Babai i dy fëmijëve i vë flakën vetes me benzinë në kushtet e tronditjes së fortë psikologjike. Xhevit Tarushi, 69 vjeç, ndodhet në spitalin e Elbasanit në gjendje të rëndë, ndërsa mjekët konfirmuan se ai ka pësuar djegie të shkallës së lartë.
Ngjarja ndodhi paraditen e djeshme në oborrin e banesës së tij. Ai ka pritur deri sa e shoqja ka dalë të bëjë pazaret e ditës për të kryer aktin e vetëdjegies. Pasi ka marrë benzinën, të cilën familja e përdorte për ndezjen e sobës me dru dhe çakmakun, ai ka dalë në oborr duke u spërkatur dhe më pas i ka vënë flakën vetes.
Paraprakisht, policia bëri të ditur se shkak i ngjarjes dyshohet të jetë bërë depresioni. Mësohet se e shoqja ka deklaruar se bashkëshorti nuk vuante nga asnjë sëmundje, por kohët e fundit kishin vënë re shenja ngarkese dhe depresioni te kryefamiljari.
Ndërkaq, fqinjët u shprehën se veç banesës trekatëshe, ku jeton familja Tarushi, ata prej disa kohësh kishin ngritur një tjetër objekt.
Sipas tyre, destinacioni i këtij objekti është ende i paqartë për ta, pasi mund të shërbejë për banesë, por edhe biznes familjar, si hoteleri etj. Sa u përket shkaqeve që mund të kenë çuar babain e dy fëmijëve në këtë akt ekstrem, fqinjët hodhën dyshime se kjo mund të ketë lidhje me një proces gjyqësor të humbur.
“Janë në gjendje shumë të mirë ekonomike. Siç e shihni po ndërtojnë gjithë këtë objekt, por prej kohësh kanë qenë në proces gjyqësor për pronësinë e një pjese të tij. Para ca muajsh e humbi gjyqin dhe mesa morëm vesh gjykata kishte vendosur të shembte një pjesë të objektit. Xheviti e përjetoi dhe kaloi në depresion”, u shprehën fqinjë të familjes Tarushi në Elbasan./lapsi.al