Informacione të sigurta për plan ekzekutimi ndaj Jaho Mulosmanit në Burgun e Burrelit.
Burime të sigurta tregojnë për portalin ”Shuplaka” se 20 ditë më parë autoritetet e burgut të sigurisë së lartë të Burrelit dhe Komisariatit Mat kanë marrë informacion në rrugë operative për një tentativë ekzekutimi që ishte duke u përgatitur për Mulosmanin me dënim të përjetshëm.
Pas informacioneve të marra, autoritetet e burgut nuk kanë lejuar që Mulosmani të dalë në ajërim. Informacionet e marra kanë patur të bëjnë me një snajper që do qëndronte në gatishmëri për ekzekutimin e të dënuarit gjatë ajërimit të tij.
Snajperi ishte programuar të qëndronte në pallatet në distancën 20-30 metër në vijë ajërore larg ambjentit të ajërimit.
Por pas këtij informacioni autoritetet nuk kanë qëndruar duarkryq, duke marrë menjëherë masa. Përveç moslejimit të Mulosmanit nga autoritetet e burgut në ambjentin e ajërimit, efektivët e policisë kanë monitoruar intensivisht pallatet për persona të dyshimtë.
Mësohet që pas shmangies së planit të ekzekutimit të dyshuar, autoritetet kanë porositur Mulosmanin që në ditët pasardhëse të përdorë qëndrimin pranë cepave të murit të ajërimit për të shmangur qenien objekt në ambjentin e hapur.
Nuk ka informacione të sakta se kush ka dashur ta ekzekutojë Mulosmanin apo nëse do të transferohet nga burgu i sigurisë së lartë të Burrelit. Mulosmani është dënuar me burgim të përjetshëm për vrasjen e Azem Hajdarit.
Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve reagon për ”Shuplaka”-n lidhur me ngjarjen, duke thënë se nuk kanë asnjë informacion zyrtar për një plan të tillë.
”Zyrtarisht pranë Drejtorisë së Përgjithshme nuk ka mbërritur asnjë informacion i tillë, as nga drejtoria e burgut Burrel, as nga policia, as nga SHKB-ja. Në këto kushte rregjimi i të dënuarit vazhdon në kushte normale. Për ne ky informacion nuk është i vërtetë për sa kohë nuk kemi asnjë njoftim”, deklaron Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve.
Procedura standarde e marrjes së masave për të dënuarin ka të bëjë me verifikimin e saktësisë së informacionit nga autoritetet dhe më pas mbledhjen e grupit të punës për vlerësimin e rrezikut dhe marrjes së masave. SHKB-ja, Shërbimi Informativ dhe Drejtoria e Burgjeve mblidhen për të transferuar apo jo Mulosmanin, vetëm në rast se informacioni qëndron.
Nuk ka informacione të sakta se kush ka dashur ta ekzekutojë Mulosmanin apo nëse do të transferohet nga burgu i sigurisë së lartë të Burrelit. Mulosmani është dënuar me burgim të përjetshëm për vrasjen e Azem Hajdarit./ SHUPLAKA