Ashtu si 5 vjet më parë, kur prokurori Xhevat Hana ndërroi jetë në spital, edhe sot familjarët hedhin dyshime për rrethanat e vdekjes së tij. Ndonëse zyrtarisht, më 5 janar 2012, u raportua se Hana ndërroi jetë si pasojë e një sëmundje të pashërueshme, të afërmit ngritën menjëherë dyshimin se vdekja e tij mund të kishte ndodhur si pasojë e një helmimi të mundshëm.
Në përvjetorin e pestë të ndarjes së tij nga jeta, familjarët e Xhevat Hanës kërkojnë nga shteti shqiptar që të zbardhet e vërteta e vdekjes. Në një mesazh të shpërndarë për disa media ditën e përvjetorit të vdekjes, të afërmit e Hanës shprehen se atij ia morën jetën për drejtësinë. Por më e rezervuar është vajza e prokurorit, Albana Hana, e cila nëpërmjet një postimi në profilin e saj në “Facebook”, veç falënderimeve për ata që e kujtuan të atin zgjedh të mos aludojë rreth vdekjes apo largimit të tij të tij nga jeta.
Ndërsa shprehet e hapur për të gjithë ata që duan të diskutojmë me familjen e saj, madje edhe për raportet mjekësore. Ndërsa duke folur për karrierën e tij të ndershme e të suksesshme, e bija e Xhevat Hanës shprehet se ai sot mund të ishte bërë edhe drejtor i Byrosë së Hetimit. E megjithatë sërish e ka me dyshim, pasi sipas saj, edhe pse ai e meritonte më shumë se kushdo, këto standarde mund të mos i duam ende.
VAJZA E HANËS
Albana Hana, vajza e Xhevat Hanës, prokurorit që ndërroi jetë 5 vjet më parë, ka bërë një postim në profilin e saj në “Facebook”, në përvjetorin e vdekjes së të atij.
“I falënderoj në emrin tim dhe të familjes time të gjithë ata që e kujtuan Xhevatin në këtë ditë, veçanërisht ata të cilëve nuk u erdhi në ndihmë ndonjë postim në rrjetet sociale, sepse mua nuk më pëlqen shumë t’i bëj publike ndjesitë e mia, edhe pse këtë nuk e evitoj dot gjithmonë. Faleminderit kush e kujton me zemër, edhe pse ata qe janë afër nesh që nga data 5 janar 2012 janë gjithmonë e më të pakët, sa gishtat e njërës dorë ndoshta. Lexoj komentet e njerëzve nëpër gazeta dhe mbushem me dhimbje, për atë që ai nuk mund të jetë dhe nuk do të jetë.
Ndoshta ai mund të ishte bërë shumëkush, drejtori i Byrosë së Hetimit etj. E meritonte më shumë se shumëkush. Ndoshta jo. Ndoshta akoma nuk i duam këto standarde, nuk jemi gati t’i mirëpresim. Çdokush është i lirë të shprehet, kudo. Nuk dua të bëj asnjë aludim për asgjë; gjithsecili le të mbajë bindjen e tij për sëmundjen apo largimin e tij nga kjo jetë; as dua të luftoj mentalitete të ndryshme. Kush të dojë është i mirëseardhur të diskutojë me mua apo familjarët e mi, edhe raportet mjekësore. Por unë doja t’u bëja thirrje gazetarëve që të jenë më profesionistë në trajtimin e çështjes, më të distancuar nga kërkesat emotive dhe me patos; të jenë më të ndjeshëm ndaj dhimbjes, sepse fjala vret dhe krijon lloje të ndryshme realitetesh.
I falënderoj vërtet shumë që e nxjerrin si lajm të parë dhe kujtojnë profesionalizmin dhe standardin që ai u mundua të vendosë pa pasur asnjëherë si synim të parë suksesin apo paranë, sepse kështu ndoshta nuk harrohet aq shpejt. Por le të sjellin ndonjë gjë të re apo të trajtojnë të vjetrën me risi dhe delikatesë, me profesionalizëm. I falënderoj edhe një herë ata që e kanë në zemër. Ju garantoj që vendi në zemrën tuaj është i shpërblyer”. Ky është statusi i plotë në “Facebook” i vajzës së Xhevat Hanës.
FAMILJARËT
Ndonëse vajza tregohet e rezervuar, vëllai dhe familjarë të tjerë të Xhevat Hanës e thonë qartë që atij ia morën jetën. “Si sot 5 vjet më parë ndërroi jetë vëllai jonë i shtrenjtë, Xhevat Hana. Njeriu që gjithë jetën e vet ia përkushtoi drejtësisë dhe po për drejtësinë i morën jetën. Trupi jot u prehtë në paqe dhe shpresojmë një ditë drejtësia të vihet në vend. Me mall, familja”, thuhet në një dedikim që familjarët ia dërguan gazetën “Panorama”.
Cilat ishin dosjet “e nxehta” që hetoi prokurori Xhevat Hana
Prokurori Xhevat Hana, i cili humbi jetën pesë vjet më parë, iku nga kjo botë në një kohë kur kishte në hetim dhe në gjykim dosje me të vërtetë “të nxehta”. Ai ishte i vetmi prokuror në vend që pati kurajën që të ngrinte akuza penale për të dyshuarit dhe të dërgonte në gjykatë dosjen penale për rrëmbimin dhe zhdukjen e Remzi Hoxhës. Kjo dosje kishte mbetur “pa autor” për shumë vite dhe ishte arkivuar e pluhurosur në sirtarët e drejtësisë shqiptare, derisa hetimet u rihapën.
Kalimi i procedimit penal në fjalë në duart e Xhevat Hanës solli edhe dërgimin e dosjes në gjykatë me disa të akuzuar. Dosja e Remzi Hoxhës mund të ishte një nga rastet misterioze e të pazgjidhura në dekada, së cilës prokurori Xhevat Hana i dha zgjidhje, por ajo nuk ishte dosja e vetme “e nxehtë”. Prokurori Hana njihej edhe si përfaqësuesi i akuzës për një sërë dosjesh ndan anëtarëve të bandave famëkeqe të Vlorës në lidhje me krimet e vitit 1997.
Në karrierën e tij njohu edhe shkarkimin, por me vendim gjykate Xhevat Hana fitoi dhe u kthye sërish në detyrë. Më pas prokurori i ndjerë hetoi për disa muaj edhe dosjen e famshme të “Rrugës së Kombit”, më konkretisht abuzimet e dyshuara financiare me tenderin e rrugës Durrës-Kukës.
Presionet dhe kërcënimet ndaj prokurorit Hana
Xhevat Hana nuk shprehej kurrë, madje dukej sikur i injoronte presionet apo kërcënimet që i bëheshin. Edhe kur gazetarët e pyesnin në lidhje me presionet apo kërcënimet që mund t’i ishin bërë për shkak të dosjeve që hetonte, prokurori Xhevat Hana rezervohej në të shprehur. Kur ishte në humor ndalonte dhe pasi mendohej pak, fillonte të tregonte ndonjë barsaletë plot humor dhe ironi e sapo mbaronte rrëfimin e tij largohej, duke thënë “ika se kam punë”. Në rastet kur nuk ishte në humor të mirë, prokurori reagonte me një nënqeshje mistike në rast se e pyesnin për kërcënimet.
E megjithatë, prokurori Hana duket se ishte përballur me presione e kërcënime në punën e tij. Një i pandehur e qëlloi me çakmak në sallën e gjyqit kur jepej dënimi nga togat e zeza. Në një rast tjetër, Xhevat Hana i shkarkua nga detyra për motive që asnjëherë nuk u bënë të qarta plotësisht. Më pas kur u rikthye në detyrë, teksa hetonte disa dosje të bujshme u përfol se anëtarë të familjes së tij dhe persona të afërt ishin lëvizur nga punët që bënin duke u ulur në detyrë ose duke u transferuar./panorama/