Home KRYESORE Ja përse politikanët shqiptarë nuk e duan Presidentin e Amerikës, Donald Trump.

Ja përse politikanët shqiptarë nuk e duan Presidentin e Amerikës, Donald Trump.

Nga Dr. Enriko Ceko

Politika shqiptare e 25 viteve të fundit është dominuar nga pasardhës të drejtpërdrejtë të Partisë së Punës, që shpërbënë partinë e tyre të madhe në dhjetra parti të vogla. Kjo u bë për të mundësuar mbijetesë sa më të sigurt dhe sa më të gjatë të institucioneve, strukturave dhe individëve të regjimit të kaluar.

Për të qenë vetë sa më të sigurt, politikanët shqiptarë të 25 viteve të fundit kanë mbjellë në Shqipëri vetëm pasiguri dhe kjo pasiguri shprehet dukshëm në të tëra fushat e jetës si në drejtësi, ekonomi, arsim, shëndetsi, kulturë, diplomaci, etj. Pasiguria është shtëpia reale e politikanëve të paaftë, e atyre që nuk dinë t’u japi drejtim punëve të shtetit dhe kombit dhe, padyshim edhe e atyre që nuk duan që Shqipëria dhe shqiptarët të përparojnë dhe të ecin së bashku me kombet e tjera të përparuara.

Në ndryshim me Shqipërinë dhe pseudopolitikanët shqiptarë, pothuajse të tërë ata që kanë drejtuar Shtetet e Bashkuara të Amerikës që nga krijimi i saj, kanë patur si synim reduktimin sa më shumë të pasigurisë. Edhe Presidenti aktual i SHBA-ve, Donald Trump, është një përfaqësues tipik i kësaj qasjeje politike, sepse duke reduktuar pasigurinë në të tëra aspektet, i lihet vend më shumë konkurrencës së hapur, lirive politike, ekonomike, sociale, etj.

Meqënëse Donald Trump vjen nga bota e biznesit, ai e di fare mirë se ç’farë do të thotë pasiguri dhe risk.

Pasiguria është një gjendje kur drejtuesit e subjekteve politike, ekonomike, shoqërore, etj, pra, ata që marrin vendime të ndryshme, nuk kanë pothuajse asnjë mundësi që në praktikë të llogarisin saktë mbi faktin nëse ndodh apo jo një dukuri, nëse do kthehen apo jo investimet, etj. Kjo kërkon marrje vendimesh të përafërta, përfytyrime dhe hamendësime, pra ka shumë pasaktësi dhe si rezultat agjentët ekonomikë (qeveria, bizneset, familjet dhe individët) e kanë të vështirë të orientohen në mjedisin e tyre të veprimit. Pasiguria si gjendje nuk na jep mundësinë që të llogarisim ndryshimet në të ardhmen të përfitimeve të ndryshme politike (fiton zgjedhjet apo jo), ekonomike (ndryshime të mundëshme të ecurisë së parave – cash flow), sociale (kalimi nga një shtresë sociale më e ulët në një më të lartë dhe anasjelltas), etj.
Ndërsa, risku është një gjendje përgjatë së cilës agjentët ekonomike (qeveria, bizneset, familjet dhe individët) mund të humbasin apo të fitojnë dhe si humbja ashtu dhe fitimi mund të llogariten me metoda të ndryshme.

Në situatat me risk nëse llogarisim mirë gamën e mundësive të ngjarjeve të ardhëshme që mund të ndodhin, aq më mirë llogarisim riskun dhe marrim vendime më të drejta. Risku ekziston dhe lidhet me faktin se drejtuesit që marrin vendime janë në gjendje të vlerësojnë me probabilitet të lartë nivelin e rezultateve të ndryshme që ata presin dhe që janë produkt i vendimeve të marra prej tyre. Të gjitha investimet në politikë, ekonomi, jetën sociale që bën individi janë gjykime që bëhen mbi bazën e raportit midis risqeve dhe përfitimeve.

Pra, pak a shumë, qytetarët nuk janë në gjendje të manaxhojnë situatat me pasiguri, ndërsa me përvojë dhe me njohuri ata kanë mundësi që të manaxhojnë riskun. Manaxhimi i riskut është procesi i përcaktimit të raportit përfitim-kosto për reduktimin e riskut dhe zgjedhja e teknikës apo teknikave për trajtimin e riskut dhe vlefshmëria e vendimit të manaxhimit të riskut duhet të gjykohet nën dritën e informacionit të disponuesëm në kohën e marrjes së vendimit.

Pikërisht kjo situatë, ku qytetarët janë në gjendje të manaxhojnë riskun dhe të marrin vendime të vlefshme, nuk ju pëlqen pseudopolitikanëve aktualë shqiptarë, sepse në të kundërt ata janë të mbaruar fare në aspektin e së ardhmes së tyre. Me pasigurinë që ekziston në të tëra qelizat e shoqërisë shqiptare politikanët aktualë kanë mundësinë që të dalin përpara popullit dhe të premtojnë se do bëjnë këtë e do bëjnë atë dhe në fakt nuk bëjnë asgjë, sepse pasiguria u duhet për mbijetesë, për të patur se ç’të thonë në zgjedhjet e rradhës, për të dalë brenda ditës në tre a katër stacione televizive njëherësh, për t’u mbushur mendjen qytetarëve se ata janë shpëtimi i kombit, vendit dhe shoqërisë, se janë ata që do në shpëtojnë nga e keqja dhe në fakt nuk bëjnë gjë tjetër veçse e shtojnë nga dita në ditë edhe më shumë pasigurinë që e kanë mbjellë vetë dhe që është përhapur aq shumë në tërë vendin saqë jeta politike, ekonomike dhe sociale në Shqipëri është paralizuar dhe ka degraduar në gjendje septike, që është gjendja ku vetëm një fije e hollë e ndan ekzistencën nga mosekzistenca.

Kjo shtë arsyeja se përse nuk zgjidhet çështja e pronave. Kjo është arsyeja e nepotizmit në administratën publike. Kjo është arsyeja e ekzistencë së monopoleve në Shqipëri. Kjo është arsyeja e krijimit të hapsirave pakufi për koncensionet në të tëra çështjet publike. Kjo është arsyeja e gjendjes së skandaloze në arsim, shëndetsi, bujqësi, pushtet vendor, tregti, agrobiznes, industri, diplomacy, kulturë, sport, etj.

Për politikanët shqiptarë, për të cilët politika është kthyer në biznes, situatat me risk janë të papranueshme, sepse në këto situata ata janë të mbaruar, sepse ata nuk dinë se ç’farë është konkirrenca e ndershme, ata janë mësuar të gjejnë shesh të bëjnë përshesh, ata e kanë për zemër pasigurinë, sepse vetëm nën një shtrat pasigurie ata e ndjejnë vehten të sigurt dhe e tërë kjo në kurriz të qytetarëve shqiptarë.

Kjo pra është arsyeja se përse Shqipëria është në gjendje pasigurie. Kjo është pra arsyeja kryesore që politikanë tanë nuk e duan aspak Amerikën edhe pse çirren e bërtasin për Shtetet e Bashkuara të Amerikës sa herë që u jepet rasti. Kjo është arsyeja kryesore se përse politikanët shqiptarë nuk kanë dashur asnjë nga presidentët e SHBA-ve dhe për më tepër presidentin aktual Donald Trump.

Trump vjen nga bota e biznesit e di fare mirë këtë. Ai e di se politika e mëparshme në vendin e tij anoi më shumë se sa duhej nga pasiguria dhe kjo është një nga arsyet kryesore se përse populli inteligjient amerikan votoi Donald Trump-in. Populli amerikan votoi kundër pasigurisë. Populli amerikan votoi sepse individët që përbëjnë qytetarinë amerikane janë të aftë të llogarisin dhe të ndërmarrin riskun mbi supe dhe të përmirësojnë edhe më tej cilësinë e jetës së tyre dhe të familjeve të tyre, por ata nuk e duan pasigurinë dhe e luftuan atë me votën e tyre.

Pikëpyetja e madhe që del përpara shqiptarëve është nëse ata duan pasigurinë apo riskun. Këtë do e tregojnë zgjedhjet e ardhëshme të qershorit 2017. Ftesa ime për shqiptarët është që të bojkotojnë partiçkat dhe pseudopolitikanët e shterruar dhe të hedhin shikimin drejt një të ardhmeje ku të ketë sa më pak pasiguri dhe ku sejcili prej nesh të ndërmarrë mbi supet e veta riskun për një jetë më të mirë dhe nëse ndodh kjo, atëhere kjo do jetë edhe dita e fundit për psedudopolitikanët aktualë shqiptarë dhe gjithashtu edhe dita më e madhe për kombin tonë dhe të ardhmen tonë të përbashkët.

Share: