Nga Ina Kosturi
Të shkruash për njerëz të mëdhenj, të njohur, është e vështirë. Ceremonitë e dekorimeve, çmimet, fjalimet e presidentëve, personaliteteve botërore, numri i gjuhëve të huaja në të cilat vepra është përkthyer, gjithë ky arsenal suksesi e merite shfaqet fuqishëm, ndërsa fraza” C ish për tu thënë është thënë “, huazuar nga një poezi, ndonëse pa lidhje me shkrimin, të detyron të heshtësh.
Heshtja të shoqëron dhe në atë ditë përmbytjesh, në Tiranën e çoroditur prej reshjeve pafund, ndërsa kati më i lartë i godinës në qendër, panorama gri e qetë pas xhamave të lokalit në një ditë me shi, lartësia, këto rastësi të këndshme të ngjashme me penën që në mënyrë magjepëse i ka përshkruar gjithmonë, që e ke lexuar që fëmijë, të bejnë të ndihesh paksa personazh.
Studenti shqiptar i Maqedonisë ulur përballë teje, ajo dëshirë e tij për të qëndruar dhe pak në tavolinë bashkë me shkrimtarin e madh, tema e bisedës që vërtitet rreth historisë, politikës së shteteve, Ballkanit, alfabeteve, të atyre hamendësimeve, analizave të sprovave letrare që i ke lexuar me një frymë, të shkëputin nga ndjesitë e përshkrimeve.
Të afrojnë me realitetin e letërsisë së dimensineve të gjera, të përmasave të mëdha, aty ku personazhet , ngjarjet , gjuha letrare, ndjenja, bashkë me mijëra detaje të pakuptueshme, kode të brendshme, ka patur e ka idenë e rëndësishme: ti shërbejë përparimit të kombit. Kjo lidhje e pandarë e kësaj letërsie me personazhin kryesor, shfaqur dukshëm e herë fshehur pas kuintave, të Shqipërisë në kohë të ndryshme i bashkëngjitet talentit, fantazisë, aftësisë së shkrimtarit për të magjepsur lexuesin .
Shkrimtari i madh i çdo kohe, zotëron krahas talentit aftësinë për tu shfaqur si profesionist i shumë fushave, njohës i shumë profesioneve si historian, filozof, mendimtar, eseist, në një letërsi që ngatërrohet në ngjarje të mëdha, në fate popujsh e kombesh.
Kjo letërsi u erdhi si dhuratë shqiptarëve në kohë të trishtë, në kohë mungesash, tragjikisht nga ajo e lirisë, pasojë e të cilës do ishin dhe gjithë të tjerat. Ndoshta se atëherë i duhej vendit, i duhej njerëzve, i duhet edhe sot po aq në kohën që jetojmë. E personifikuar si letërsi shqipe ajo kreu e kryen pikërisht këtë mision sa të padukshëm aq dhe fisnik, i shërben lexuesit, i shërben emrit të një shteti, të një kombi, një gjuhe për ti dhënë famë e sukses.
Duket se niset nga ky mision i madh dhe i bashkëngjitet këtij misioni në çdo kohë pavarësisht rrethanave, morisë së vështirësive. E lindur në diktaturë, ku lirinë nuk e gëzonin, apo nuk e gëzuan as vetë krerët më të lartë në shumë raste, pena e Kadaresë si një stratege arriti të pushtojë mendjet e shqiptarëve në një kohë të ligë. Nëse stacionet e huaja, radio, televizionet i shërbyen asaj periudhe në komunikimin me botën, asokohe kjo letërsi kreu misionin e vërtëtë të një stacioni në gjuhën shqipe duke u dërguar hera herës mesazhe të fshehta modernizmi, veshur me sarkazëm, alegori…
Jo vetëm u fali një letërsi të mirë, një letërsi në gjuhën e tyre, po nëpërmjet saj i shëtiti mjeshtërisht shqiptarët e izoluar në botën të largët, në madhështitë e pafundme të stepave e deri në ndërtesa imagjinare. Si balsam për lirinë e munguar u kacavjerr, gërmoi historive të antikitetit, u bë përçuese e bukurive të natyrës, kështjellave, gurëve, pasurisë folklorike e popullore, zakoneve , traditave, legjendave, gjithë asaj pasurie shqiptare që asnjë diktaturë nuk mund ta shpërfille.
Gjeti gjithmonë një shteg mendimi shpëtimtar, si kompensim i asaj kohe që jetonin për të dhënë diçka më shumë, për të thënë të pathënën, me meritën e madhe të atëhershme dhe të sotme të dhënies së dimensionit ndryshe gjithë letërsisë shqipe. Nëpërmjet fjalës kjo letërsi skicoi e skicon dhjetëra detaje të jetës, të ngjarjeve, krijoi personazhe të spikatur, duke i ofruar lexuesit modele për tu ndierë i tillë. Kanë kaluar tashmë më shumë se dy dekada dhe është sërish më e lexuara, e përkthyera, e vlerësuar më shumë se më parë. E tani jetojmë në kohë lirie.
Në këtë rrugë të gjatë suksesi e lavdie, ku gjithë vlerësimet prej kohësh janë thënë, si bezdisja e ziles së celularit në koncerte, dëgjohet rrallë një refren ndryshe. Si një grip i shfaqur në stinë të caktuara, thuajse te të njejtët njerëz, një valë shkrimesh, në pamundësi për t ju qasur veprës i qasen shkrimtarit. Si një dallgë që përplaset, pa mundur ti afrohet letërsisë, tashmë mbrojtur me famën në botë, i qaset shkrimtarit, të shkuarës, shkëput copëza nga e kaluara, i shfaq me zell si zbulim arkeologjik, i ruan e pastaj i servir prapë, të njëjtat ide, herë më lehtë, herë më fuqishëm.
E krahas gjithçkaje që është thënë, shkruar tashmë prej kohësh, e shkuara jonë ngatërrestare , epoka ku lindi kjo penë dërgon deri sot mesazhe. Përtej meskiniteteve, ngacmimeve të tipit ballkanas në grimca të rëndomta mllefi, inati, ka ndoshta një të fshehtë tjetër. E parë në këndvështrim ndryshe, si letërsi e madhe, me vlerë, ndoshta vetë Kadaresë i vënë një faj të madh. Duket se njeriu që shkruan një letërsi të tillë duhej të kishte forcën për të tronditur sistemin e dikurshëm, diktaturën. Duket e çuditshme po është kjo ajo që indirekt duket se kërkojnë nga Kadareja, një martir të asaj kohe.
Midis shkrimtarit dhe letërsisë ka mospërputhje në rastet e shkrimtarëve të mëdhenj, letërsia është më e fuqishme se shkrimtari si individ. As Kadare dhe askush tjetër në cilindo pozicion nuk mundeshin as ta trondisnin, as ta rrëzonin atë system. Askush nuk do bënte marrëzinë të shpallej armik me dëshirë, vetëm ata që fati në mënyrë tragjike u trokiste. E nëse dikush do shpallej i tillë me vetëdije, ç vlerë do kish, vetëm atë të një marrëzie.
Nëse do duhej të zgjidhnin midis shkrimtarit të kryqëzuar në burgjet komuniste dhe letërsisë, nëse është kjo që i mundon ca njerëz sot, shqiptarëve u duhej më shumë letërsia, sesa protesta e një individi të vetëm, ndonëse shkrimtar i madh. Cili shqiptar i asaj kohe, i zakonshëm apo shkrimtar nuk do pëlqente foto apo dhe miqësi me udhëheqësit e asaj kohe? Po të shfletosh romanin “ Dimri” , po ta kesh lexuar me vëmendje kupton se personazhet më të thjeshtë, njerëzit e natës që merreshin rëndom me pastrimin e qytetit ishin dhe më të qetët, më të sigurtit.
Sa më lart ti afoheshe kupolës së diktaturës aq më vështirë ishte. Dhe ata shqiptarë që ishin koshientë që në fillim për pasojat e instalimit të një diktature të tillë ishin të paktë, mbi të gjitha ishin të heshtur, ishin të trembur. Të tjerët, pjesa më e madhe e popullsisë e jetoi me kënaqësi fillimisht atë epokë, iu gëzua barazisë së sitemit derisa barazia i fundosi në varfëri të përbashkët, deri ushqimore, pa përmendur kryesoren, atë të lirisë.
Përveç disa revoltave të burgjeve dhe këto të pakta, rënia e diktaturës erdhi vonë, nga përtej dhe jo specifikisht brenda Shqipërisë. Kishin ndodhur të tjera ngjarje në botë, derisa uragani i përmbysjes do pushtonte Shqipërinë. Pothuaj të gjithë, në mënyra të ndryshme sipas profesionit i shërbenin asaj kohe. E rëndësishme, e veçantë, ishte të krijoje vepra me vlerë, larg skematizmit, brenda një kornize të caktuar, të limituar. Një pjesë e krijmtarisë së asaj kohe përfshirë dhe atë muzikore, që gjithsesi gëzon pak më tepër liri së letërsia dallon për frymën e kohës, tinguj aksionesh, fllad kooperative.
Një pjesë e kësaj krijmtarie humbi , sepse dhe pa përmbajtje letrare, përcjell me muzikë efektin e asaj kohe. Nëse do numëronim veprat e shkruara aso kohe që flasin për Partinë, se ky është meraku i disave, ka plot vepra muzikore ku pa fjalë partia është mëse e pranishme. Ishte shumë më thjesht atëherë të ishe mediokër sesa i madh, sidomos në letërsi. Fakti që këtë ja kërkojnë vetëm Kadaresë tregon se e konsiderojmë të tillë, të fuqishëm. Letërsia është direkt e lidhur me situatën, fjala, ngjarja, politika, të gjitha i vishen asaj.
Letërsia e Kadaresë tejkaloi kohën kur u shkrua, vendin, përkthehet e lexohet sot në shumë gjuhë të botës. Në mënyrë paradoksale në çudinë shqiptare ndodh të përpiqen të përmirësojnë imazhe diktatorësh dhe zbehin figura shkrimtarësh. C ish për tu thënë është thënë… Koncerti vazhdon , zilet e celularëve humbasin përballë tingujve të fuqishëm të shpërndarë në kohë dhe hapësirë.