Home KRYESORE Cilët janë qentë e cili është karvani?!… Po qenëria?!

Cilët janë qentë e cili është karvani?!… Po qenëria?!

Nga: Ylli Dylgjeri/

Sot në një reagim në FB ndaj intervistës së dhënë dje nga Ministri i Mjedisit, Lefter Koka, në TV Ora News, Kryeministri im Edi Rama pasi ka vënë në dukje arritjet e Policisë së Shtetit, e ka mbyllur reagimin me fjalët:

“Qentë le të lehin, karvani ecën përpara”… Shprehje kjo e dëgjuar herët nga brezi ynë, thënë nga Enver Hoxha në një fjalim.

E përsëritur në mënyre korrekte, kjo thënie e Enverit është një përgjigje për afro 50 vjet me radhë ndaj kritikave të botës së lirë ndaj sistemit tonë të diktaturës së proletariatit.

Enver Hoxha e përdorte për kundërshtarët e sistemit komunist fjalën qen, dhe karvani ishin komunistët dhe shoqëria që i ndiqte ata. Pra shprehja, ishte fyerje ndaj “botës kapitaliste dhe revizioniste që na rrethonte” .

Po zoti Rama ndaj kujt e përdor këtë shprehje?

Thënë troç, qentë këtu janë ministrat e kabinetit, apo kundërshtarët e brendshëm që bashkëpunon çdo ditë për të realizuar programin qeveritar. Janë aleatët në koalicion qe duke u përdorur për to, është një shprehje shumë fyese e cila përbën skandal në gojën e të Parit të qeverisë. Nëse ministri apo ministrat janë “qen” që s’vlejnë atëherë duhen hequr nga kabineti. Është në tagrin e Tij ti heqë këto “qen” që s’vlejnë më për Të.

Këtu s’ka ekuivoke. Edhe në shkollën e qenve të Ministrisë së Brendshme, kur nuk ju binden apo nuk arrijnë programin mësimor, qentë e drogës shpallen në ankandin e shitjes. Nëse Kryeministri e ka pastaj këtë shprehje për qentë e rrugës (që s’ka mundësi), dhe kjo sërish bie sepse sot ato Kryetari i Bashkisë i ka tredhur e matrikuluar, kështu që s’e trembin më karvanin.

Nëse komunikimi do të vijojë kështu; atëherë nuk bëhet më fjale për vazhdimësi pune me aleatë. Nuk bëhet fjalë as  për qeveri. Ne gjuhën e Kryeministrit kjo marrëdhënie mund te jete jo një”, por vetëm një “qenëri”.

Share: