Plot dy muaj pasi projekti “Veliera” në Durrës ka nisur nga zbatimi, Bashkia e Durrësit nënshkroi një kontratë për monitorimin e punimeve nga Instituti i Arkeologjisë dhe Agjencinë e Shpëtimit Arkeologjik, por ndërkohë shumica e punimeve nëntokësore për projektin e kushtueshëm kanë përfunduar.
Bashkia e Durrësit nënshkroi së fundmi një kontratë për monitorimin e punimeve me dy institucionet përgjegjëse për ruajtjen e vlerave arkeologjike të vendit, Instituti i Arkeologjisë dhe Agjencia e Shpëtimit Arkeologjik, në bazë të së cilës këto dy institucione do të monitorojnë punimet për projektin e njohur si “Veliera”, për të cilin qeveria po shpenzon 6 milionë euro për zbukurimin e një zone pranë portit të Durrësit.
Problemi është se kontrata e monitorimit u miratua vetëm dy muaj pas nisjes së punimeve, në një kohë që pjesa më e madhe e gërmimeve në një zonë me probabilitet të lartë mbetjesh arkeologjike, janë kryer.
Ndërkaq, përfaqësues të disa shoqatave dhe forcave politike denoncuan betonimin e fragmentit të murit mesjetar, pjesë të të cilit shihen prej vitesh në afërsi të Torrës veneciane dhe pranë kompleksit “Fly”. Ata deklaruan se kanë paraqitur dy padi penale dhe civile për kryebashkiakun Vangjush Dako, që sipas tyre është fajtor për shkatërrimin e vlerave arkeologjike.
Sot paradite një grup qytetarësh durrsakë të mbështetur nga shoqatat mjedisore të kryeqytetit kanë protestuar pranë Torrës mesjetare, pikërisht aty ku prej disa javësh vazhdojnë punimet për sistemin nëntokësor të kanalizimeve.
Arkeologu Edi Shehi, tha për BIRN se sheshi është vëzhguar deri tani nga specialistët durrsakë të kësaj fushe nisur nga meraku i profesionit.
Tani, specialistët e të dy institucioneve të arkeologjisë, së bashku me Drejtorinë Rajonale të Kulturës Kombëtare do të ndjekin nga afër ecurinë e punimeve, që bashkë me kanalizimet dhe infrastrukturën rrugore do të përfshijnë edhe nënkalimin e automjeteve drejt Shëtitores “Taulantia”. Vëzhgimi do të përqendrohet në pjesën pranë Torrës dhe Bulevardit “Epidamn”, që bëjnë pjesë në hartën e riskut arkeologjik.
Ministria e Kulturës ka kërkuar që fragmenti i murit mesjetar me gjatësi rreth 100 metra të evidentohet në shëtitoren e ardhshme. Aktualisht trakti fortifikues që i përket periudhës bizantine është mbuluar në pritje të vendimit të ardhshëm.
Sheshi i ri “Veliera” do të ketë një sipërfaqe prej 12 mijë metra katrore dhe vela mbi të do të jetë 2 mijë metra katror. Vlera e të gjithë këtij projekti do të jetë rreth 6 milion dollarë.
Mungesa e sondazheve arkeologjike apo shmangia e tyre është vërejtur edhe gjatë realizimit të projekteve të tjera madhore në Durrës, siç ka qenë rasti i sheshit “Liria” në qendër të qytetit antik./BIRN/