Pas aksionit në banesa e biznese për kapjen e Klement Balilit, policia ka sekuestruar dokumentacionin e pronësisë së resortit luksoz turistik “Santa Quaranta”, në pronësi të etiketuarit si Eskobari i Ballkanit.
Veprimet e policisë janë pjesë e një hetimi të nisur për pastrim parash për të ashtuquajturin “Eskobari i Ballkanit”, i shpallur në kërkim për trafik ndërkombëtar droge, raporton Tv Klan.
Dyshohet se kjo pasuri dhe të tjera në pronësi te 44 –vjeçarit nga Saranda janë vënë me para të ardhura nga aktivitete kriminale.
Sekuestrim i dokumentacionit është kryer gjatë operacioneve të zhvilluara në mëngjes nga policia për kapjen e Balilit.
Blutë ushtruan kontrolle në një sërë bazash ku mendohet se strehohej Balili pas shpalljes në kërkim, në Stjar të Delvinës, ne Sarande të resorti ” Santa Quaranta “, në Lukovë dhe në Gjirokastër, raporton Tv Klan.
Kelment Balili është në kërkim që një javë, pas urdhrit të arrestit të lëshuar nga Prokuroria e Krimeve të Rënda.
Në maj të këtij viti autoritetet greke, pas një hetimi të përbashkët me DEA-n Amerikane e përmendën emrin e tij si drejtuesin kryesor të një rrjeti të gjerë të trafikut të marijuanës nga Shqipëria në Greqi e disa vende të tjera të Bashkimit Evropian.
Ish–Drejtori i Transporteve ne Sarande dha dorëheqjen menjëherë pas publikimit të akuzave dhe u zhduk.
Kapja e Balilit, Policia e Sarandës dhe FNSH në aksion, kontrolle në banesa e biznese
Policia ka nisur sërish aksionin për arrestimin e Klement Balilit. Mësohet se në aksion sot është edhe FNSH, duke kryer kontrolle në banesa dhe biznese.
Shërbimi Informativ i është bashkuar aksionit të fundit të Policisë dhe Prokurorisë për arrestimin e Klement Balilit, pas shpalljes së tij në kërkim tashmë edhe nga drejtësia shqiptare.
Mësohet se agjentë të SHISH-it kanë marrë detyra konkrete për të verifikuar në terren disa zona ku mendohet se qëndron i kërkuari.
Nga ana tjetër, epiqendra e vëzhgimeve të SHISH-it mësohet se është në Tiranë, ku besohet se po fshihet Klement Balili, 44 vjeç, ish-drejtor i Transportit në Sarandë.