Home KRYESORE Rama – kryesisë së PS-së: I bëjmë 71 deputetë edhe pa LSI

Rama – kryesisë së PS-së: I bëjmë 71 deputetë edhe pa LSI

Në kulmin e debateve dhe përplasjeve me LSI-në, kryeministri Edi Rama mblodhi mbrëmjen e së martës kryesinë e Partisë Socialiste. Mbledhja u zhvillua me dyer të mbyllura, por mësohet se Rama është shfaqur i qetë dhe i sigurtë përpara organit më të lartë të partisë. Në fokus të fjalës së tij ishte fati i koalicionit dhe marrëdhëniet me LSI-në.

“LSI po luan taktikisht dhe është në të drejtën e saj ta bëjë këtë, por pozicioni ynë nuk ndryshon dhe ne nuk e kthejmë në një çështje taktike këtë partneritet strategjik” – ka thënë Rama i cili ka zbuluar se partia e Ilir Metës po studion edhe mënyrën për të dalë e vetme në zgjedhjet e 18 qershorit.

“Natyrisht LSI mund të vendosë të dalë vetëm, por kjo s’është arsye për t’u shpërqendruar nga objektivi ynë. Mos harroni: Me votat e 2013-ës dhe ndarjen aktuale të mandateve, ne si PS marrim 69 deputetë po të jemi në koalicion me LSI, PDIU, FRD e me radhë dhe 71 deputetë nëse LSI del veç, sepse e tillë është formula! Por padyshim ka një dallim dhe prandaj llogarinë s’mund ta bëjmë vetëm me mandatet e PS!”- mësohet të ketë thënë Rama para kryesisë së PS-së.

“Ndryshimi është që koalicioni me LSI krijon një maxhorancë solide reformash, jo thjesht një maxhorancë për punët e përditshme… Prandaj LSI është partner strategjik për ne” – e ka mbyllur Rama.

Gjatë paradites kryetari i LSI-së Ilir Meta tha se nuk është një shtojcë në koalicion dhe nëse Rama i ka 71 vota shkon në opozitë. /lapsi.al/

Share: