Ministri i Drejtësisë, Ylli Manjani në një intervistë televizive tha se janë një tufë me ligje që janë propozuar prej tij, por “për një arsye dhe një tjetër nuk miratohen”
“Kam propozuar një ligj tjetër për mbrojtjen e investitorëve të mëdhenj dhe ai ligj do të kishte mbrojtur edhe biznesmenin libanez, edhe ai ligj nuk kalon. Kam propozuar një ligj për të përmirësuar titullin ekzekutiv, nuk ecën as ai. Kam propozuar që të hapim shkollën e magjistraturës për t’i paraprirë reformës në drejtësi. Ai ligj mbeti në sirtar dhe nuk u bë asnjëherë, aq sa u detyrua komisioni i reformës që të fusë disa shtesa në ligjin e vettingut për magjistraturën. Edhe rasti i legalizimeve, ngrita 2-3 çështje parimore dhe ju i kishit me shumë korrektesë ato. Nuk jam ende në pozitën që të dal në konkluzionin që qeveria ku unë bëj pjesë është një qeveri mosntruoze. Unë bëj detyrën me shumë korrektesë- tha ai.
Ministri tha gjithashtu se “kemi kryetarë bashkish që kanë shitur femra”.
Më poshtë, pjesë nga intervista në kanalin televiziv TCH:
Kur folët që duhej nxjerrë ushtria kundër hashashit, Ilir Meta ju mori në telefon dhe ju kritikoi?
Ylli Manjani: Meta më ka dhënë besimin që të jem në krye të drejtësisë shqiptare dhe porositë që të jemi korrekt me detyrën dhe ligjin. Kjo është një detyrë politike dhe nëse nuk i them sot këto unë…
Kush ua kërkoi mendimin kur thatë që na duhet ushtria për të luftuar hashashin?
Mendimi im është i njëjtë, duhet të shkulim hashashin nga toka dhe koka e shqiptarit.
Vërtet besoni që është kaq serioz?
Është shumë serioz dhe për të shkuar partizan në mal tek hashashi, çmimi luhatet nga 20 mijë deri në 40 mijë lekë. Pra njerëz që i shihnim rregullisht, këto kohë kanë preferuar të dalin partizanë e të bëjnë këtë punë të paligjshme. Fenomeni ekziston dhe ekziston në mënyra të frikshme. Shqipëria po jep një imazh gjithnjë e më shumë që po kultivon hashash.
Po kanabizohet?
Padyshim.
Atëherë çfarë ndodhi, sepse kje qeveri mbylli Lazaratin. Çfarë shkoi gabim? Në Qeveri nuk diskutohet fare hashashi?
Në praninë time nuk është diskutuar asnjëherë. Dje u fol për një strategji për të luftuar hashashin me urdhër të kryeministrit. Dje kemi diskutuar më shumë.
Mendoni që Qeveria po e merr me vonesë seriozisht këtë çështje?
Ka një konsensus të përgjithshëm që fenomeni është përhapur dhe kjo është pozitive.
Dmth e pranon edhe kryeministri këtë?
Ylli Manjani: Projektdokumenti niste më këto fjalë dhe u gëzova që të paktën e pranojmë fenomenin.
Ndani shqetësimin e opozitës se paratë e drogës mund të përdoren për blerjen e votës?
Sa më shpejt të heqim këtë fenomen nga kokat tona aq më mirë do të jetë, sa më vonë aq me keq do të jetë. Lëvizin shuma marramendëse parash, ku nuk do të jetë më askush i zoti që ta bëjë këtë luftë pastaj proporcionale. Ne duhet ta ndalim me çdo kusht, me ushtri, xhandarmëri e të tjera. Unë jam për rikthimin e xhandarmërisë për të kontrolluar territorin.
Po thoni që droga është fenomen kërcënues për sigurinë kombëtare?
Absolutisht që po! Situata, nëse ne nuk ndërhyjmë, siguria është shumë herë më e rrezikuar se gjithë fenomenet e tjera.
Megjithatë ju morët masa lehtësuese për përdoruresit dhe kultivuesit e vegjël, se kemi parë shpërndarës e kultivues të vegjël të dënuar ndërkohë që Klement Balili është i lirë, nuk mendoni se është padrejtësi.
Ka plot padrejtësi të tilla. Një kryetar bashkie që është në burg tek Krimet e Rënda, se i kërkoi një vajze diçka dhe kemi dhe kryetar bashkie që kanë shit femra dhe janë në detyrë.
Po thoni për Elvis Rroshin?
Unë bëra një përgjithësim, nuk merrem më çështje konkrete.
Si e keni përjetuar këtë debatin për dekriminalizimin a ka përgjegjësi PS?
Unë nuk mendoj që partitë tona kanë patur përgjegjësi për përzgjedhjen e këtyre elementeve në lista, sepse kriteri ligjor në atë moment, ishte dëshmia e penalitetit. Rrugës u bë një ligj, që e kërkoi shumë më tepër. Por është pozitive sepse ndihmon për të pastruar politikën nga kjo.
Si ka mundësi që ja hedhin peshqit e mëdhenj gjithmonë, si Klement Balili?
Edhe unë pyes sesi ka mundësi. Kam kërkuar që në 12 maj arrestimin e Klement Balilit.
Pse nuk u arrestua?
Unë nuk drejtoj Policinë e Shtetit. Është e vërtetë që ai ishte një zyrtar i propozuar nga ne dhe në atë kohë ne kemi bërë një distancim të qartë dhe të prerë.
Thonë që i janë bërë lehtësi atij për të mos e kapur?
Ka thashetheme dhe lajme.
Ju jeni akuzuar se keni udhëtuar me të në Dubai?
Do të më bëhej qejfi, por nuk kam qenë asnjëherë në Dubai.
Atëherë si doli gjithë kjo?
Ka njerëz që duan të bëjnë lajme dhe në kohën e fundit janë shtuar shumë.
Pse e vonuat përkthimin e dosjes?
Para se të vinte dosja e përkthimit, e njoha Balilin më 17 maj të vitit të shkuar kur Ardian Çipa na ka njoftuar se Klement Balili është vënë në kërkim ndërkombëtar dhe që në 17 maj ai duhej të ishte arrestuar dhe të vihej në dispozicion të prokurorisë shqiptare.
Ju kërkuat letra?
Ne kemi kërkuar letrat para se të dilte urdhërarresti. Më 12 maj unë kam kërkuar letrat dhe më 17 maj ka ardhur urdhërarresti.
Kishte prova?
Unë nuk e di këtë! Është dosje sekrete, e ardhur nga postë diplomatike nga Athina. Përkthimi i dosjes me 15 përkthyes nuk mori më shumë se disa ditë.
Dosja ju erdhi e përkthyer nga Greqia.
Jo! Ka qenë një dosje informale dhe ne nuk merremi me dosjen informale. Ne merremi me dosje të protokolluar.
Keni propozuar disa ndryshime në Kodin Penal ku bëhet fjalë për procese hetimore kur dikush akuzohet se derisa ky person nuk paraqet rrezikshmëri sociale, të gjykohet i lirë dhe kjo është interpretuar sikur po bëhen për klasën politike.
Ka një teori konspiracioni për këtë. Sot hyn në burg për “një dyshim të arsyeshëm” dhe ne fusim njerëz në burg njerëzit me këtë dyshim të arsyeshëm dhe sot kemi më shumë të paraburgosur sesa të burgosur. Fenomeni i dytë është kapja në flagrancë. Pyetja ka qenë, pse të arrestuarit në flagrancë nuk çohen për gjykim menjëherë? Nëse është arrestuar në flagrancë, vazhdo hetoje, por nuk është më në flagrancë. Ne po japim një përkufizim se ç’është dyshimi i arsyeshëm. Nuk e kemi shpikur, ne e kemi kopjuar dhe themi që dyshimi i arsyshëm është që prokurori duhet të japë të paktën një provë konkrete përpara gjyqtarit.
Pra nuk ka lidhet fare me zyrtarët që mund të hetohen për korrupsion që të shmangin publikun?
Jo nuk ka asnjë lidhje me këtë! Edhe të korruptuarit, nëse kapen me një provë, të shkojnë direkt në burg. Unë e kam thënë që thelbi i reformës në drejtësi janë procedurat.
LSI e ka pak fobi këtë reformën në drejtësë, ka një perceptim të tillë.
Nuk e di këtë perceptim.
Çfarë mendoni për reformën që është pothuajse drejt zbatimit?
Ishte një detyrë shumë e vështirë e jona dhe u mbyll me një proces politikës si asnjëherë tjetër më parë dhe kjo mbyll çdo diskutim dhe tani nuk ka rrugë tjetër, vetëm një, zbatimi i atyre që janë miratuar me konsensus pikë për pikë. Sot është një situatë kaotike në sistemin gjyqësor, sot askush nuk kontrollon askend sepse KLD, ministri i Drejtësisë dhe Këshilli i Prokurorisë nuk inspektojnë dot sepse janë ngritur me ligjet e vjetra. Na thuhet që të vazhdojmë me ligjet e vjetra deri në njëfarë pike, por ece e gjeje. Institucionet e reja duhet të ngrihen një orë e më parë.
Pra po thoni që pasojat e para të reformës në drejtësi janë negative?
Aktualisht, me ç’thonë qytetarët, sot ka njerëz shumë të pakënaqur nga sistemi gjyqësor. Unë nuk inspektoj dot më gjykatësit, nuk nis do procedim disiplinor sepse i takon Inspektorit të Përgjithsëhm që krijohet nga institucionet e reja.
Si zgjidhet kjo?
Kjo zgjidhet duke ngritur institucionet e reja.
Mendoni se ka nevojë për ndryshime të tjera kushtetuese?
Kushtetuta e 1998 ishte një Kushtetutë më e mirë se kjo që kemi të paktën teknikisht.
Kur kjo Kushtetutë është më e keqe se ajo që kishim, pse e votuat?
Sepse ishte një proces politik dhe kishte një mosbesim të thellë të klasës politike.
Edhe vetë brenda mazhorancës?
Ne kemi këmbëngulur për ndërhyrje të vogla në Kushtetutë dhe reforma të kalonte me ligje me 3/5. Megjithatë, 140 votat e Kuvendit, e kanë vulosur këtë Kushtetutë, megjithëse unë dhe të tjerë juristë të këtij vendi, jemi të shqetësuar për Kushtetutën e vendit tonë.
Mendoni që Kushtetuta e re, do të vendosë drejtësi?
Drejtësia në këtë vend vendoset vetëm nëse vullneti për të zbatuar atë që kemi rënë dakort, është i hekurt. Tani është momenti i zbatimit.
Ilir Meta në korrik, pak para se të miratohej reforma la të kuptohej se mund të largohej nga Qeveria nëse nuk gjehej konsensus. Dukej sikur LSI po kërkonte numrat për të formuar mazhorancë të re me PD, sa të vërtetë ka këtu?
Gjithë procesi i reformës në drejtësi procesi ishte shumë i vështirë, jo korrekt në kuptimin politik dhe profesional. Kur kam filluar si ministër as draftet nuk na jepnin. Ishte një proces me shumë pakuptueshmëri, na u shitën ekspertët sikur ishin qendra e botës.
Po thua që ishin alibi ekpertët?
Kam përshtypjen që po deri në një farë pike. Ajo që tha Ilir Meta ishte konkluzioni i një procesi shumë të gjatë politik me negociata të gjata. Problemi ishte që kishim një ndarje në thelb.
Si ka mundësi që komisioni të mos japë draftet aleatit?
E kanë bërë këtë, e kanë bërë dhe e kanë menderosur, por është mbyllur aty. Ka patur dy qëndrime brenda nesh, ata që ta bënim reformën me disa deputetë të pd, ndërsa ne nuk pranuam, kërkuam që reforma të kalonte me opozitën si institucion dhe kjo është arsyeja pse u pozicionuam drejt një vendimarrje konsensuale. Gabimi që kemi bërë me Kushtetutën e vitit 1998, ishte që e bëmë shumë të mirë, por pa konsensusin e opozitës dhe e masakruam atë ndër vite. Tani askush nuk ka gojë që të thotë jo unë s’jam dakort.
A kishte rënë Qeveria në atë deklaratë të Metës?
Nuk e përjashtoj. Nëse vërtet ndryshimet kushtetuese do të bëheshin me atë që e quajtën konsensus patriotik me depuetë që gdhihen majtas dhe ngrysen djathtas, mund të kishim edhe një qeveri tjetër.
Pati përpjekje për të krijuar mazhorancë të re?
Jo nuk kemi bërë asnjë përpjekje. Ne kemi besuar dhe besojmë edhe sot që zgjedhjet i ka fituar e majta e bashkuar. Zgjedhjet i kemi fituar me Ben Blushin, jo me Shpëtim Idrizin. Shpëtim Idrizi është deputet që ka dalë nga lista e PD.
Ishte kërcënim ai i Ilir Metës?
Ishte lëvizje politike brilante dhe pjesë e saj ishte se ishte një deklaratë shumë e sinqertë. E gjithë klima e përgatitjes së reformës ishte shoqëruar me një klimë mosbesimi.
Cila është më e mira për LSI, me PS, PD apo vetëm?
Atë do të vendosin forumet. Çështja është se shqiptarët thonë ndërroni sistemin. Sot populli shqiptar, me standardin politik ku jemi katandisur, populli nuk zgjedh asgjë, biles po përfundove në burg mund as të mos votosh sepse kemi një ligj dekriminalizimi.
Duket sikur keni një pezm ndaj komisionit të reformës?
Nuk kam asnjë pezm me komisionin. Unë nuk jam deputet se po të isha deputet do të flisja me gjuhë tjetër me ta. Demokracia ka nevojë për ndërhyrje të thella, në sistemin zgjedhor, median e lirë dhe me opozitën. Opozita duhet respektuar.
Kjo nuk po ndodh thoni ju?
Jo nuk po ndodh! Nuk ka faj opozita për problemet e vendit. I vetmi faj i opozitës është se është në opozitë.
Kështu si e thoni ju gjendja është kaq sterrë dikush thotë po ju çfarë po bëni në Qeveri?
Gjendja është reale. Kjo Qeveri është më e mirë se Qeveria që shkoi. Ka tregues të matshëm sasiorë dhe statistikorë shumë më të mirë se Qeveria e shkuar. Reforma themelore financiare e shtetit për uljen e borxhit ishte e domosdoshme. Mos presim bum sepse jemi në një moment të vështirë ekonomike rajonal dhe botëror dhe sot problemi i madh botëror është populizmi.
E ka këtë sindromë kryeministri Rama?
Ne e kemi diskutuar këtë dhe unë nuk mund të konceptoj që ministri duhet t’i marrë leje Endri Fugës për të dhënë një intervistë.
Pra ju sonte keni ardhur pa lejen e Endri Fugës?
Unë nuk i marr leje askujt, ashtu siç nuk marrin leje ministrat e tjerë apo kryeministri.
Kryeministri duhej të merrte leje kur foli për Trump?
Po të më kishte pyetur do t’i këshilloja që mos e bënte këtë deklaratë.
Opozita duket sikur nuk është shumë entuziaste me ardhjen e trump që thuhet se do të luftojë këtë “perandorinë sorrosiane”, që thuhet se mbështet qeverinë Ramën e të tjerë…
Në fakt, këto janë teori konspiracioni, por po të shohësh, ekspertët ishin ose të Fondacionit Sorros, ose të lidhur me Fondacionin Sorros.
Pra po thoni që Sorros ka ndërhyrë në reformën në drejtësi?
Jo, por dua të them që një pjesë e ekspertëve kanë qenë të fondacionit Sorros dhe disa ekspertë janë paguar nga Sorros. Këto lloj faktesh kanë ushqyer këtë teori konsipracioni.
Ju e besoni?
Tentoj ta besoj.
Flisni pak a shumë me gjuhën e opozitës, LSI edhe në propozimet me reformën është shumë më afër me ato që ka thënë opozita. Megjithatë, ka një ftesë nga kryeministri aktual që nga shtatori e këtej, ku la të kuptohej që ftesa është për LSI, por ju po luani. Do të vazhdojë koalicioni?
Nëse përputhen disa pamje me ato që thotë opozita nuk është blasfemi. Ne dallojmë me ata, por kemi disa përputhje. Ka shqetësime vendi dhe Qeveria duhet të jetë në punë dhe të fillosh me idenë se çfarë do të bëhet me qeverinë, kjo nuk është noramle. Çdo gjë në kohën e duhur.
Cila është arsyeja që nuk ktheni përgjigjje?
Arsyeja është kjo që të thashë! Logjika e LSI është që të respektojmë institucionet që kemi zgjedhur dhe që janë në punë ende. Është hedhur një barrë e padrejtë drejt LSI-së pse nuk përgjigjet për koalicion. Kujt t’i përgjigjemi ne?!
Ftesës që ju ka ardhur.
Çfarë ftese?! Ka një ftesë dasme dhe asgjë tjetër. Ka deklarata “i madhi dhe i vogli…” dhe informacione që kemi edhe PDIU-në. Ne duhet të ulemi të diskutojmë për idetë sepse kemi shumë pika të përbashkëta, por kemi edhe çështje të mprehta që na ndajnë.
Perceptohet sikur LSI lëviz mes dy partive deri në limite kohore dhe bën pazare me të dyja palët…
Marrëveshja e Shkodrës bashkoi të majtën dhe nuk ishte pazar.
Dmth ardhja e PDIU në koalicion a e rrezikon vazhdimin e koalicionit tuaj me PS?
Nëse pritet një përgjigje, kam merakun kush është pyetja. Deri më sot nuk ka një pyetje. Ne duhet të sqarojmë të konsolidojmë të majtën e bashkuar, apo të bëjmë një koalicion numrash. Ky ësthë mendimi im, jo i LSI-së.
Ju po thoni që ardhja e Idrizit është bërë pa konsultë me LSI?
Nuk e di këtë. Po ngre një çështje dhe po arsyetoj me faktet për t’u përgjigjur pyetjeve se çfarë do të bëjmë në të ardhmen dhe këtu më mungon se cila është ideja.
Zgjedhja e presidentit nga PS është se kryeministri është i bindur që të nisë procedurën më 18 prill, ndërsa ka edhe një skenar tjetër, që ky parlament zgjedh presidentin me një seancë të jashtëzakonshme në korrik, për cilin variant është LSI?
Presidentin do të zgjedhë ky parlament, do të betohet para këtij parlamenti, pra ky parlament do të mblidhet të paktën njëherë në seancë të jashtëzakonshme.
E shikoni Ilir Metën President?
Nuk e di, por mund të them që LSI, krahas zotit Meta mund të propozonte shumë emra dinjitozë për President.