Nga Kasem Seferi
Tatimet dhe taksat në Shqipëri janë kombëtare dhe vendore. Në tatimet dhe taksat kombëtare përfshihen: tatimi mbi vlerën e shtuar (TVSH); tatimi mbi të ardhurat; akciza; tatimi mbi lojërat e fatit, kazinotë dhe hipodromet; taksat kombëtare; tatime të tjera, të cilat janë përcaktuar të tilla me ligj të veçantë.
Tatimet dhe taksat vendore përcaktohen në ligjin për sistemin e taksave vendore. Kontributet e sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore përcaktohen në ligjin për sigurimet shoqërore dhe shëndetësore.
Përqindja e barrës tatimore është një tipar i rëndësishëm i çdo sistemi tatimore. Termat (emërtimet) progresiv, regresiv dhe përpjestimor përdoren për të përshkruar mënyrën se si bën progres përqindja nga e ulëta në më të lartën dhe nga më e larta në të ultën, si dhe në mënyrë përpjestimore.
Tatimi progresiv është një tatim që vendos përqindje efektive të tatimit që ajo të rritet ashtu sikundër rritet shuma në të cilën zbatohet përqindja. E kundërta e një tatimi progresiv është tatimi regresiv, ku përqindja efektive tatimore zvogëlohet ashtu sikundër rritet shuma mbi të cilën zbatohet përqindja.
Ndërmjet këtyre dy tatimeve është tatimi përpjestimor, ku përqindja efektive tatimore fiksohet, ndërkohë që rritet shuma mbi të cilën zbatohet kjo përqindj.
Të tatuarit regresiv ku përqindja tatimore zvogëlohet kur të ardhurat e tatueshme rriten dhe efekti negativ i të tatuarit regresiv godet më fort grupet me të ardhurat më të vogla me anë të tatimeve indirekte, se sa grupet me të ardhura më të mëdha.
Për shembull, kur personat me të ardhura më të vogla blejnë duhan, karburant ose ndonjë produkt tjetër që i nënshtrohet të tatuarit me akcizë, ata paguajnë të njëjtin çmim si personat me të ardhura më të mëdha.
Në mënyrë domethënëse, të varfërit dhe klasa e mesme, kanë përparësi më të pakta, për arsye se përqindjet tatimore për ata, kundrejt të ardhurave që fitojnë, janë më të mëdha, gjë që tregon se të tatuarit regresiv mund të jetë më i dhimbshëm për personat me të ardhura më të ulta dhe ka efekte të ulta të rishpërndarjes së pasurisë.
Tatimet e të ardhurave dhe të pasurisë, në një formë ose tjetër, ndjekin gjurmët deri 6 000 vjet më parë, por përgjatë kësaj historie, ekziston mosmarrëveshja mbi atë se si duhet të shpërndahet barra tatimore.
A duhet të pasurit të paguajnë më shumë tatime për të ardhurat e tyre, apo duhet që secili qytetar të kontribuojë në mënyrë të barabartë?
Në mbarë botën, në të gjithë vendet, në mënyrë dërrmuese, qeveritë kanë zgjedhur kontributin e barabartë në raport me të ardhurat. Zakonisht, përqindjet e tatimit mbi të ardhurat strukturohen në formë “progresive”; pra, sa më shumë që një person fiton me punë, më e lartë lartë do të jetë përqindja tatimit mbi të ardhurat që ai paguan.
John Hills, profesor i politikës sociale dhe ekspert tatimor në London School of Economics ka argumentuar shpesh se të tatuarit progresiv bëhet një rast moral: “Qartësisht, ata që interesohen më shumë në zvogëlimin e boshllëkut ndërmjet të pasurve dhe të varfërve priren të argumentojnë në favor të një sistemi progresiv, me qëllim që ata me “shpatulla më të gjëra të mbajnë peshën më të madhe.”.
Hills, gjithashtu, thotë se ka arsye praktike për të tatuarit progresiv, për arsye se, nga natyra e tyre, sistemet e ekonomisë së tregut, gjenerojnë pabarazi me anë të dhurimit të më të shkëlqyerve ose punëtorëve më të mirë.
Këto janë pabarazi përçarëse, për arsye se të çojnë në tensione sociale dhe krim dhe, sipas Hills, të tatuarit progresiv mund t’i zvogëlojë këto pabarazi.
Megjithëatë, Hills argumenton: “Efekti i parë është se njerëzit mund të thonë “Përse të shqetësohem duke punuar më shumë? Përse duhet ta drejtoj unë biznesin tim? Përse duhet të shkoj dhe të bëj orë pune shtesë?
Natyrisht, një gjë e tillë mund ta dëmtonte ekonominë, prandaj analiza e sistemit tatimor të një vendi duhet të shikojë përtej tatimit mbi të ardhurat dhe duhet të përfshijë forma të tjera të të tatuarit, të tilla si pagesat e detyrueshme të sigurimeve shoqërore dhe shëndetsore, tatimi mbi vlerën e shtuar, akciza.
Nga natyra, këto lloje tatimesh janë “regresive” në atë që ato marrin një përqindje më të madhe të të ardhurave të personave të varfër se sa atij të një personi të pasur.
Ndërsa mënyra neutrale e të tatuarit konceptohet si e tillë që të mos ta zhvendosë operimin e tregut nga linjat në të cilat ai do të zhvillohej në mungesë të ndonjë lloj të tatuari.
Megjithëatë, literatura e gjërë mbi problemet e të tatuarit si dhe politikat e qeverive kurrë nuk i kanë kushtuar mendimin e duhur problemit të tatimit neutral.
Tatimi për kokë që i taton të gjithë qytetarët në mënyrë uniforme dhe të barabartë pa pasur ndonjë lidhje me madhësinë e pasurisë dhe të ardhurave të tyre, bie më rëndë mbi ato me mjete më të moderuara se sa mbi ato me mjete të bollshme.
Kjo kufizon prodhimin e artikujve të konsumuar nga masat më fort se sa atë të artikujve kryesisht të konsumuar nga qytetarët më të pasur. Në anën tjetër, priret të shkurtojë kursimet dhe akumulimin e kapitalit më pak se sa bën një barrë më e madhe e të tatuarit për qytetarët më të pasur.
Ideja e tatimit të sheshtë i ka dhënë shtysën një debati të vazhdueshëm si në fushën akademike dhe në atë politike dhe, për më shumë, ky debat është bërë gjithnjë e më shumë popullor, veçanërisht në vendet në tranzicion.
Reformat e mëparshme të tatimeve të sheshta dhe propozimet tipike ulin përqindjet e tatimit margjinal në nivelet e larta të të ardhurave por, rrisin barrën për hapsirën e të ardhurave të mesme, gjë që rezulton në zgjerimin e shpërndarjes së të ardhurave pas tatimit.
I parë në kuadër të analizës së mësipërme, sistemi tatimor i Republikës së Shqipërisë, me dy tatime indirekte (Tatimin mbi Vlerën e Shtuar dhe Akcizën që, së fundi, administrohet nga administrata doganore) dhe me tatimet direkte mbi të ardhurat nuk ka karakter të theksuar regresiv, për arsye se natyra regresive e tatimeve indirekte mendohet se balancohet me natyrën progresive të tatimit mbi të ardhurat personale.
Shumë studime në lidhje me karakterin regresiv, progresiv, ose përpjestimor të çdo sistemi tatimor, janë prirur më shumë t’i shërbejnë debatit ndërmjet rrymave të ndryshme për mënyrën e të tatuarit të pasurisë dhe/ose të ardhurave.
Thënë ndryshe, më saktë se sa përpjekjet për të gjetur metoda efektive dhe efiçente për të matur dhe krahasuar karakterin regresiv ose progresiv të sistemit tatimor.
Në këtë kontekst, konsideratat në lidhje me karakterin regresiv, progresiv, ose përpjestimor të sistemit tatimor në Republikën e Shqipërisë në dekadat 1992 – 2017, mund të jepen me anë të opinionit se si vepron një tatim indirekt dhe një direkt në shoqëri.
Pra, kë pasuron dhe kë varfëron?!
Kasem Seferi – ekonomist