo pushtues të hiqej si ithtar i fortë i lirisë, sikurse e dinim fare mirë që një injorant me proveniencë të pastër kriminale s’mund të ishte kurrsesi një përfaqësues i denjë shoqëror e politik, por koha e bajraktarizmit na imponoi heshtjen, sepse e vërteta në një terren ku drejtësia është e deformuar, kthehet në vrastare të lajmësit të saj.

Por me sot jo më!

Shqipëria nisi rrugëtimin drejt Europës dhe pavarësisht se për shumicën është ende e paqartë kjo që ka ndodhur me Vetting-un, për ata që duhet e i druhen, është e qartë si drita e diellit.
Lamtumirë bajraktarizëm!

Share: