• Kryeministri hungarez Orban do të ndërtojë reaktorë bërthamorë me ndihmën e Rusisë.
• Deputetët e opozitës hungareze janë ankuar në mënyrë të përsëritur te Komisioni Evropian – pa sukses.
Mes Gjermanisë dhe Hungarisë ka mosmarrëveshje të ashpra për sigurinë bërthamore. Sfondi është një ligj i kohëve të fundit i miratuar në Budapest, që i lejon qeverisë hungareze të vazhdojë të punojë në lidhje me sigurinë kombëtare energjetike bërthamore. Kjo solli propozimin për ngritjen e dy reaktorëve të rinj në uzinën e energjisë bërthamore Paks. Kryeministri Viktor Orban dëshiron t’i ndërtojë reaktorët me ndihmën e Rusisë. Mediat hungareze thonë se presidenti rus Vladimir Putin do të udhëtojë në shkurt në Budapest për të nënshkruar marrëveshjen.
Në qeverinë federale gjermane, kjo lëvizje ka ngjallur kritika masive. “Vendimi i Hungarisë është shumë i diskutueshëm,” tha ministrja gjermane e Mjedisit Barbara Hendriks. Është “thelbësore që operimi i centraleve bërthamore të mos gjykohet nga mundësitë politike, por të monitorohet nga një organizatë e pavarur, e aftë për të vepruar si mbikëqyrëse” për sigurinë bërthamore, thotë ajo.
Paks është centrali i vetëm bërthamor në Hungari, në jug të Budapestit. Ka katër reaktorë sovjetikë. Zgjerimin me dy të tjerë tani duket se do ta marrë përsipër grupi rus Rosatom, i cili siguron edhe materialin e nevojshëm bërthamor dhe asgjëson mbeturinat bërthamore. 12 miliard dollar investim do të financohen më së shumti nga banka shtetërore ruse VEB.
Në Hungari, plani është kritikuar masivisht. Deputetët e opozitës kanë denoncuar në mënyrë të përsëritur mungesën e transparencës dhe financimin e errët në Paks, por pa sukses. Barbara Hendriks ka të njëjtin shqetësim. Mendohet se Hungaria “po shkel të drejtën ndërkombëtare dhe ligjin evropian”. Disa politikanë gjermanë i kanë kërkuar qeverisë së tyre të ngrejë një padi për shkelje në Bruksel, kundër qeverisë së Viktor Orbanit.