Qeveria “Gentiloni”, e 64-ta në historinë e Republikës italiane, ka marrë formën përfundimtare.
Kryeministri i ri, që pason në këtë post Matteo Renzin e dorëhequr pas triumfit të kampit “jo” ne referendumin e ndryshimeve kushtetuese, njoftoi personalisht listën e ministrave që do të rreshtohen në krah të tij në ekzekutivin e ri.
Ka plot emra të pandryshuar të qeverisë së mëparshme, të cilëve u kanë lëvizur vetëm dikasteret. Angelino Alfano nga ministër i Brendshëm kalon në krye të diplomacisë italiane, pozicionin e lënë prej tij e merr Marco Minniti, ndërsa Pier Carlo Padoan rikonfirmohet në krye të Ministrisë së Ekonomisë dhe Gianluca Galletti mbetet ministër i Mjedisit. Në total janë pesë emrat e rinj të këtij ekzekutivi që në radhët e tij, do të ketë 6 gra.
“Bëra më të mirën e mundshme për të krijuar sa më shpejt një qeveri të re, e cila t’i përmbahej rekomandimeve të presidentit e të ishte njëkohësisht edhe në interes të stabilitetit të institucioneve tona, dhe kjo në fund të fundit, është ajo që presin nga ne burrat dhe gratë e Italisë”, tha kryeministri i ri Paolo Gentiloni.
Kryeministri sqaroi edhe se çfarë përparësish do të ketë kjo qeveri.
“Vendi ka lëvizur këto vitet e fundit, por nuk i injorojmë dot vështirësitë e kaluara, sidomos në sektorët më të dobët të shtresës së mesme, veçanërisht në jugun e Italisë, ku mungesa e vendeve të punës është një emergjencë edhe më dramatike se në pjesë të tjera të vendit. Ndaj ky do të jetë prioritet kryesor i përpjekjeve tona gjatë muajve në vijim. Votebesimi që do t’i kërkojmë të dyja dhomave të parlamentit do ta lejojë qeverinë ta përfaqësojë plotësisht Italinë që këtë të enjte në samitin europian”, tha Gentilioni.
Ruajtja në masë të madhe e strukturës së mëhershme qeverisëse është përkthyer si shenjë vijimësie, e cila synon qetësimin e tregjeve financiare.
Gentiloni, ish-ministëri i Jashtëm i Renzit, sqaroi gjithashtu se linja e tij do të jetë e ngjashme me atë të paraardhësit dhe e nxiti Bashkimin Europian të ndjekë më shumë politikat e orientuara drejt rritjes ekonomike.
Në kohë rekord u bë dhe betimi përpara presidentit, ku të gjithë ministrat e kryen këtë procedurë brenda më pak se 16 minutash.