Home KRYESORE Ministri grek i mbrojtjes, reagim të njëjtë për Ramën e Erdogan

Ministri grek i mbrojtjes, reagim të njëjtë për Ramën e Erdogan

Duke komentuar deklaratat e Kryeministrit Edi Rama, Ministri Grek i Mbrojtjes, Panos Kammenos ka thënë se nuk do të pranojë provokime dhe ofendime nga ana e Shqipërisë. Ai ka ritheksuar qëndrimin e Greqisë në lidhje me komunitetin Çam.

Ministri Grek i Mbrojtjes, Panos Kammenos, ka komentuar disi me vonesë deklaratat e Kryeministrit Edi Rama që kishin shkaktuar reagime të ashpra në Athinë. Kamenos ka përsëritur qëndrimin e palës Greke se Çamët ishin bashkëpunëtorë të nazistëve.

Ministri Grek i Mbrojtjes ka shfrytëzuar vizitën e vet në një repart ushtarak pranë kufirit me Shqipërinë, për t’iu referuar zhvillimeve të fundit në raportet e Athinës me fqinjin verior, por edhe me atë lindor, pra Turqinë.

Kammenos e akuzoi presidentin turk, Erdogan se me deklaratat e tij merr nëpër këmbë konventat ndërkombëtare, dhe shtoi se “Duhet të kuptojë që nuk mundet për arsye konsumi të brendshëm të provokojë opinionin publik ndërkombëtar, NATO-n, por edhe Greqinë”.

Kjo – vazhdoi Ministri Grek i Mbrojtjes – nuk ka të bëjë vetëm me Turqinë, por edhe me Shqipërinë. Deklarat e fundit të zotit Rama do të duhet të na sjellin në kujtesë se ata për të cilët flet (e ka fjalën për Çamët) ishin bashkëpunëtorë të nazistëve. Ishin ata që në luftë ishin në krahun e humbësve”.

“Nuk do të pranojmë provokime të tilla. Nuk do të pranojmë referime të tilla që ofendojnë edhe historinë, por edhe të drejtën ndërkombëtare”, tha Ministri Grek i Mbrojtjes, që është edhe kryetar i Partisë së Djathtë, Grekët e Pavarur, e vetmja parti që ndodhet në koalicion qeveritar me SYRIZA-n e kryeministrit Tsipras. /ABC News

Share: