Home KRYESORE “SUDDEUTSCHE ZEITUNG” – Ç’pritet nga java e parë e punës së Trampit?

“SUDDEUTSCHE ZEITUNG” – Ç’pritet nga java e parë e punës së Trampit?

Dita e diel për presidentin amerikan Donald Tramp ishte relativisht e qetë. Vetëm zëdhënësi Sin Spajser foli për “fakte alternative”, lidhur me “gënjeshtrat” e disa mediave lidhur me ceremoninë.

Vetë Trampi i telefonoi kryeministrit izraelit Benjamin Netanjahu dhe e ftoi në Uashington. Pastaj falënderoi stafin e Shtëpisë së Bardhë për angazhimin në ditën e përurimit. Po ashtu edhe në Twitter u tregua i rezervuar.

Duket se të gjithë presin lajmin e keq të së hënës: një shoqëri e specializuar në çështje financiare dhe etike nga Uashingtoni do të ngrejë një padi kundër presidentit amerikan.

Duke lejuar kompaninë e tij të pranojë pará nga qeveritë e huaja, ai ka shkelur kushtetutën amerikane, informoi grupi Qytetarët për Përgjegjësi dhe Etikë.

• Disa dekrete presidenciale janë në pritje. “Të hënën do të fillojmë me marrëveshje të mëdha për vendin”, njoftoi Trampi në Fox News. Pasdite sipas orës sonë ai do të nënshkruajë disa dekrete presidenciale, veçanërisht për të pezulluar dekretet e paraardhësit të tij Barak Obama. Ndoshta do të shfuqizojë disa rregullore mjedisore. Sipas këshilltarëve të tij, Trampi do të nënshkruajë dekrete të reja pothuajse çdo ditë.

• Mysafiri i parë shtetëror në Shtëpinë e Bardhë. Kryeministrja britanike, Tereza Mei do të jetë e ftuara e parë që do të presë Trampi të premten. Presidenti e ka mbështetur daljen e Britanisë nga BE-ja duke thënë: Britania kërkoi identitetin e vet. Në takim, pritet që presidenti të japë shpjegime lidhur me marrëveshjen e shpejtë dypalëshe të tregtisë së lirë dhe lidhur me deklaratën se NATO-ja është e vjetruar.

• Konferenca e parë e vërtetë në media. Në paraqitjen e tij të parë si zëdhënës, Sin Spajser të shtunën akuzoi mediat se kanë gënjyer me vetëdije në lidhje me pjesëmarrjen në përurimin e presidentit. Tani gazetarët po presin mundësinë që t’i bëjnë pyetje.

• Votimi i ministrave të tjerë. Deri më sot, vetëm dy sekretarë të Trampit janë konfirmuar, ai i Mbrojtjes dhe i Sigurisë Kombëtare. Të hënën Senati miraton shefin e ri të CIA-s, sekretarin e shtetit, të transportit dhe të drejtësisë. Më te për debate të gjata do të marrin miratimet e sekretarit të shëndetësisë, financave dhe arsimit.

Share: