Sot doli nga shtypi dhe u hodh në treg libri i ri i autorit Ndriçim Kulla “Marrëdhëniet Shqiptaro-Amerikane”. Marëdhëniet Shqiptaro – Amerikane janë të veçanta, janë siç thuhet për marrëdhëniet amerikano-britanike, special relationship.
Themelet e marrëdhënieve shqiptaro-amerikane kanë nisur të ndërtohen që para krijimit të shtetit shqiptar, madje që para se SHBA të niste të merrej aktivisht me çështjet evropiane.
Ato nisën si marëdhënie njerëzore dhe u shndërruan në mardhënie shtetëtore, por shqiptarët, megjithëse janë proamerikanë të bindur, në pjesën më të madhe të tyre nuk i njohin veçse në vija të përgjithshme të mirat e mëdha që Amerika na ka bërë ne, dhe për të cilat i detyrohemi këtij vendi të madh.
Deri më sot nuk ka një libër që t’i përmbajë ato. Me këtë libër dua t’u bëj të mundur bashkëkombasve të mij që t’i fitojnë këto njohuri. Por ky nuk është qëllimi kryesor i këtij libri, dhe nëse evidentohen këto fakte kjo vjen thjesht nga ecuria e studimit të marrëdhënieve shqiptaro-amerikane. Si studiues i mendimit shqiptar do të isha i lumtur që ky libër të hapte shtegun për të tjerë si ai, nga studiues të tjerë.
Shumë janë të shqetësuar se mos nga rezultati për shumëkënd i papritur i këtyre zgjedhjeve, fitorja e Trumpit, do të ketë përmbysje të padëshiruara në politikën amerikane në botë, si dhe në marrëdhëniet amerikano-shqiptare.
Ky është debati i ditës në botë. Ndonëse, unë në këtë libër e kam të kufizuar sferën e marrëdhëniet shqiptaro-amerikane, jam i detyruar që me këtë rast të shprehem për këtë temë. Bindja ime është se SHBA ka ndërtuar themele të forta institucionale për politikën e saj, kështu që asnjë individ nuk mund t’i lëkundë ato, qoftë edhe nëse zgjidhet president.
Megjithatë unë besoj se ndonëse z. Trump duhet të na provojë me vepra nëse do të hyjë në listën e presidentëve të mëdhenj amerikane, ai nuk është aspak një politikan joserioz, nga i cili bota do të shohë të papritura aq të pakëndshme, sa duan të thonë kundërshtarët e tij. E njëjta gjë vlen edhe për marrëdhëniet amerikano-shqiptare.