Home KRYESORE Shteti që duhet të zgjohet kundër Dhunës

Shteti që duhet të zgjohet kundër Dhunës

Nga Mimoza Kociu

Në Fier një bashkëshort vret gruan duke e hedhur nga kati i katërti pallatit, edhe pse viktima kishte një urdhër mbrojtje ndaj tij. Në Korcë një baba vret dy fëmijët e tij të mitur e më pas veten, se nuk arrinte të mbante familjen të bashkuar, por as ta divorconte bashkëshorten. Në Vlorë dy minorenë tentojnë të dhunojnë seksualisht dy minorenë më të vegjël në oborrin e shkollës. Janë vetëm disa nga rastet e fundit tronditëse të Shqipërisë së vitit 2016, vend i NATO-s, e që pret të hapë negociatat e antarësimit në Bashkimin Europian.Rastet tragjike vijnë në një mjedis të ngarkuar politikisht e nuk po marrin vëmendjen e politikës, sepse “hallet” e saj duken të tjera, 7 muaj para zgjedhjeve dhe marrin gjithë vëmendjen mediatike e publike.

Rastësore a cinike, kjo dhunë me pasojë vdekjen ndodh e raportohet brenda dy javëshit të ditëve të aktivizmit kundër dhunës me bazë gjinore, një aksion ndërkombëtar, që na kujton se kjo nuk është vetëm një sfidë shqiptare, por globale. Natyrisht diferenca është tek mënyra se si reagon shteti e shoqëria, ndaj kësaj sfide që ka kosto tragjike, jetët njerëzore.

2016-a nisi që në javët e para të saj me të paktën 6 raste të dhunës gjinore me pasojë vdekjen. Kjo nxiti gratë deputete që të inicionin një aksion sensibilizimi kombëtar e të miratonin ndryshimet e nevojshme ligjore, për të mbrojtur e inkurajuar denoncimin e viktimave të dhunës me bazë gjinore. Por 11 muaj më vonë, vetëm para pak ditësh, në kuadër aktiviteteve kundër dhunës ndaj grave, shifrat e shpallura nga autoritetet ishin alarmante. 9 femra dhunohen në një ditë në Shqipëri. Nga Janari deri në Shator të këtij viti janë identifikuar e trajtuar 3195 raste dhune ndaj grave, e vetëm gjysma e tyre kanë kërkuar urdhër mbrojtje në gjykatë. Policia gjithashtu jep shifrat e saj, e tregon se trajton mesatarisht 11 denoncime në ditë për dhunë në familje në të gjithë vendin, ndërsa në një vit plotëson mbi 2100 kërkesa-padi për urdhër mbrojtjeje, duke evidentuar një rritje prej 5% të numrit të denoncimeve, krahasuar me një vit më parë.

Duhet pranuar se ndër vite janë bërë përpjekje serioze me përmirësime në legjislacion për të mbrojtur gratë e fëmijët, me shtimin e mekanizmave mbrojtës e asistues dhe forcimin e ndëshkimeve ligjore për autorët e dhunës me bazë gjinore. Por dy rastet tragjike në Fier e Korcë dhe rastet e freskëta që vijojnë të raportohen në media, sërish të dhunës brenda familjes, fatmirësisht jo për vdekje, na dëshmojnë të gjithëve panoramën më të zymtë tënjë krize kombëtare,që sheh si përgjegjës institucionet, por edhe shoqërinë shqiptare me rezultat dhunën e pa fre, të paimagjinueshme dheshtazore. Kjo është mënyra se si shqiptarët përballen me problemet e tyre në familje: vrasje e vetëvrasje, të paralajmëruara nga aktet e përsëritura të dhunës.

Në rastin e Fierit viktima Liljana Ruko kishte një urdhër mbrojtje nga bashkëshorti, urdhër që kishte mbetur në sirtarët e administratës vendore, pa shkuar në polici. Në rastin e dytë,të Korcës, situatën e vështirë të asaj familjeje e dinin fqinjë e familjarë. Pra nuk ishin ngjarje të papritura.

Shkaqet janë ato standarte, që njihen. Vështirësitë financiare për shkak të panunësisë, të kombinuara me diferenca të theksuara kulturore, bëjnë që këto dy sfida sociale dhe ekonomike ta sprovojnë familjen, që zgjedh dhunën si mënyrë e adresimit të zhgënjimit a dështimit të burrave kryefamiljarë. E rastet e fundit dëshmuan krejt qartë dështimin e shtetit e shoqërisë për t’u përballur me fenomenin e dhunës.

Së pari,institucionet publike në vend,nuk janë të përgatitura për të siguruar paqen sociale, e zhvillimin normal të një shoqërie, që dhunën e vrasjen e sheh si zgjidhje e clirim.  Edhe në rastet kur dhuna denoncohet, sic ishte rasti I Fierit, institucionet nuk funksionojnë. Liljana në Fier e gjeti kurajon dhe e denoncoi bashkëshortin dhunues. Por mbrojtja e shtetit dështoi, sepse dikush nuk bëri detyrën dhe sot Liljana është një numër më shumë në statistikat e dhunës me pasojë vdekjen nga dhuna në familje.

Së dyti solidariteti njerëzor,është tipari I madh I munguar në shoqërinë shqiptare. A është thjesht indiferencë, apo padije për të kuptuar se një dhunë që bëhet rutinë, do shkojë vec në përkeqësim, nuk do zhduket papritur, nëse nuk reagohet. Gra që durojnë dhunën brenda mureve, të detyruara nga mungesa e perspektivës ekonomike për mbijetesë, nga presioni primitiv I familjes së origjinës, për të mos ikur “nga shtëpia e burrit”, duke e lënë atë në mëshirë të bashkëshortit të dhunshëm. Por ka edhe më tepër. Komshij që asistojnë nëmënyrë të përsëritur në zhurmën e sherreve, që I kalon muret e familjes, e që thjesht nuk veprojnë. Diku qajnë hallin në heshtje, e diku tjetër atë hall e tjerrin në muhabetet e lagjes, duke e rënduar më shumë situatën. Kur fatkeqësia ndodh, dinamikën e  ciftite mëson nga këta fqinjë.

Prej një viti e gjysëm,riorganizim i ri i qeverisjes lokalen ga 374 njësi vendore në 61 bashki, nuk po dëshmon rritjen e cilësisë së premtuar të shërbimit për qytetarin, edhe në këto raste kaq flagrante.

Cfarë mund të bëhet? Së pari dhuna me bazë gjinore duhet identifikuar si emergjencë kombëtare, që kërkon njëdebat e reagim mbarëkombëtar e gjithëpërfshirës, pushtet qendror, vendor, organizatat e shoqërisë civile e komunitetit, të gjithë të mbështetur nga media.

Mekanizmat referuese e mbrojtëse ekzistuese duhet të jenë sfida e parëe shkundjes në këtë situate, në cdo bashki ka polici, prokurori, zyra sociale, zyra përmbarimi, deri tek kryepleqtë nëpër lagje. Por ka edhe komunitet, pjesë e të cilit janë edhe shkollat, spitalet, ku këto raste identifikohen e raportohen.Të gjithë krijojnë atë që quhet opinion public, që nëse do ishte aktiv, do jepte një ndihmë jo të vogël në parandalimin e këtyre raste. Opinioni public duhet të ndryshojë qasjen së pari, se viktima duhet mbështetur pa kushte, e se asgjë nuk e justifikon dhunën. Rastet e raportuara, apo ato që na tregohen këto ditënë tryeza debati, dëshmojnë se një grua e dhunuar mbetet e vetme në halllin e saj. Së pari, largimi I saj nga bashkëshorti duket një mision I pamundur për shkak të mentalitetit pengues për rikthimin e saj në familjen e origjinës, e së dyti për pamundësinë financiare për të ndërtuar një të ardhme të qetë me fëmijët, larg asaj dhune. Shteti ende nuk I përgjigjet dot një viktime që ka vendosur ta denoncojë e të largohet nga dhuna. Por bashkëme strukturat e tjera të shoqërisë mundet të bëjë dicka. Organizatat që merren me të drejtat e grave dhe donatorët e tyre janë hallka tjetër tejet e rëndësishme e këtij procesi. Ka ardhur koha që sensibilizimet e konferencat, ku I tregohet njëri-tjetrit se sa sfiduese është dhuna me bazë gjinore, të zëvendësohen me strategji veprimi e rezultate të matshme. Pra, të mos ketë thjesht bilance se sa gra u dhunuan, sa denoncuan, e sa morën urdhër mbrojtje, por sa gra u shpëtuan nga dhuna e sa prej tyre iu mundësua një perspektivë e re. Historitë e grave të shpëtuara janë sensibilizimi më I mirë. Eshtë e qartë se denoncimi nuk është më problem I kudohasur, por garantimi I të ardhmes për një viktimë të dhunës është sfida aktuale. Duhet të ketë një strategji konkrete, që nis me identifikimin e rasteve ekzistuese e atyre potenciale të dhunës, përllogaritjet financare për reagim efikas, bashkëpunim me pushtetin qendror e vendor, e më pas me fushata sensibilizuese mbi të drejtat, përfitimet e zgjidhjet konkrete për një grua, që vendos të shkëputet nga dhuna në familje. Ky lloj sensibilizimi duhet bërë në secilën prej 61 bashkive, e jo të përqendrohet në Tiranë. Punonjës socialë, psikologë, intelektualë, por edhe të rinj, do të reagojnë vullnetarisht nëse thirren për një aksion të koordinuar.

Si person I përfshirë disa herë në lobimin për rritjen e rolit të gruas në vendimmarrje dhe nxitjen e kuotave gjinore në politikë, këto ditë kam përjetuar tronditjen e konstatimit se siguria fizike e gruas në familje e jashtë saj mbetet një sfidë jetike. Edhe në vendimmarrje hasemi me të njëjtin fenomen, fatmirësisht jo me rezultate tragjike. Me të drejtë përmendet dhuna verbale ndaj grave në politikë e institucionet vendimmarrëse.Por a nuk është dhunë, kur më shumë se një grua kandidate për deputete detyrohet të japë dorëheqjen, për t’i lënë vendin një burri të fortë pas saj në listë? A nuk e di mirë këtë secili nga 140 deputetët e kësaj legjislature parlamentare?

A nuk është dhunë kur një deputete grua në politikë detyrohet të mbajë qëndrime publike të diktuara nga interesi kryetarit të partisë, apo të firmosë një draft ligj, pas të cilave fshihen burra politikanë me më shumë pushtet se ajo, për të mos u ekspozuar vetë publikisht? A nuk është dhunë kur kryetari, por edhe kolegët e kësaj gruaje heshtin, kur ajo shndërrohet në shënjestër publike për një project-ligj, të cilin nuk e ka inicuar vetë, por e kanë detyruar ta firmosë? Burra politikanë që fshihen pas grave, a nuk janë njëlloj dhunues, përvecse burracakë? Nëse gratë në politikë, e zgjedhin vetë mënyrën se si do e zhvillojnë karrierën politike, duke rezistuar e denoncuar, a duke duruar dhunën e vendimmarrësve meshkuj, kjo është një zgjedhje personale, e secilës nga zonjat qëështë e ulur në parlament, a institucionet qendrore e vendore në vend. Padyshim që heshtja e tyre është dobësim I zërit të tyre në mbrojtje të grave të dhunuara në cdo qytet e fshat të vendit. Si do I mbrojnë të tjerat kur nuk kanë guxim të mbrojnë veten?

Megjithatë një bashkim I forcave të të gjithëve, do ishte nisja e zgjidhjes, që do kërkojë kohë, por rëndësi ka që të vendoset në një bazë të qëndrueshme: gjithë përfshirjen. Qeveria e institucionet e saj me forcimin e mekanizmave mbrojtës për denoncueset e dhunës, shkurtimi në maksimum I afateve reaguese të drejtësisë e policisë, lehtësi financiare për gratë që duan të ndërpresin ligjërisht një lidhje abuzive. Cdo hap sado I vogël ia vlen, sepse do jetë një përpjekje për të shpëtuar një jetë tjetër gruaje, por edhe të ardhmen e fëmijëve, që rrezikojnë të rriten e bëhen modeli I shëmtuar I asaj cka detyrohen të përjetojnë në një familje ku dhuna është rutinë.Iniciativën duhet ta marrë shteti, shumë seriozisht e pa humbur kohë.

 

Share: