Home KRYESORE Durimi si kurrikulum i jetës!

Durimi si kurrikulum i jetës!

Nga Nikolin MIRIA

Jetojmë në një kohë me një ritëm të shpejtë, gjithçka e duam menjëherë e nuk jemi në gjendje të presim askënd e asgjë dhe nuk i japim kohë vetes dhe tjetrit, të mendojё apo të arsyetojё rreth çështjeve që e kanë tё domosdoshme marrjen e kohës. Mjaftohemi e kërkojmë përgjigje e veprime të shpejta, sepse nuk kemi durim. Gjithnjё e mё shumё fjala durim, dëgjohet e praktikohet rrallë, megjithatë pavarёsisht kёsaj, durimi mbetet i çmuar për një marrëdhënie e për një jetë më të mirë me veten dhe tjetrin.

Durimi është baza e suksesit në jetë. Kuptohet, nuk është aq i lehtë për t’u praktikuar e nuk ka qenë asnjëherë, por sot më shumë se kurrë, edhe pse bëhet më e vështirë, ёshtё njёkohёsisht i domosdoshёm. Klione një njeri i mençur i Greqisë thoshte: “tri gjëra janë të vështira; të mbash në heshtje një sekret, ta shfrytëzosh mirë kohёn dhe të durosh me qetësi, kundërshtimet dhe provat”. Tё trija këto gjёra, në kohën tonë duket se janë në rrezik më shumë se asnjëherë tjetër, duke qenё se sot shoqëria vuan të gjejë një njeri që di të mbajë një sekret, një njeri të besueshëm, një njeri që di ta shfrytëzojё kohën e ta shenjtërojë atë. Ajo çka vërehet dukshëm është se shoqëria sot has vështirësi të gjejё njerëz të durueshëm. Kjo gjё vjen si pasojё e mungesës së vullnetit të vetë njeriut për të formuar një personalitet të shëndoshë, pasi njeriu po zgjedh të shkojё me turmën e jo të merret me veten e të ndërtojё një personalitet të shëndoshё. Arsyetimi që bёhet është, se të gjithë bëjnë kështu, të gjithë janë kështu, duke shprehur nga ana tjetёr frikën pёr tё qenë ndryshe e sidomos kur bëhet fjalë për një ndryshim pozitiv.

Kur flasim për cilësinë e durimit, kërkohet të kemi parasysh se kemi të bëjmë me një nga elementet themelore të një personaliteti të shëndoshё. Në psikologji, një personalitet i shëndoshё, i pjekur dhe i formuar ёshtё ai që di të durojё, sepse të dish të durosh do të thotë të dish të presësh si veten ashtu dhe tjetrin. Jemi të prirur të bëjmë shumë gjёra në të njëjtёn kohë, por që mos t’i çojmë deri në fund e kështu jemi të paqëndrueshëm.

Gjithashtu cilësia e durimit qëndron në të qenurit gjithmonë në harmoni me vetveten, ose në organizimin moralisht dhe praktikisht të vetë ekzistencës tonë në mënyrë që çdo veprim, çdo fjalë çdo mendim të përputhet me qëllimin që kemi përcaktuar të arrijmë. Nё kёtё mёnyrё cilësia e durimit e ndihmon qëllimin për t’u bërë një person paqësor dhe i dashur, e jo një person që ka një shpirt luftarak e shkatërrues. Kёshtu, që të mos dominojё kjo e fundit kërkohet që ta edukojmë e ta praktikojmë këtë cilësi durimi për të arritur qetësinё e brendshme, karakteristikё kjo e fundit e personit tё formuar, paqësor e të dashur, duke qenё se është cilësi e zemrës dhe si e tillë, mund të dalë lehtësisht në pah duke e praktikuar me maturi.

Mjerisht, në ditët e sotme nga shumica e njerëzve mendohet apo vlerësohet se të jesh i durueshëm,do të thotë të jesh një person që nuk “di,”një person që nuk kupton, një person që nuk “ndjen”, një person që nuk “percepton”, një person që nuk “arsyeton”, një person “pasiv”, një person i “dobët”një person i “druajtur”… thjeshtë një person pa personalitet! Mirё po të jesh i durueshëm, në fakt do të thotë mё shumё sesa ajo çka perceptojnё njerëzit.

Të jesh i durueshëm ose të bëhesh i durueshëm, do të thotë ta hapësh zemrën në çdo moment të së tashmes, edhe pse nuk të pëlqen. Do të thotë të jesh i kënaqur me vlerat dhe të dish ta pranosh të tashmen.

Të jesh i durueshëm, duhet tё jesh nё gjendje tё largosh veten nga dëshpërimi dhe paniku, ta ndalosh gjuhёn nga ankimet dhe t’i ndalësh duart nga goditjet. Do të thotë të dish të marrësh vendime me urtësi dhe të kesh miq. Të jesh i durueshëm do të thotë të dish se nuk duhet të bëhen kërcënime por thjesht hapa, të jesh fleksibël dhe të jesh i fortë për të mos e parë veten si viktimë. Të jesh i durueshëm nuk do të thotë se nuk di, nuk ndjen, nuk percepton, nuk arsyeton, se je i dobët, pasiv apo nuk kupton, por do të thotë të jesh një person që arsyeton që di, që ndjen, që percepton, pra njё person i fortë, i urtë e i formuar. Edmund Bureke shprehet: “Durimi arrin më shumë se fuqia”.

Durimi është forca që di të mirё administrojё situatat e ndryshme pa humbur qetësinё. Një akt i një vullneti të fortë, që kontrollon mendimet, veprimet dhe emocionet e realizimit të qëllimeve.Njё cilësi mjaftë dobiprurëse për njeriun. Benjamin Franklin shkruan: “Kush ka durim mund të marrë atë që do”.Durimi, është të kesh një forcë të brendshme, brenda sё cilёs përfshihet dhe aftёsia për të parë motivet e sinqerta tek të tjerët. Por, që të shohësh motive të sinqerta tek të tjerët kërkohet të shikosh më në brendësi e jo thjesht e vetëm në sipërfaqe. Duke vepruar kështu bëhesh personi më i duruar, më paqësor më mirënjohës e më i ndjeshëm.

Share: