Home KRYESORE LSI sulmon Dakon: Miliona euro për sheshe, asgjë për të pastrehët!

LSI sulmon Dakon: Miliona euro për sheshe, asgjë për të pastrehët!

LSI e Durrësit ka reaguar pas vdekjes tragjike të Benit, të pastrehut që vdiq nga i ftohti. Endacaku Beni, njihej nga të gjithë në Durrës, sidomos në lagjen 17 të qytetit. Edlira Hyseni, këshilltare e LSI-­së në Këshillin Bashkiak të Durrësit, ka deklaruar se vdekja e një personi nga i ftohti në lulishte, është ngjarje që tregon se shërbimet publike dhe sociale të bashkisë së Durrësit nuk shkojnë te shtresat që kanë më shumë nevojë.

Ekonomistja e LSI-­së, e cila ka analizuar me detaje buxhetin e bashkisë për vitin 2017, deklaroi se të ardhurat nga taksat e qytetarëve janë parashikuar në masën 32 milionë Euro, shifër kjo, më e larta e 5 viteve të fundit. 40 % e buxhetit ose 68 milionë Euro, shkojnë për investime publike në tre sheshe publike, te “Veliera”, Mauzoleumi i Dëshmorëve dhe një shesh te Shkëmbi i Kavajës, çka do të thotë se zërat e tjerë paraqesin mangësi të mëdha, në mbulimin me shërbime dhe me investime.

“Ne mendojmë që një bashki si Durrësi me të tilla fonde në dispozicion, i ka mundësitë për të ndërtuar shtëpia apo streha për të pastrehët. Shtresat në nevojë preken nga fatkeqësitë natyrore, për t’i parandaluar duhet bërë më shumë, duke i planifikuar fondet në buxhetin e 2017-­s. Ne do të kërkojmë në mbledhjen e ardhshme çfarë ka menduar bashkia? 58 milionë Euro shkojnë për tre sheshe, dhe nuk u është gjetur asnjë zgjidhje ndaj të pastrehëve apo të braktisurve në rrugë”, u shpreh Hyseni.

LSI, në mbledhjen e fundit të 2016­s, ngriti kartonët e kuq ndaj buxhetit të bashkisë, me pretendimin se këshilltarët nuk ishin njohur me draftin, me shpërndarjen e fondeve dhe as nuk ishte diskutuar ky draft më herët me grupet e interesit, duke kërkuar kohë për analizimin e tij./Dritare.net

Share: