Nga ENTELA KASI
Romanet e Shqipërisë së përjetshme
Pas vitit 1970, në pikun e revolucionit prej së cilit Shqipëria gërryhej çdo ditë, Kadare me dhuntinë e talentit dhe pasurinë e intelektit, ka projektuar veprat të cilat me bindje do ti quaja, Blloku i romaneve të Shqipërisë së përjetshme.
Kështjella, Pallati i ëndrrave, Pashallëqet e mëdha, Sjellësi i fatkeqësive, Komisioni i festës, Kush e solli Doruntinën, Ura me tri harqe mbeten vepra të rëndësishme të këtij blloku. Të përkthyera në shumë gjuhë të botës, këto romane kanë tërhequr vëmendjen e botës letrare të shekullit të XX.
Kadare i kthehet etnisë, në kohën kur internacionalizmi ishte një pushtet absolut në lindje, ku shuarja e identiteteve kombëtare ishte realizuar me ndërtimin e Federatave të bashkimit të shteteve dhe etnive të ndryshme në entitete gjeopolitike artificiale.
Lindja e cila kishte përfshirë nën autoritetin e saj politik gjysmën e Evropës, duke nisur nga muri i Berlinit deri në Moskë, në BRSS, dhe Ballkani që përfshinte etnitë dhe shtetet, duke lënë mënjanë gjysmën e Shqipërisë dhe Greqinë, ishin po aq të rrezikshme sa Perandoria Otomane e shekujve të kaluar, prej së cilës në fillimet e shekullit të XX, kombet mundën të formonin shtetet e tyre duke shpëtuar ç’të mundnin, në rënien e saj.
Kadare si pararendësit e tij letrarë, shkruan veprat e Ballkanit modern të perandorive lindore ku nën sundimin e tyre janë shformuar, rrezikuar të shuhen etni dhe kombe. Shuarja e tyre është shoqëruar si gjithmonë me krime kundër këtyre etnive dhe popujve, krime të cilat kanë prodhuar gjenocid. Nëse hebrenjtë dhe armenët u ngritën mbi holokaustin dhe gjenocidin, shqiptarët u ngritën në veprat e Kadaresë pikërisht në bllokun e romaneve të Shqipërisë së përjetshme.
Kadare me bllokun e këtyre romaneve krijon një dëshmi në vazhdën e historisë së kombit shqiptar. Ai sjell frymën kundër asimilimit të identiteteve në periudhën e perandorisë komuniste. Ngjarjet që ai i vendos në historinë e Perandorisë otomane na udhëheqin në kohën e shkrimit të veprave në të cilat ka një dy-kohësi, koha e ngjarjeve që ai sjell në letërsi dhe koha e shkrimit të veprave.
Duke sjellë sfondin e perandorisë otomane, alegoria dhe analogjia me sistemin e shkombëtarizimit të popujve dhe kombeve të Evropës në mungesën e lirisë së tyre e vendosin shkrimtarin Kadare në vazhdën e shkollës së nacionalizmit shqiptar, të cilën e rigjallëruan rilindësit, ndërsa bazat e saj i kanë hedhur shkrimtarët e vjetër të gjuhës shqipe, duke filluar nga Buzuku.
Akademia Franceze dhe përfaqësuesit zyrtarë të saj janë shprehur, se Shqipëria historike është një vlerë e pamohueshme në romanet e Kadaresë.
Pas fundit të luftës së Kosovës, kur ky shtet i ri, kishte për kryeqytet Prishtinën, pas sprovës letrare Mosmarrëveshja, duket sikur një industri e tërë vihet në resht kundër shkrimtarit. Veglat e kësaj industrie, individë të Shqipërisë Atlantike në mënyrë sporadike por edhe të unifikuar ngrihen kundër veprave të tij, pastaj kundër personalitetit të tij, e më pas kundër ideve të tij dhe në fund tërësisht kundër tij.
Duke iu referuar shtypit por edhe një duzine artikujsh të përmbledhur edhe në libra,duke kërkuar edhe për autorët e shkrimeve, bie në sy një vetëkënaqësi herë pas here e mbushur me nota mllefi dhe inati deri në urrejtje ndaj shkrimtarit.
Duke lexuar mes rreshtave,dallohet ligësia, e kjo e fundit është një tregues për ti marrë seriozisht këta individë që në mënyrë sporadike apo në sinkron sulmojnë shkrimtarin, me të cilin gjuha shqipe përfaqësohet në shumë-gjuhët e botës, jo vetëm si pasuri kombëtare por si fuqi për të shkruar letërsi universale.
Duke i lexuar ftohtë shkrimet e publikuara në media të Prishtinës por edhe të Tiranës, në portale online, duket se ky grupim nuk ka probleme me Kadarenë, por me Shqipërinë historike në veprën e tij. Duke sulmuar Kadarenë në mënyrë të drejtpërdrejtë nënkuptohet Shqipëria!
Idetë që shtjellohen në shkrimet e tyre, e vendosin Kadarenë në qendër të akuzave absurde. Sipas shkruesve ”˜Kadare sulmon myslimanët dhe fenë islame te shqiptarët, më së shumti tek shqiptarët e Kosovës’. ”˜Kadare si ideolog i ideologjisë staliniste i fton shqiptarët të ndërrojnë fe’, do të deklaronte Qosja në 1.08.2015.
Sinkron është hedhur ideja se Kadare po lufton formulën e shtet-formimit, ku religjionet janë përfshirë secili në përfaqësim, e garantuar kjo nga Kongresi i Lushnjës. Halit Matoshi, publicist, deklaron se albano-centrizmi ka marrë fund, ndërsa H. Ferra, shpreh mendimin se Idetë e Kadaresë janë prodhime Gabi të Evropës
Duke e akuzuar për mono-fetarizëm, Kadareja vendoset edhe një herë në qendër të industrisë së sulmeve ndaj tij. Kjo luftë ndaj Kadaresë duket sa e pakuptim po aq edhe e rrezikshme.
Shteti shqiptar e ka të sanksionuar në Kushtetutë që është shtet laik dhe që nuk ka fe zyrtare. Shteti është i pavarur nga feja dhe si i tillë ai nuk është ndërtuar mbi bazën e kësaj formule të përfshirjes së religjioneve. Duke i mëshuar idesë së përfshirjes së religjioneve në mënyrë të barabartë si kusht i ruajtjes së ekuilibrave midis popullsisë, duket sikur kërkohet një ndryshim i kushtetutës për këtë çështje.
Kjo kërkesë del tërthorazi nga ideatorët që përdorin individë të caktuar ndërkohë që Shqipëria vetë nuk ka hapur asnjë debat shkencor apo akademik për këtë çështje. Për më tepër që bashkëjetesa e religjioneve në kuptimin e harmonisë është një prej pasurive më të çmuara të shqiptarëve si komb.
Atëherë me të drejtë na lind pyetja: pse sulmohet Kadare me një akuzë kaq të frikshme? Si i fyeka Kadare, besimtarët myslimanë dhe këtë religjion?
Fyerja e një përkatësie religjioze të një komuniteti është një çështje delikate për të mos thënë e rrezikshme. Në jetëshkrimin e tij Jozef Anton, Salman Rushdie dëshmon biografinë e tij nga çasti fillestar kur për shkak të trajtimit që ai i bën disa vargjeve kuranore me shqisën e shkrimtarit, A. Komeini, lëshoi një fatvia, prej së cilës S. R. u dënua me vdekje. Po ashtu u dënuan krejt botuesit dhe përhapësit e veprës së tij letrare deri edhe përkthyesit. Ky dënim e vendosi shkrimtarin në pozitat më të vështira të jetës, dhe shoqëritë intelektuale të Evropës në qendër të një debati ndërkombëtar.
E gjithë kjo na drejton kah mendimi i qendrës së ciklonit të aktualitetit botëror, në të cilin shqiptarët duhet të përfshihen me çdo kusht, dhe sigurisht në qendër të tij duhen përfshirë edhe shqiptarët.
Përse akuzohet Kadare si fyes i myslimanëve? A nuk do të mjaftonte akuza se ai është një shkrimtar i realizmit socialist dhe ideolog i Stalinizmit? Përse Qose e çon akuzën në një zgrip kaq të rrezikshëm? Të jetë Qose kaq i padijshëm për pasojën, apo pasoja e pritshme është shkaku i një artikulimi me forcë.
”˜Mjeti justifikon qëllimin’. E qëllimi, me këtë rast është i dyfishtë. Të sulmohet Shqipëria, duke vendosur në pozitë të vështirë besimtarët myslimanë, e kështu tronditen ekuilibrat e bashkëjetesës fetare të një kombi i cili këtë e ka pasuri të kulturës së tij. Duke sulmuar Shqipërinë përmes Kadaresë.
Për të mos thënë akuzën e nënkuptuar prej shkruesve se duke i fyer myslimanët shqiptarë, këta të fundit e kanë më të thjeshtë ti bashkëngjiten ISISI-t, pasi kjo do të ishte mënyra e drejtë e reagimit të tyre prej fyerjeve që iu bëkan nga intelektuali dhe shkrimtari Kadare në kohën e dy Shqipërive, asaj atlantike dhe asaj londineze!
Kam bindjen se koha dhe e ardhmja do të nxjerrin në dritë të vërtetën, kur kjo epokë transitive dhe delikate të jetë përfunduar, e kur bota e ftohur nga çështje kaq të nxehta të ketë hyrë në një rend të paqtë, të larguar njëherë e përgjithmonë nga lufta fetare.
Në përmbyllje të këtij argumenti sa delikat po aq edhe të vështirë, blloku i romaneve të Shqipërisë së përjetshme, veprave që cituam më lart në rend kronologjik, i cili u shkrua në kulmin e egërsisë së perandorisë lindore të diktaturës, mbeten dëshmia e identitetit të Shqipërisë së përjetshme në letërsinë botërore të shekullit të XX.
Ashtu si shkenca e arkeologjisë që mbart peshën e dijes dhe të vërtetave historike mijëra vjeçare, brezat e qindra-viteve të së ardhmes do ta kenë edhe më të thjeshtë ti afrohen qartë së vërtetës të disa shekujve të errët në historinë e Ballkanit të një mijë-viteve të errët, ku shqiptarët pasardhësit e Bellum Ylliricum Sacrum, ti kthehen rrënjëve të një qytetërimi antik të mbuluar nga tallazet e historisë së botës.
Evropa si një koncept gjeopolitik më së shumti është një entitet unik i një kontinenti sa antik po aq edhe modern, e në të dy rastet shfaqet si atdheu i kombeve. Ky atdhe i kombeve përgjithmonë i tronditur në historinë e qytetërimit njihet për konservatorizmin dhe pasurinë e kulturës jo vetëm letrare por të arteve në tërësinë e tyre.
Si atdheu i letërsisë, teatrit, pikturës, skulpturës, muzikës klasike, kryeqendrat e Evropës me kombet e saj dhe historitë e tyre, por edhe si qendër e politikës, kjo Evropë vazhdimisht e tronditur ka shënjuar në historinë e saj anët e errëta dhe të ndritura të njerëzimit.
Nga historia e shkrimeve të hershme, kur njerëzimi në pllaka blate shkruante dëshminë e vet kulturologjike, me epe të lashta dhe kode, Evropa ka qenë atje, e me të po ashtu edhe shqiptarët e vjetër, stërgjyshërit paraardhës të shqiptarëve të sotëm. Gjuha, krejtësisht e veçantë në familjet e gjuhëve, ku vetmia e saj në kuptimin familjes degës dhe trungut është një e vetme në pemën e gjuhëve. Si një e vetme, në përkatësinë e një populli të vetëm dëshmon për një komb i cili është i vetëm dhe që nuk ka kushërinj të afërt apo të largët me popujt të cilët janë të afruar me gjuhën që ata flasin. Duke qenë të tillë, popujt e së njëjtës gjuhë i takojnë një kombi sepse të gjithë e pranojnë se gjuha është një tregues i themelit të etnisë. Me etni tërësisht të vetmuar, shqiptarët e vjetër, me një gjuhë tërësisht unike, të larguar nga gjuhët rrotull të kombeve dhe popujve në kufi të tyre, dëshmojnë edhe përkatësinë e tyre në një etni të vetme kombëtare pa të afërm.
Të vetëm në Ballkan, i cili në historinë e tij është quajtur Gadishulli Ilirik, shqiptarët e sotëm pasardhës së Ilirëve kanë qenë banorët e hershëm të gadishullit. Si banorë autoktonë të gadishullit, ata mbetën banorë autoktonë edhe kur gadishulli u emërtua Ballkan në hartat moderne të Evropës.
Letërsia evropiane mbetet një dëshmi e epokave të saj nga antikiteti i saj në kohët moderne. Homeri bëhet dëshmitari i parë i një lufte të Evropës me vetveten luftë kjo që fillon nga Mesdheu i gadishullit antik. Në kohët moderne pikërisht prej tij janë shënjuar luftërat botërore e para dhe e dyta brenda disa dhjetëra viteve.
Artet dhe punët e letërsisë së cilat duhet të mbeten të paprekura nga politika shpesh kanë rënë në zgripin dhe rrjetën e politikës. Të rrallë janë ata krijues që kanë mbetur apolitikë në historinë e Evropës, dhe fare të rrallë ata që kanë mundur të jenë të çliruar prej rregullave të sistemeve politike të Evropës në historinë e saj.
Homeri, Eskili, Virgjili, Ovidi, Dante, Servantes, Shekspiri, Hygoi, Gëte, Dostojevski, Kafka, por edhe Kadare, do të mbeten përgjithmonë një pasurie Evropës, kjo pasuri merr vlerën e letërsisë botërore.