Ndër akuzat e shumta që ministri i shkarkuar Ylli Manjani bëri sot ndaj qeverisë dhe kryeministrit Rama, ishin edhe ato për lidhjet e disa ministrave me të kërkuarin për trafik ndërkombëtar të drogës, Klemend Balili. Manjani tha se disa ministra flinin me dashnoret te resorti “Santa Quaranta” i Kelmend Balilit. Ndonëse nuk përmendi emra ministrash, ai tha se gjithçka është e regjistruar shumë mirë nga shërbimet partnere të Shqipërisë.
“Nuk është e rastësishme që është tentuar të asociohet me emrin tim, dosja e Klement Balilit! Dhe ndërkohë që në Tiranë bëhej thashethemi i asocimit të emrit tim me Klement Balilin, në Santa Quaranta, ministrat e Edi Ramës flinin me dashnoret! Kjo është e vërteta! Flinin aty! Dhe unë nuk i di se jam i mençur, por këto i dinë shumë mirë dhe janë të regjistruara nga shërbimet partnere. Dhe ju lutem mos m’i kërkoni, se unë nuk i di, nuk i disponoj ato, por jam informuar për këtë gjë. Dhe kam marrë përgëzime po ju them për denoncimin me shumë kurajo të asaj çështjeje! Të çështjes së kanabisit! Kam marrë përgëzime! Pse u bë tani? Për të shmangur vëmendjen, sigurisht!”, u shpreh Manjani.
Kelmend Balili ka pasur mbrojtje të lartë politike përderisa shëtiste i lirë brenda vendit, ndonëse ishte shpallur në kërkim. Lapsi.al ka publikuar ekskluzivisht foto të Balilit teksa festonte në dasëm në resortin e tij./LAPSI.AL/