Media të rëndësishme ndërkombëtare i kanë bërë jehonë protestës së opozitës të organizuar këtë të shtunë në qendër të Tiranës. Agjencia e lajmeve “Associated Press” shkruan se tubimin e mijëra vetëve, Lulzim Basha e drejtoi me akuzat ndaj qeverisë socialiste të Edi Ramës se po përpiqet të manipulojë procesin e votimit.
“Zgjedhjet parlamentare të 18 qershorit shpresohet shumë që t’i hapin vendit rrugën drejt dritës jeshile të BE-së për çeljen e negociatave të anëtarësimit” – shkruan AP.
“Washington Post” shkruan se zgjedhjet në Shqipërinë post-komuniste nuk janë vlerësuar asnjëherë nga vëzhguesit ndërkombëtarë si plotësisht të lira e të ndershme.
“Fox News” e titullon shkrimin e saj në faqen online: “Opozita shqiptare në protestë për zgjedhje të lira”.
“Daily Mail” shkruan se opozita kërkon garanci për zgjedhjet ndërsa shumica thotë se nuk ka kohë për realizimin e votimit elektronik për zgjedhjet e 18 qershorit.
“ANSA” i ka kushtuar një artikull protestë së opozitës shqiptare me titull: “Shqipëri, protesta pa kthim kunder Qeverise. Ngrihen tenda. Basha: Në rrezik zgjedhjet, duhet qeveri teknike”.