Home KRYESORE Lapsi.al: Vendimi që Rama e mori në 30 dhjetor pa u mbledhur...

Lapsi.al: Vendimi që Rama e mori në 30 dhjetor pa u mbledhur fare qeveria?

Gjatë konferencës së sotme për shtyp, ministri i shkarkuar Ylli Manjani ka treguar edhe një skandal tjetër qeveritar, që vendimet merren edhe pa prezencën e gjithë ministrave. Ndonëse nuk përmendi emër, Manjani tha se një vendim pa u mbledhur fare qeveria është marrë më 30 dhjetor 2016, për shkarkimin e një funksionari që prekej nga dekriminalizimi.

Nëse kthehesh pas në kohë, më 30 dhjetor është marrë vendim për shkarkimin e Elvis Roshit. Dhe nëse i beson variantit të Manjanit, se një vendim i tillë është marrë pa u mbledhur qeveria, shtrohet pyetja nëse është apo jo ligjshëm ky vendim?

“E dini ju që më 30 Dhjetor Qeveria ka marrë një vendim pa u mbledhur? Verifikojeni sistemin TIMS se gjysma e ministrave janë jashtë shtetit dhe vendimi është marrë për të shkarkuar një të dekriminalizuar që duhej shkarkuar. Le të guxojë ta bëjë një veprim të tillë dhe të firmosë një letër një qytetar i thjeshtë, e harrojnë në burg për falsifikim dokumentesh. Kryeministri firmos vendime qeverie që nuk kanë ndodhur. Çfarë quhet kjo? Si mund të jetë dakord ministri i Drejtësisë me këtë çështje, cili ministër Drejtësie do të binte dakord me këtë histori? Ja këto janë gjërat, këto janë historitë, ky është profesionalizmi, këto janë debatet parimore, të cilat nuk duhen thënë. Unë nuk kam thënë asgjë nga ato që kanë ndodhur”, tha Manjani./lapsi.al

Share: