Home KRYESORE Deklaratat e Presidentit Trump dhe çfarë mund t’i kërkojë FMN – së

Deklaratat e Presidentit Trump dhe çfarë mund t’i kërkojë FMN – së

Nga Kasem Seferi

Kriza financiare dhe ekonomike botërore, në perceptimin e studjuesve, analistëve dhe ekspertëve, u pa dhe ende vazhdon të shihet si një mundësi për të forcuar dhe rimodeluar FMN – në, e cila ka pasur për një periudhë kohe të caktuar një kapacitet prej 250 miliardë $ huadhënie të papërdorur.

Por, ky kapital bazë nuk ishte korigjuar që prej vitit 1997 dhe nuk mund të ishte mjaft i madh për të ndihmuar shumë vende në zhvillim që kohët e fundit vuanin krizën e likuiditeteve dhe të bilancit të pagesave.

Për shembull, Hungaria, Islanda, Pakistani, Ukraina dhe gjashtë vende të tjera negociuan paketat emergjente të financimit me FMN. Në përfundim u tha se FMN mund të jetë më elastike.

Historikisht FMN, me vendet huamarrëse, e ka kushtëzuar ndihmën e saj duke ua “shtrënguar rripat“; për shembull, me anë të zvogëlimit të defiçitit buxhetor të tyre. Kushtëzimi mbetet i domosdoshëm për periudha afatgjata, por pasojat e krizës së fundit financiare dhe ekonomike botërore, ende, është pothuajse jashtë binarëve FMN.

Për më tepër vendet me rezerva të mëdha të parasi si Kina dhe vendet prodhuese të naftës në Gjirin Persik duheshin bërë aksionarë shumë më të mëdhenj të FMN – së. Për shembull, do të ishte e llogjikëshme që këto vende të udhëhiqnin ndonjë mjet të ri më vete në dhënien hua të parave.

Së dyti, kuadri ligjor i G8 – tës po atrofizohej. Fuqia ekonomike dhe pasuria e Kinës e mandaton atë, tek minimumi, të përfshihet në grup, për arsye se është më përfaqësuese në kuadrin ligjor të G20.

Udhërrëfyesit e Bazelit II që rregullojnë kapitalizimin e bankave duheshin revizionuar sepse, në një shkallë të madhe, u vërtetuan se ishin jo në përputhje me kërkesat e kohës në mbrojtjen e bankave kundër krizave të bilancit që ranë mbi ato.

Pra, FMN – ja duhet të përfaqësojë më mirë qendrat e reja të rritjes ekonomike globale dhe, prandaj, duhej të alternoheshin rregullat e votimit të saj, si dhe drejtori menaxhimit të mos ishte më vetëm një emërim europian.

FMN – ja duhet të menaxhojë në mënyrë më aktive rezervat e parasë.

Kur u krijua FMN – ja në vitin 1944 kishte pak rrjedha private të kapitalit në botë; shtetet dominonin mbi transaksionet ndërkombëtare. Sot rrjedhat private luajnë një rol mbizotërues dhe zgjerimi i misionit të FMN – së do të ishte një mënyrë për t’iu përgjigjur realitetit të tanishëm dhe kjo nevojë është bërë urgjente.

Mendohet se duke stabilizuar veprimin me anë të FMN – së, ekonomia botërore do të përfitonte, po ashtu dhe zotëruesit e rezervave të parasë, të cilët, thjesht, në sajë të sufiçiteve të tyre të akumuluara, ndajnë një interes në stabilitetin ekonomik dhe financiar të botës.
Shumë kriza financiare të mëparshme janë zgjidhur vetëm me anë të veprimeve të lojtarëve të shumtë dhe të fuqishëm financiarë, nganjëherë edhe private (të tillë si J.P. Morgan në 1970) por më shpesh shtetet (të tillë si Qeveria e SHBA me New Deal në 1930 dhe Qeveria Suedeze në 1990).

Gjigandët financiarë mund të bëjnë më të mirën e tyre mbi stabilizimin dhe shërimin si dhe përmbysjen e momentit të tregut global.

Një përparësi tjetër e veprimit të FMN – së, do të ishte heqja e dyshimit në lidhje me mbajtjen e rezervave të aseteve (parave) ndën menaxhimin e një entiteti të kontrolluar në mënyrë ndërkombëtare në lidhje me përdorimin e aseteve (parave) nga qeveritë për qëllime strategjike politike.

Në prag të krizës financiare dhe ekonomike botërore, të tilla shqetësime, shkaktuan diskutime në; në fakt, përdorimi gjeopolitik i financës ishte një prej sëmundjeve që supozohej të shëronte Konferenca e Bretton Woods gjysmë shekulli më parë.

Vorbulla e kohëve të fundit vetëm sa e ka fryrë këtë frikë. Në Tetor (2008) Rusia papritur u hodh të ndihmonte Islandën (një lëvizje që u interpretua si një orvatje për të fituar një influencë më të madhe në Arktik, ndërsa Kina përpiqej të fitonte influencë në të gjithë botën nëpërmjet investimeve strategjike në vendet e varfëra.

Vendosja e gjëndjeve shumë të mëdha të aseteve (parave) ndën menaxhimin rutinë të FMN – së do të mund të mund të largonte sulmet spekullative dhe do të frenonte panikun e paarsyeshëm.

Me FMN – në, në një situatë për të ndërhyrë në mënyrë parandaluese, mundësisht te kërkesa e targeteve të spekullimit, spekullimi vetë do të bëhej më i kushtueshëm. Baza e rritur e aseteve të FMN – së do të bënte, gjithashtu, të mundur që financimi në rastin e krizës të bëhej pa diskutime të gjata dhe negociata zyrtare, që t’i përgjigjej shpejt dhe pa debate gjeopolitike mbi implikimet strategjike të financimit.

Në qoftë se nuk përhapej dyshimi në tregjet emergjente mbi motivet dhe standartet e FMN – së, zgjerimi i pushtetit të FMN – së do të kërkonte reformimin e qeverisjes së saj. Prandaj, rregullat e reja të votimit dhe emërimi janë hapa në drejtimin e duhur, por nuk mund të shkojnë mjaft larg.

SHBA – të kanë influencë më shumë se sa duhet. Qendrat e reja të pasurisë, të cilat kanë akumuluar kursime masive, pretendojnë se nuk përfaqësohen ashtu siç e meritojnë dhe, në qoftë se FMN – ja duhet të bëhet menaxheri i reserves, natyrisht, duhet të bëhet edhe reformimi i rregullave të votimit të organizatës.

Pretendohet, gjithashtu, se një mekanizëm i ri për kalkulimin e votave, sipas këtyre linjave, do t’i jepte një zë më të lartë ekonomive emergjente të tregut. Por, a do bënte kjo gjë FMN – në më përfaqësuese në kuadër të një balance reale të fuqisë ekonomike në botë, ashtu si dhe më legjitime?!

Ka kundërshtime për t‘i dhënë një rol të till aktiv FMN – së. Mënyra më e mirë për të adresuar shqetësimet e atyre që kundërshtojnë do të ishte vendosja e kritereve strikte për një performancë afatgjatë, që do përfshinte standarte të rregullta dhe të siguronte mbikqyrjen e tyre nga bordi i FMN – së.

A shërben ky trajtim për të kuptuar thelbin dhe rëndësinë e deklaratatave të Presidentit Trump në lidhje me organizatat ndërkombëtare, ku ndër to përfshihet dhe FMN – ja?!

Kasem Seferi – ekonomist

Share: