Home KRYESORE “AJËRET” ALBUMI I GRUPIT ARBËRESH PEPPA MARRITI BAND MË 17 SHKURT

“AJËRET” ALBUMI I GRUPIT ARBËRESH PEPPA MARRITI BAND MË 17 SHKURT

Nga Elvana Bilali

Më 17 shkurt 2017-të, pritet të dalë albumi i tretë i grupit arbëresh Peppa Mariti Band. Kënga e videoklipit zyrtar me të cilën ata prezantohen, mban të njëjtin titull me albumin që titullohet “Ajëret” (Erërat), album i cili përmban 12 këngë në gjuhën arbëresh. Videoklipi mban firmën e Mkrecords dhe është krijuar me regji të artistit iranian Arash Radpour.

“Ajëret” është një larmi mendimesh dhe emocionesh shkëputur nga e përdishmja, dhimbje për shkatërrimin e tokës nga katastrofat natyrore, nga luftërat, nga ngrohja globale, ku shkaktarë kryesorë janë qeniet njerëzore që veprojnë në mënyrë sipërfaqësore.

“Ajëret” “Erërat” simbolizon shpresën për t’i ndryshuar këto veprime, duke jetuar në respekt të natyrës, të ekuilibrave dhe të rregullave të saj. Kjo këngë dhe albumi i Peppa Mariti Band, na bën të ëndërrojmë “erën e ndryshimit” duke dashur t’i shohim gjërat nga një tjetër këndvështrim.

Peppa Marriti Band përbëhet nga Angelo Conte (Bobo) këngëtar, Pino Murano/violinë, Antonio Castrovillari/kitarë, Nunziato Di Benedetto/bateri, Demetrio Corino/bas. Në një intervistë për Revistën në gjuhën italiane “Muzi Kult”, këngëtari Angelo Conte ka shpjeguar se emrin e grupit e kanë marrë nga pseudonimi i një zdrukthëtari, i cili jetonte në Santa Sofia dhe që kishte probleme me alkolizmin.

Angelo Conte: “I dhamë grupit këtë emër, “Peppa Mariti Band”, duke dashur t’i japim zë atyre që nuk mund të flasin, atyre që janë të braktisur dhe kush për një problem apo një tjetër nuk gjen forcën për të ecur përpara por qendron diku në një cep. “Të padukshmit” e shoqërisë ku jetojmë, të cilët gjenden kudo nëpër qytetet tona“.

Një grup që këndon nën ritmet e rrokut, plot energji, me tekste që trajtojnë tema delikate nga problemet e të përdishtmes. Ata i shkruajnë tekstet e tyre në arbëresh, duke e quajtur një privilegj jo vetëm sepse është gjuha dhe kultura të cilës i përkasin, por sepse përdorimi i saj në art, muzikë, teatër dhe poezi, do të ndihmonte në mos zhdukjen e kësaj gjuhe të hershme.

Pjesëtarët e Peppa Mariti Band, nëpërmjet muzikës së tyre kërkojnë të afrojnë dhe të sensibilizojnë edhe të rinjtë, për të mos humbur traditat dhe gjuhën arbëresh.

Pas dy albumeve të realizuar më parë “Rockarbëresh” në 2005 dhe “Këndò” në 2010, “Ajëret” është albumi i tretë i tyre dhe për promovimin dhe prezantimin zyrtar të tij, grupi është në përgatitje edhe të disa koncerteve.

© photo – Muzi Kult n°29

© photo – Muzi Kult n°29

© photo – Muzi Kult n°29

Share: