Situata në rajonin e Ballkanit sa vjen edhe përkeqësohet. Teksa ditët e fundit është vënë re një përplasje e fortë mes Serbisë dhe Kosovës, duket se në lëvizje janë vënë dhe amerikanët.
Pak kohë më parë, ishte ministrja shqiptare Mimi Kodheli ajo që deklaroi në Komisionin e Sigurisë se Shqipërisë do i dhurohen 250 autoblinda nga Ushtria Amerikane. Kjo deklaratë e saj ka bërë bujë në mediat greke, të cilat e kanë lidhur çështjen me situatën në Mitrovicë.
Një sërë portalesh greke kanë shkruar se dhurimi i 250 automjeteve të blinduara është një përgjigje ndaj agresionit rus.
“SHBA do dërgojnë në Shqipëri 70 autoblinda në misionin e parë, ndërsa 180 të tjera do dërgohen në një tjetër mision, duke e çuar në 250 numrin e pajisjeve për ushtrinë shqiptare. Kjo është një lëvizje shumë e qartë e Washingtonit lidhur me atë që po ndodh mes Kosovës dhe Serbisë”, shkruan portali Pentapostagma, transmeton “Tema”.
Sipas këtij portali, treni serb që tentoi të hyjë në Kosovë po sjell një klimë të re tensioni në Ballkan. Më tej thuhet se SHBA dhe Rusia po e zhvendosin hegjemoninë e përplasjeve në “rajonin tonë”.
Portali shkruan se armatime do të dhurohen dhe nga Turqia, pasi ka një marrëveshje mes vendeve. Sipas portalit, pritet që në përplasjen ruso-amerikane në Ballkan të ndërhyjë dhe Ankaraja.
Ky portal shkruan se kjo do të jetë rrezik për Greqinë.
“Ushtria shqiptare ka një kontratë me vlerë 10 milionë euro me Turqinë për furnizim me armë, tipi i të cilave ende i panjohur. Pra, siç duket situata në Ballkan po ndryshon. Një luftë e mundshme shqiptaro-serbe do të sjellë një sërë reaksionesh zinxhir, ku pritet që të ndërhyjë dhe Turqia, me pretekstin se do të mbrohen pakicat myslimane”, shkruan ky portal.
Jehonë marrjes sa makinave i kane bere dhe nga një sërë portalesh të tjera, të cilat kanë ngritur shqetësimin se tensionet ruso-amerikane po zhvendosen në vendin tonë.
Reagimi i mediave greke ka marr shkas nga një deklaratë e dhënë nga ministrja e Kodheli. Në një intervistë televizive ajo dha detaje për mbërritjen e makinave të blinduara nga SHBA. Ajo u shpreh se ato do të dhurohen në kuadër të bashkëpunimit në NATO.
“Ne i kemi ndihmuar aleatët dhe ata na ndihmojnë ne sot. Qeveria italiane dhuron pesëmijë pushkë automatike të reja dhe me këtë mbyllim kërkesën e të gjithë forcave të armatosura me vlerë 10 milionë euro. Po ashtu dhe në vlerën e rreth 12 milionë euro do të vinë nga SHBA mjete transporte të blinduara. 25 milionë euro nuk do të paguhen nga taksat e taksapaguesve, por do të vijnë si donacione nga aleatët”, tha ajo.
Pak kohë më parë në Shqipëri mbërriti dhe vetë kreu i CIA-s, vizita e të cilit u tha se kishte të bënte pikërisht me avancimin e Rusisë në Ballkan. Sipas mediave greke, Rusia ka dhuruar mjete dhe armatime për ushtrinë serbe dhe SHBA ka nisur që të kundërpërgjigjet/koha.net