Home KRYESORE Mitrovica, Berlini i vogël?!

Mitrovica, Berlini i vogël?!

Ndërtimi i një muri betoni në pjesën veriore të Mitrovicës, menjëherë sapo kalon urën mbi lumin Ibër, shkaktoi ndezje të gjakrave në Kosovë kurse kërkesat dhe planet për prishjen e tij, siç pritej, e dërguan jehonën dhe ngjallën polemika deri në Beograd, Tiranë dhe Bruksel.

Hapja e urës u shoqërua me disa punime “rivitalizuese”, një prej të cilave, pa bujë e “tinëz”, ishte edhe ky mur i konsideruar nga autoritetet e Prishtinës si ndarës sipas vijës etnike në Mitrovicë. Deklaratat e para erdhën nga kryetarët e komunave veriore e jugore të Mitrovicës, përkatësisht Goran Rakiçi (“Muri do të ndërtohet”) dhe Agim Bahtiri (“Muri do të shembet”). Brukseli kërkoi që të mos ketë asnjë shmangie nga plani i paracaktuar në punimet që po kryhen.

Por mediat në Beograd i dolën mënjeherë në mbrojtje kryetarit serb të Mitrovicës Veriore. “Ministrja e Kosovës për dialog, Edita Tahiri, nuk mund të vendosë se çfarë do të ndërtohet në këtë pjesë të qytetit”, citohet ai nga gazetat e televizionet serbe në deklaratën që i dha agjencisë së lajmeve Tanjug. Argumentet e tij janë se muri do të shërbejë për mbështetje dhe për izolim nga zhurma. “Pavarësisht çfarë i pëlqen të thotë Edita Tahirit, muri nuk do të shembet. Ura e Ibrit nuk do të hapet pa u mbaruar revitalizimi i rrugës Mbreti Pjetër”, deklaroi zoti Rakiç, duke fajësuar tërthorzi Ministrinë e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor të Kosovës, e cila ka bllokuar punimet për ndërtimin e murit. Mediat serbe madje ankohen pse tabela e vendosur nga kjo ministri për ndalimin e punimeve shkruhej vetëm në gjuhën shqipe.

muri2.jpg
Pas ndërhyrjes së Brukselit, muri 2 metra i lartë ka filluar të pritet duke u ulur me rreth 70 cm, por punimet për uljen e nivelit të tij po ecin shumë më ngadalë se ndërtimi.

Nga ana tjetër, televizioni publik serb RTS është treguar më i përmbajtur, duke thënë se BE-ja do të monitorojë marrëveshjen në mënyrë që të përmbushet afati për rihapjen e urës më 20 janar 2017. Ky televizion thekson se palët ranë dakord për një unazë në pjesën veriore të Mitrovicës, të lidhur me rrugën Mbreti Pjetër, e cila do të lejojë liri të plotë dhe të papenguar të lëvizjes dhe do të zgjidhte shqetësimet lidhur me sigurinë. Ky televizion nuk lë pa përmendur se studentët shqiptarë në Mitrovicë kanë paralajmëruar protesta në rast se muri nuk hiqet, duke shfrytëzuar portale dhe rrjete sociale në gjuhën shqipe, por nuk përmend komentet e shumta në faqet e mediave serbe nga qyettarët serbë, ku fyerjet, komentet raciste dhe ekstremiste janë me shumicë, duke kërkuar që muri të jetë jo 2, po 3 metra i lartë dhe ku fyerjet ndaj bashkësisë shqiptare me nofkat “arnaut” apo “shiptar” gjenden në çdo resht./360grade.al

Share: