Home KRYESORE Bregu: Ambasadorët i kemi shtyrë vetë të na trajtojnë kështu

Bregu: Ambasadorët i kemi shtyrë vetë të na trajtojnë kështu

Në një intervistë me Zërin e Amerikës, deputetja e Partisë Demokratike Majlinda Bregu ka komentuar rezervat e dy ministrave të LSI-së për Operacionin Ndërkombëtar të Monitorimit. Sipas Vasilit dhe Klajda Gjoshës roli i bordit të ngritur ku bëjnë pjesë edhe ambasadorët Lu dhe Vlahutin nuk është parashikuar në Kushtetutë.

Por Bregu thotë se nuk sheh shkelje në rast se bordi i ngritur nuk ka asnjë qëllim dhe sigurisht nuk do të bëjë sikurse është lajmëruar tashmë. Pra nuk do të jetë ai që do të bëjë zgjedhjen apo përzgjedhjen e kandidatëve dhe procesin e vetingut, por do të menaxhojë nga pikëpamja logjistike zgjedhjen e ekspertëve të akreditimit, mënyrën sesi do të funksionojnë në Shqipëri, si do të ndahen qoftë dhe nga pikëpamja financiare mardhënia mes Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Evropian, pra partnerëve tanë, në këtë pikëpamje nuk shoh që të ketë asnjë shkelje kushtetuese.

Akuzat ndaj ambasadorit Lu thotë se janë vetë shqiptarët që me sjelljen e tyre u kanë lënë vend të huajve.

“Ambasadorët janë shumë të përfshirë në çështjet tona për faktin sepse i kemi lënë ne. Niveli i mosbesimit që ne kemi ndaj njëri-tjetrit, dëshira për të mbajtur lart frymën e “partizanit të madh politik” dhe për të ngushtuar urat e komunikimit dhe të konsensusit me njëri-tjetrin dhe të kompromisit politik për fatet e vendit, jo për rezultatin e një reforme, por për historinë e Shqipërisë dhe për atë që pritet, kjo i lë vend dhe hapësirë sigurisht më shumë edhe ambasadorëve. Pra për një gjë që e kemi bërë ne, që i kemi konsideruar ambasadorët si ndërmjetës mes nesh për të na bërë të flasim me njëri-tjetrin, në momentin e fundit pastaj më duket se këtu këto filmat me “diversantë apo njerëz që janë kundër Shqipërisë” është kohë e kaluar, që nuk duhet të zërë vend” –thotë Bregu.

“Në thelb unë do doja që asnjë ambasador të mos angazhohej kaq fuqimisht por të mbështetej dhe të promovonte marrëdhëniet bilaterale ndërmjet vendit që përfaqëson dhe vendit ku ndodhet. Por realiteti në Shqipëri është ky dhe përsa kohë ka një front i cili bëhet bashkë për të bërë të zbatueshme një reformë, nuk mund të mos i themi faleminderit as Shteteve të Bashkuara dhe as Bashkimit Evropian që janë investitorët kryesorë, jo vetëm financiarisht por edhe në ekspertizë për këtë process. Pra përsa kohë ne jemi ata që kemi nevojë për të shmangur këtë lloj problematike që ekziston me njëri-tjetrin, sigurisht që pa kaluar asnjë vijë të kuqe, siç quhet zakonisht, roli i ambasadorëve është i mirëpritur. E përsëris edhe një herë, nuk do të doja të ishte kështu, por ne e kemi krijuar këtë situatë” –thotë Bregu./lapsi.al/

Video:
Share: