Në Tiranë pritet të mblidhet së shpejti sesioni i i radhës i Komisionit Ndërqeveritar Rusi-Shqipëri për Tregtinë, Bashkëpunimin Ekonomik dhe Tekniko-Shkencor, duke shënuar kështu edhe takimin parë që nga viti 2009.
Lajmi u bë e ditur gjatë takimit të zëvendësministres së Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes së Shqipërisë, njëherazi bashkëkryetare e Komisionit Ndërqeveritar Rusi-Shqipëri për Tregtinë, Bashkëpunimin Ekonomik dhe Tekniko-Shkencor, Adela Karapici me ambasadorin e Rusisë në vendin tonë, Aleksandër Karpushin.
Në fokus të bisedës, sipas një publikimi në rrjetin social facebook të ambasadës ruse në vendin tonë, ishte përgatitja për zhvillimin, për herë të parë që nga viti 2009, të sesionit të radhës të Komisionit Ndërqeveritar, i cili kësaj here duhet të mbahet në Tiranë.
Si hap i parë në këtë rrugëtim, bëhet e ditur se u ra dakord paraprakisht për organizimin e një takimi të bashkëkryetarëve të Komisionit, znj. Karapici dhe homologut të saj, zëvendësministri i Parë i Drejtësisë së Rusisë Sergej Gerasimov, për të diskutuar hollësisht mbi axhendën e mbledhjes së ardhshme.
Bashkëbiseduesit, thuhet në njoftim, ndanë bindjen se marrëdhëniet ekonomiko-tregtare Rusi-Shqipëri duhet rigjallëruar dhe çuar në një nivel më të lartë cilësor të bashkëpunimit pragmatik, me përfitim reciprok dhe në interes të qytetarëve të dy vendeve./express.al