Analisti i njohur Fatos Lubonja, i ftuar në rubrikën “Opinion” në studion e lajmeve në “News 24” komentoi zhvillimet politike të vitit që po lëmë pas, se çfarë ndryshimesh ka sjellë 2016-ta në jetën e shqiptarëve dhe çfarë parashikon ai se do të ndryshojë në Vitin e Ri 2017-të.
Por ndërsa 2016-ën e cilëson si vit të zhgënjimit total, Lubonja thotë se 2017-ta do jetë edhe më i zymtë, ndërsa nuk nguron ta quajë vit të kaosit të madh.
Sipas tij, shqiptarët janë varfëruar gjatë 2016-ës dhe duan të braktisin vendin në masë, ndërsa reformat e qeverisë siç shton ai, nuk kanë pasur ndonjë efekt në jetët e tyre.
“Kam frikë se 2017-ta do të jetë viti i kaosit total, është një klasë politike e çmenduar, merimanga e droguar e kam quajtur duke u nisur nga projektet që kanë prezantuar. Rritje taksash këtej, rritje andej dhe se ku i hedhin këto para që vjelin askush se di. Pra, taksa kthehet mbrapsht në formë investimi, por këtu unë shoh një situatë të errët shprese, shoh dëshpërim total dhe rrezikun e një kaosi total”, tha Lubonja.