Presidenti i Serbisë, Tomisllav Nikoliç, ka qartësuar se Serbia do të insistojë në paqe, e cila sipas tij është arritur falë marrëveshjeve në Bruksel dhe mund të ruhet vetëm nëse të dy palët e respektojnë.
“Shqiptarëve do t’u themi haptazi se respektimi i marrëveshjeve është kusht për paqen, ndërsa përfaqësuesit e BE-së kanë për obligim të parandalojnë, e nëse kjo nuk është e mundshme, të ndalojnë çdo veprim i cili përkeqëson direkt paqen dhe sigurinë e të gjithë banorëve në Kosovë e Metohi”, ka thënë Nikoliç duke komentuar deklaratën e sotme të Kryeministrit serb Vuçiç se në bisedimet me Kosovën në Bruksel, Serbinë do ta përfaqësojë edhe Presidenti i vendit.
Nikoliç ka thënë më tej se Serbia dëshiron ta vazhdojë dialogun dhe nuk do ta ndërpresë ajo e para.
“Dëshirojmë paqe dhe ne nuk do ta prishim të parët”, ka përfunduar Presidenti serb.
Kujtojmë se pas ndalimit të trenit serb për të hyrë në Kosovë, ishte Presidenti serb, Nikoliç, ai që kërcënoi me dërgim të ushtrisë në Kosovë.
“Derisa të jem në këtë funksion do të përpiqem që të mos luftoj me askënd. Nëse kjo do të jetë e pamundur, do të përpiqem si komandant suprem, të marr përgjegjësinë për vendimet e mia”, deklaroi ditë më parë Nikoliç duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve pas mbledhjes së Këshillit për Sigurinë Kombëtare.
I pyetur nëse është i gatshëm ta dërgojë ushtrinë në Kosovë, Nikoliç e pohoi: “Po që se i vrasin serbët, të gjithë do të shkojmë atje, e jo vetëm ushtria. Unë do të shkoj i pari, dhe kjo nuk do të ishte hera e parë”./lapsi.al