Pavarësisht deklaratave dhe zotimeve të shprehura të autoriteteve të Kosovës se i kanë ndërmarrë të gjitha veprimet për të parandaluar shkuarjen e qytetarëve në vatrat e luftërave në Siri dhe Irak, një publikim nga Instituti Kosovar për Hulumtim dhe Zhvillim të Politikave (KIPRED), konstaton të kundërtën.
Aty thuhet se me gjithë përpjekjet e institucioneve të Kosovës, disa persona kanë arritur që përmes rrugëve alternative, të depërtojnë në vatrat e luftës për t’iu bashkuar grupeve tashmë të shpallura terroriste.
Hulumtimi i këtij instituti provon të demantojë deklaratat e zyrtarëve të lartë të Qeverisë së Kosovës në lidhje me parandalimin e shkuarjes së qytetarëve të Kosovës në vatrat e luftës në Siri e Irak.
Aty citohen kryeministri i Kosovës Isa Mustafa, ministri i Punëve të Brendshme, Skënder Hyseni dhe drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Shpend Maxhuni, të kenë përsëritur në disa raste se për afër një vit nuk kishte shkuarje të reja të qytetarëve të Kosovës në këto luftëra.
“Por, realiteti duket të jetë ndryshe, sepse personat brenda Kosovës vazhduan të organizojnë pa asnjë problem udhëtimin, duke i sfiduar kësisoj organet e sigurisë, dhe kjo paraqet një brengë të madhe për sigurinë e vendit”, thuhet në hulumtim.
Për t’iu bashkuar grupeve terroriste në Siri dhe Irak, vijon hulumtimi, këta qytetarë të Kosovës e kishin përdorur si urë kalimi një shtet fqinj, gjegjësisht Malin e Zi.
“Vazhdimi i shkuarjes së kosovarëve për në zonat e luftës gjatë kohës sa zyrtarët e institucioneve të Kosovës deklaronin se “asnjë Kosovar nuk ka udhëtuar për në vatrat e luftës”, vë në pah boshllëkun në institucionet e inteligjencës, si AKI-ja, dhe të Policisë e Kosovës”, vijon hulumtimi.
Aty thuhet po ashtu se personat qe kanë organizuar këtë udhëtim, e kanë kryer veprimin e tyre në një kohë kur institucionet e sigurisë kanë qenë duke u krenuar lidhur me atë se nuk ka persona që udhëtojnë më për në Siri dhe Irak.
Nga ana tjetër, në një konferencë për gazetarë, Ministri i Punëve të Brendshme, Skënder Hyseni, ka theksuar se në bazë të informacioneve zyrtare, asnjë qytetar i Kosovës, këta muajt e fundit, nuk ka shkuar në vatrat e luftës në Lindje të Mesme.
“Gati për një vit nuk kemi regjistruar asnjë person. Nuk mund të garantoj që nuk ka asnjë rast të shkuarjes në Siri dhe Irak. Mund të ketë. Por, po flas për atë që ne e kemi në regjistër. Prapë, nuk jemi të sigurt se nuk e dimë ku mund të godasin. Tash kohëve të fundit ka dal ky fenomeni i ujqërve të vetmuar, individ me prirje terroriste, me prirje për radikalizëm”, tha Hyseni.
Përfaqësues të mekanizmave të sigurisë thonë se numri i individëve që janë cilësuar si “ujqër të vetmuar” është i panjohur dhe jo domosdo ata janë njerëz që kanë marrë pjesë në luftimet në Lindjen e Mesme.
Megjithatë, ministri i Hyseni theksoi se sa i takon çështjes së terrorizmit punët nuk kanë përfunduar.
“Është një fenomen i cili çdo ditë sofistikohet, kushtimisht po them, bëhet më i pakapshëm. Jemi në shekullin, përkatësisht në dekadën e shpërthimit të krimit kibernetik, të keqpërdorimit të medies sociale dhe kjo e bën rrezikun akoma më të madh”, tha ministri.
Në anën tjetër, në hulumtimin e KIPRED-it thuhet po ashtu se meqë tashmë është e qartë që IS ka ndërruar strategjinë e vet në raport me mbështetësit që i ka në Ballkan, institucionet e sigurisë, përfshirë këtu edhe Këshillin e Sigurisë, do të duhej t’i njoftojnë qytetarët e Kosovës për nivelin e rrezikut dhe kërcënimit nga sulmet terroriste, së bashku me masat përkatëse të kujdesit.
Kosova cilësohet si vendi me numrin më të madh të luftëtarëve të huaj në krahasim me numrin e përgjithshëm të banorëve në gjithë zonën e Evropës, me rreth 300 qytetarë të saj që në vitin 2012 iu bashkuan grupeve militante në Lindjen e Mesme.
Një numër prej afro 120 syresh, brenda pak vitesh, të dëshpëruar me përjetimet dhe trajtimin, u kthyen në vend, ndërkohë që afro 60 të tjerë u vranë në zonat e luftës. /rel