Një ditë pas deklaratave të kreut të kreut të antimafias italiane, Franco Roberti, se në Shqipëri është trefishuar kultivimi i kanabisit, ka reaguar ministri i Brendshëm Saimir Tahiri.
“Askush nuk u fshihet shifrave. Ne i dimë shifrat sepse kemi bashkëpunuar me Guardia di Financa. Sot po sulmohet Policia për kanabisin për shkak se po lufton çdo ditë me këtë fenomen. Në krahasim me kohën e PD, shifrat as mund të krahason. Këtë vit i japim fund këtij fenomeni”.
Kështu deklaroi sot per mediat ministri i Brendshëm Saimir Tahiri pas aktivitetit ku u lancua projekti ‘Policimi në Komunitet’.
Janë të shumta rastet kur Policia kryqëzohet për konflikte që zgjidhen nga institucione të tjera. Ajo që duhet të bëjmë është të shkojmë një hap më tej. Të zgjidhim konfliktin e ndezur që i është lënë policisë në dorë. Kjo do të ndihmojë në mosdegradimin e konflikteve dhe rritur sigurinë e qytetarëve.
Është një sfidë e vogël për një polici të vogël që nuk ka territorin e duhur, numrin e duhur. Nevojitet forcim dhe bashkëpunim. Ka shumë debate që shkon jashtë çdo limiti që tregon se sa nevojë kemi për t’u marrë me këtë çështje. Nevoja është që të bëjmë më shumë. Por të paktën sot, ajo që kemi bërë është lufta kundër kanabisit. Policia po lufton si kurrë më parë ndaj këtij fenomeni.
Ishin pajtuar të gjithë me këtë situatë, më parë. Para se ne të merrnim detyrën, askush nuk merrej në publik, askush nuk debatonte, sepse askush nuk bënte luftë. Kemi trashëguar një problem me kanabisin dhe po merremi për ta zgjidhur. Kjo është shenja më e fortë e vendosmërisë sonë për të bërë një luftë kundër këtij fenomeni. Ky është një vit deciziv, për t’i dhënë fund një problemi që nuk mund të vazhdojë më.
E nisëm me Lazaratin, turpin botëror të Shqipërisë, do vazhdojmë në çdo cep. Ky është viti për t’i dhënë një zgjidhje decisive. Është një problem që para nesh kanë bashkëjetuar, në mos e kanë shfrytëzuar. Është bërë një luftë edhe ndaj atyre që deri dje nuk e luftonin.
Është shumë e rëndësishme që kontrolli i territorit nëpërmjet policimit të jetë elementi kyç, platforma kryesore. Kemi dhënë prova shumë të mira se si suksesi mund të jetë aty nëse ka vullnet, bashkëpunim, besim nga qytetarët. Sot policia shërben më mirë, shërben më shumë, ka më shumë transparencë.
Ne i kemi treguar të gjithëve se reforma në drejtësi është një prioritet i yni. Sensi i drejtësisë duhet të jenë në themelin e punës të çdo punonjësi të administratës. Na sulmojnë aty ku kemi më shumë sukes. Mundohen ta pikturojnë siç policia nuk është më. Ajo që kemi nevojë është të ndëtojmë akoma më shumë. 20 e kusur vite janë kohë e humbur që nuk mund të rikuperohet më, por dikush duhet ta fillojë. Kjo është rruga e duhur dhe e vetme.