Home KRYESORE Trump: NATO, e vjetëruar; Irritohen diplomatët europianë, e përshëndet Rusia

Trump: NATO, e vjetëruar; Irritohen diplomatët europianë, e përshëndet Rusia

Në komentet e fundit që pritet të shkaktojnë tensione të reja me aleatët më të afërt europianë të Shteteve të Bashkuara, presidenti i zgjedhur amerikan Donald Trump e përshkroi NATO-n si një aleancë “e vjetëruar” dhe shtoi se kombe të tjera europiane me gjasë do të ndjekin shembullin e Britanisë për t’u larguar nga Bashkimi Europian.

Kjo nuk është hera e parë që Trump bën të tilla komente për aleancën atlantiko-veriore, por fakti që ai i bëri gjatë një interviste të përbashkët për dy medie europiane si “The Times” të Londrës dhe gjermanes “Bild”, dhe vetëm pak ditë para se të marrë zyrtarisht çelësat e Shtëpisë së Bardhë alarmoi diplomatët europianë.

“U përballa me shumë kritika kur thashë se NATO ishte e vjetëruar, – është shprehur Trump. – Është e vjetëruar sepse nuk ka një strategji të qartë antiterror. Mora kritika të ashpra për dy ditë, ndërkohë që më pas ata nisën të thoshin se ‘Trump kishte të drejtë’”. Presidenti i zgjedhur tha se NATO ishte shumë e rëndësishme për të, por theksoi se vetëm 5 vende “paguajnë atë që duhet të paguajnë”. “Janë vetëm 5, jo më shumë sesa kaq”, tha ai.

I menjëhershëm ka qenë edhe reagimi i Rusisë, që është shprehur në të njëjtën linjë me komentet e Trumpit për “vjetërsinë” e aleancës ushtarake NATO.

Trump u shpreh më tej se vendimi i Britanisë për të dalë nga BE-ja do të rezultojë të jetë “një gjë e rëndësishme” dhe parashikoi se të tjera vende do ta ndiqnin mbretërinë ishullore. “Njerëzit dhe vendet duan të kenë identitetin e tyre, për këtë arsye edhe Britania e Madhe vendosi të ketë identitetin e saj vetjak”, tha ai.

Sa i përket Rusisë, Trump tha se shpresonte që të arrinte një marrëveshje me presidentin Vladimir Putin për të reduktuar stoqet e armëve bërthamore. Një gjë e tillë, sipas tij, do të ishte pjesë e bisedimeve të gjera për të ulur tensionet, përfshi këtu edhe heqjen e sanksioneve ekonomike të vendosura pasi Rusia aneksoi Krimenë nga Ukraina në vitin 2014.

“Kemi vendosur sanksione ndaj Rusisë, por le të shohim nëse mund të arrijmë marrëveshje edhe më të mira me Rusinë, – tha Trump. – Për një gjë jam i sigurtë, mendoj se armët bërthamore duhet të reduktohen ndjeshëm, e kjo gjë do të jetë pjesë e diskutimeve. Rusia është dëmtuar rëndë nga sanksionet e tanishme, por besoj se diçka e mirë mund të ndodhë dhe shumë njerëz të përfitojnë”.

Trump ishte gjithashtu kritik edhe për ndërhyrjen ushtarake të Rusisë në Siri, përfshi sulmet ajrore në Aleppo, që sipas zyrtarëve amerikanë kanë goditur spitale dhe kanë vrarë civilë, duke çuar në një “situatë të tmerrshme humanitare”./ Top Channel

Share: