Nga Dr. Marela Guga
Beratasi patriot, publicist e poet, Jani Vruho, rilindasi shqiptar, mbylli sytë 85 vjet më parë, më 15 shtator të vitit 1931 në Egjip, në moshën 68-vjeçare, pas një jete plot përkushtim për çështjen shqiptare, nga rinia e vet e derisa mbylli sytë në Tubhar-Fayoum. “ Atdhetaria ime nuk është për reklamë për qejf, është detyrë njeriu me ndjenja të njerëzinjta” do t’i përgjigjej kundërshtarëve të tij.
Egjipti ishte një vend tepër preferuar për mijëra shqiptarë të varfër të Shqipërisë së Jugut. Numri i shqiptarët shkonte në rreth 50 mijë, ku dominonte shtresa e mërgimtarëve ekonomikë. Qendrat më të mëdha me shqiptarë ishin: Aleksandria, Zuzazik, Beni-Sufej, Kajro, Mansura, Magage, Hajat, Rodh, Tubhar- Fajum, Shibin-El-Kom, Helipolis. Ata krijuan dhe shoqërinë e parë shqiptare në Aleksandri me emrin “Vllazëria shqiptare”, kryetar i së cilës u zgjodh Milo Duçi. Shqiptarët e Misirit u përfshinë në betejat më të mëdha politike dhe kulturore, siç ishin organizimi i lëvizjes Kombëtare Shqiptare nw diasporë, lufta për shkollën dhe alfabetin shqip, pjesë e programit politik të Rilindjes Kombëtare Shqiptare. Kongresi i Manastirit ishte ngjarja më e madhe kulturore. Në të morën pjesë 50 delegatë nga gjithë hapësira mbarëshqiptare. I ftuar në këtë kongres ishte Jani Vruho, i cili nuk mori pjesë, por të drejtën e përfaqësimit ia delegoi dikujt tjetër. “ …me shumë hidhnim mbetem që s’më bëhet mbarë…. të ndodhem në atë mbledhje…., për të mirën e përgjithshme të kombësisë sonë, e të mbetet ditë historike.. në ardhtë puna për short, unë ju lutem t’i lë shortenë(votën) time z. Jashar Hajriut, që të më përfaqësojë në atë çështje, për të cilën uroj me gjithë zemër të marrë një fund të mbarë”.
Diaspora shqiptare e Egjiptit kryesisht në Kajro dhe Aleksandria, do të bëheshin qendra rëndësishme të emancipimit politik e kulturor. Mërgimtarët ndihmuan në çeljen e shkollave shqipe në atdhe, ndihmuan çetat e armatosura, dërguan vullnetarë e të holla në luftën e armatosur për çlirimin kombëtar. Pas shpalljes së Pavarësisë, shumë atdhetarë shqiptarë u kthyhen në atdhe dhe u vunë në shërbim të Qeverisë së Përkohshme të Vlorës.Por shqiptarët e Egjiptit edhe pse mbështetën aktivitetin politik të Ismail Qemalit, nuk ishin dakort me politikat mënjanuese apo vetëmënjanuese të personaliteteve intelektuale dhe me kontribute në çështjen kombëtare, si Faik Konica. Mungesa e simpatisë për qeverinë e përkohshme, e hodhi Konicën në anën e Pleqësisë së Esat Toptanit, kundërshtar i saj. Shqiptarët e Fayoumit deklaruan mbështetje për qeverinë e I. Qemalit “qoftë edhe me gjakun tyre…” Madje Jani Vruho i dërgonte një letër kryetarit të Qeverisë, në emër të diasporës së Fayoumit “… Kur shtetit shqiptar po i kanosej qënia dhe jeta, po kështu dhe flamurit kombëtar nga Esat pasha, i cili do ta përdorë Shqipërinë si një “Gjeneral Turk”, ne jemi gati të vijmë….është e tepërt, të tregojmë dëshirën dhe gadishmërinë për të ardhur e të shërbejmë kurdoherë që doni”. Në pritjen zyrtare organizuar për ndër të princ Vidit në Durrës, më 7 mars 1914, erdhën edhe shqiptarët e diasporës, midis tyre ishin Athanas Tashko nga Misiri, Pandeli Evangjeli nga Bukureshti, Milto S. Gurra nga Odesa, Dervish Hima, Asdreni etj. Të gjithë kishin ardhur për tu lidhur rreth idealit kombëtar. Edhe pse shfaqnin mosbesim për aftësitë e Vidit, pritja që iu rezervua ishte ceremoniale. Qëndrimi i shkurtër i princ Vidit në krye të shtetit shqiptar, nxiti reagime dhe analiza mediatike. Jani Vruho në shkrimin “Tradhëti! Tradhëti! Tradhëti!” shkakun e “…gjen te parësia dhe vetëm te parësia, të cilët u mblodhën për kocka në Shqipëri…dhe për t’i nxjerrë sytë”, do të shkruante në gazetën “Liri e Shqipërisë”.
Viti 1918 ishte një vit, në të cilën bashkësia e shqiptarëve të Egjiptit, u organizuan për të bashkërenduar aktivitetin e tyre atdhetar në shërbim të çështjes kombëtare shqiptare, të ardhmen e Shqipërisë pas Konferencës së Paqes në Paris. Në shtëpinë e Filip Shirokës në Kajro u hartua edhe memorandumi drejtuar ambasadorëve të Francës, Anglisë, Italisë dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kajro, në të cilwve u kërkohej të mbrohej dhe afirmohej çështja shqiptare. Diaspora e Misirit i dërgon telegram z. Hebert në Londër dhe zonjës Edit Durhan në Boston. Komisioni i Shqiptarëve të Misirit vendosi të dërgonte në Paris një ose dy përfaqësues dhe të organizonte fushatë për të mbledhur të holla për shpenzimet e përfaqësuesve në Paris. Teksti i memorandumit u hartua nga Çajupi dhe më pas u firmos nga anëtarët e komisionit, të cilët vendosën, që një kopje, t’i përcillej ambasadorëve dhe një telegram për Presidentin Uillson. Në të gjitha qytetet e Misirit u hap fushata për të siguruar të holla. Çajupi në Kajro, Llambi Kota në Shibin-el-Kom, Jani Vruho në Fayoum, Vasil Thomadhi në Aleksandri, N.Kasneci në Mansur-Zagazig dhe Loni Logori në Minieh. Përpjekjet dhe kontributi i Jani Vruhos u përshëndet nga Andon Zako Çajupi, cili i jep urimin “Të lumtë, o Vruho! Mos vdeksh kurrë!”.
Futja e Shqipërisë në Lidhjen e Kombeve, më 17 dhjetor të vitit 1920, për shqiptarët, ishte një ngjarje historike dhe që i afroi më shumë me Evropën. Nga Misiri, Jani Vruho do ta përshëndeste Fan Nolin për mënyrën se si e prezantoi ai Shqipërinë përpara Fuqive të Mëdha dhe suksesin e arritur. “Me arsye sot shqiptarët lëvdohen e kënaqen me të shtrenjtin bir të saj, Hirësinë e tij, z. Fan Noli, i cili me diturinë dhe forcën e mendjes, me guximin dhe trimërinë e pashëmbullt, tërhoqi vëmendjen dhe simpathinë e gjithë atyre burrave shteti, të cilët ndodheshin në Ligën e Kombeve”. Por do të jetë mjaft i ashpër ndaj pakteve që Tirana zyrtare nënshkroi me qeverinë Italiane në vitet 1926 dhe 1927. Nëpërmjet “Shoqërisë së Miqve” formuar në Kajro në vitin 1927, Jani Vruho do ta quante nënshkrimin e paktit tw Tiranës antikombëtar dhe parathënia të një lufte të re ballkanike. Ai do të shkonte edhe më tej në kundërshtinë e tij, do ta denonconte firmosjen e paktit nëpërmjet një letre dërguar Lidhjes së Kombeve. “…çdo turbullim i ri, i shtyrë enkas prej ndonjë fqinji, do të përdoret si preteks për të vënë në veprim planin e copëtimit të caktuar prej kohe. Duke mos mundur të përballemi me armë, armiqtë kaq të mëdhenj si fqinjët tanë, s’na mbetet veç një atitudë (qëndrim, sjellje) e vetme.” Por ishte i menjëhershëm dhe i ashpër reagimi i qeverisë së A. Zogut, duke e dënuar me vdekje në mungesë, dhe shpallur person nongrata. Vruho nuk erdhi në Shqipërinë, për të cilën punoi dhe luftoi për pesë dekada.Ahmet Zogu ndërhyri edhe pranë qeverisë egjyptiane për ta mbyllur “Shoqërinë e Miqve”.
Kush ishte Jani Vruho?
Jani Vruho lindi më 5 gusht të vitit 1863 në fshatin Malëshovë të Beratit. Atje kreu dhe studimet e ulta në gjuhën greke. Fati e detyroi që në moshën 18 vjeçare të largohet nga Shqipëria. Me shtypjen e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, në Berat, vendoset një regjim i egër absolutist. Shumë patriotë e personalitete kombëtare shqiptare, u larguan jashtë Shqipërisë, për t’i shpëtuar ndjekjeve e masave të ashpra represive të perandorisë, për kwtw arsye largohet nga Berati drejt Korfuzit Mehmet Ali Vrioni. Në këto rrethana duhet të jetë larguar edhe Jani Vruho, megjithëse legjendat urbane e lidhin largimin e tij, me një vrasje që bëjnë pesë sulovarët , vrasje për të cilën u fajësua familja Vruho.
Ishte viti 1881 kur udhëtoi në Egjipt. Fillimisht vendoset në Kajro dhe më pas në Toubhar afër Fayoumit. Filloi të merrej me tregti, duke iu përkushtuar plotësisht jetës së stuhishme politike në mbrojtje të çështjeve për arsim, kulturë, pavarësinë dhe mbrojtjen territoriale të Shqipërisë. Sipas bashkohësve të tij, ai ishte një tregëtar i ndershëm që bëri një pasuri të vogël, të cilën e vuri në dispozicion të çështjes kombëtare shqiptare. Me shpenzimet e tij, pa kontributin e askujt, ai nxorri tre gazeta: “Shkopi”, të cilën e nxorrën së bashku me patriotin Athanas Tashko, gazetën “Rrufeja” dhe “Sëpata”. Jani Vruho mendonte dhe besonte se shpëtimi i një kombësie, çlirimi prej zgjedhës së huaj duhej të realizohej së pari me një lëvizje penash, lëvizje mendore dhe më pas me kryengritje çlirimtare. “…Çdo lëvizje q’është bërë ndër kombësirat e shtypura prej tiranisë, më parë se me barut e plumba, ka nisur me shkrim e me literatyrë, dhe janë quajtur kryengritje literare”. Në karrierën e tij publicistike ka rreth 200 artikuj, në disa gazeta, “Drita”, “Pellasgu”, “Liri e Shqipërisë”(rreth 60 shkrime), “Shkrepëtima”, “Kalendari Kombiar”, “ Shpresa e Shqypënisë” etj.
Publicistika e Jani Vruhos dallohet për individualitetin që lidhet me prirjet krijuese që burojnë nga botëkuptimi kulturor, edukata familjare, ambjenti shoqërorë, jeta në Egjipt, ku nisi dhe u ngjiz formimi i tij, leximet dhe përvoja jetësore personale. Nga mënyra e ndërtimit të artikujve, portreteve, fejtoneve e pamfleteve. Cilësia editorialiste e Vruhos, lidhet me përvojën shumëvjeçare në fushën e gazetarisë dhe stili i tij polemist që sulmon dhe godet hapur armiqtë dhe kundërshtarët e çështjes shqiptare.
Një miqësi të fortë Jani Vruho do të lidhte me Athanas Tashkos(1863-1915). Së bashku ndanin atdhetarinë, humanizmin, dëshirën për të ndihmuar militantë të lëvizjes kombëtare, miqësinë, publicistikën, hospitalitetin ndaj çështjes kombëtare shqiptare, por edhe gjithçka familjare. Hoteli i Tashkos ishte vendi ku shqiptarët mblidheshin për të biseduar rreth Shqipërisë dhe të ardhmes së saj politike, luftës për autonomi dhe pavarësi. Koço Tashkos, do ta vlerësonte Vruhon, mikun e zemrës së të atit dhe të familjes së tij. “Mos u dëshpëro, i shkruante ai, se Zoti do të na bashkojë e do të çojë në Shqipëri, që të shikosh nënëzën tonë të lirë e flamurin të valojë siç i ka hije.Në mos ishte e mundur që babai ta gëzojë, mallëngjimi dhe dëshira ime është ta gëzosh ti. Mezi po pres atë kohë të bashkohemi dhe të marrë këshillën tënde të vyer.”
Jani Vruho dhe Athanas Tashko u bënë pritës dhe frymëzuesit e Nolit. I gjetën një punë si psalltës dhe mësues në shkollën greke të qytetit. Theofani u miqësua brenda një kohe të shkurtër me ta, siç shkruan bibliografi i Nolit, prof Nasho Jorgaqi. Vruho dhe Tashko e përfshinë Nolin në lëvizjen kombëtare të Amerikës, por “…do ta thotë historia e Shqipërisë gjer në ç’pikë e mbarova misionin që mora përsipër”, do të shkruante më pas Noli. Ata i besuan Nolit, organizimin e diasporës shqiptare në Amerikë, madje e mbështetën edhe financiarisht misionin patriotik të Nolit. Noli pas largimit nga Tubhari, do të vazhdonte të ndante me miqtë të gjitha hallet dhe problemet. Jani Vruho nuk e mbështeti Nolin në “aventurën” e tij për t’u marrë me tregëti, sepse e dinte mjaft mirë se investimin më të madh, Noli mund dhe duhet ta bënte në punëra kombëtare. Ndaj dhe Noli “…nuk rreshti së dhëni uratën e Krishtit dhe bekimin për të dashurin Rubatino(pseudonimi i Janit). Madje ai organizonte edhe mesha të veçanta për miqtë e Misirit.
Europa nisi të zërë vend gjithmonë e më shpesh në mendjen dhe publicistikën e Vruhos. Qasja europiane, lidhet me strategjinë gjeopolitike të Shqipërisë. Shqipëria duhet të siguronte mbështetjen e Fuqive të Mëdha, sepse për Jani Vruhon “Ne jemi Evropas edhe në mest’ t Evropës, vendi ynë është Evropë. Shqipëtarët duhet të bindin Evropën që janë të zotë të qeverisin kombin, sepse ende ajo nuk beson në aftësitë shtetëformuese të shqiptarëve” . Shkrimet e Vruhos pwr politikwn ndwrkombwtare dallohen se i shkëputet nga kompleksi i inferioritetit në gjykimin që bën mbi politikën e Fuqive të Medha lidhur me çështjen shqiptare. Në ligjërimin e tij publicistik, ai mban një qëndrim kritik ndaj shqiptarëve që e lidhin vendin me fatin e Turqisë Evropiane. “…Me Turqinë Shqipëria mund të humbasi si komb e si shtet. Por edhe në rast se nuk humbasin si shqipëtarë do të humbasin Shqipërinë….”. Evropa shihej si model frymëzimi, vendi i aspiruar, mishërim i qytetërimit, i fuqisë, i mirëqënies së ëndërruar, vendi ku mund të ndihesh më i sigurt, më i mbrojtur, Evropa ishte një Eldorado për Jani Vruhon. Por ai artikulonte shpesh në shkrimet e tij gjykimin e padrejtë të Europës ndaj shqiptarëve dhe Shqipërisë .
Jani Vruho vdiq i pamartuar, nuk njohu familjen si vlerë etike. Atdheu që ai i shërbeu ishte më i madhi bir i tij. Vlera e tij atdhetare qëndron si te kritika e anëve të dobëta, ashtu dhe te revokimi i racës arbënore të shqiptarit. “…Nga ana jonë, jemi gati, të bëjmë rezil e të qërtojmë pa fare dëshpërim, këdo që prish punë e bie dëm në gjerat e përbashkëta, cilido qoftë; prift, hoxhë, bej, arhond, aga, burrë, grua, kushdo që të ketë fatkeqësinë të bjerë në këtë gabim, duhet përcëluar e përzhëlitur më keq se mikrobi i koleres dhe murtajës..”
Shqipëri e ka qënë idhulli i tij gjithë jetën!
Vruho në Misir kishte shumë miq. Rreth 60 letra dhe korrespondenca gjenden në fondin e tij në AQSH, me miqtë nga Shqipëria dhe diaspora. Andon Zako Çajupin ishte njëri prej tyre, i cili do ta vlerësonte punën, veprën e tij atdhetare në dobi të kombit dhe kontributin që ai jepte në publicistikë. Çajupi dhe Vruho ndanin së bashku shqetësimin për atë pjese të shqiptarëve që nuk punonin sa duhet për çështjen kombëtare. Të dy u bashkuan në publicistikën polemiste, sepse “…media në çdo shoqëri është të ruajë zakonet e kombësisë, të zgjojë popullin nga gjumi i së padijes, shkruante Vruho. Të dy ishin në shpirt republikanë, përkrahën ardhjen e Nolit në krye të shtetit shqiptar dhe kundërshtuan vendosjen e monarkisë. Në Egjipt, për çështje atdhetare, shkoi dhe Aleksandër Xhuvani. Menjëherë ata vendosën kontakte me njeri-tjetrin. “Sa do qi nuk kam lumtëriën t’a njoh fytyrisht zotniën t’ande, por emni i Juej mjaft i njohur ndër atdhetarët për gazetën e vyerë “Rrufen” qi nxirrnit e për ndjenjat komptare qi keni, asht mjaft”, do t’i shkruante Xhuvani në letrën e parë. Më pas, Jani, do të botonte shkrime në gazetën “Shkrepëtima” që Xhuvani nxirrte në Misir. Madje, Vruho e Tashko, ndërhynë edhe në debatit mediatik midis Nolit e Xhuvanit, duke mbajtur anën e Xhuvanit dhe detyruar Theofanin të ulë tonet dhe të pajtohet me të.
Të dy i bashkonte ideali kombëtar, veprimtaria e përbashkët patriotike në shoqërinë “Bashkimi” të Misirit. Sotir Kolea do të vlerësonte kontributin e Vruhos jo vetëm në çështjen kombëtare, por dhe trashëgiminë që po i linte brezave. Për Kolenë, “Jani Vruho ishte rilindasi shqiptar që gjithë energjitë dhe potencialin e vet shpirtëror dhe fizik, e vuri në shërbim të lirisë dhe pavarësisë së vendit. Kur ishte drejtor i Bibliotekës Kombëtare, Kolea i kërkoi të behej pjesë e fondit të Bibliotekës Kombëtare, koleksioni me libra, gazeta dhe dorëshkrime që Vruho dispononte dhe i kërkonte të mblidhte fjalët e vjetra nga fjalori zogërishte, si trashëgimi gjuhësore e shqiptarëve, fjalor që Vruho e Tashko e përdornin në bisedat e tyre informale.
Vruho njihej në diasporë si mjaft kritik. Madje shumë herë shkrimet e tij nuk botoheshin, sepse ishin të ashpra, duke iu rekomanduar të ishte më tolerant. Ai njihej në rrethet patriotike dhe intelektuale të diasporës, për idetë e tij radikale, kërkonte një Shqipëri të pavarur, ose të shkëputjes së plotë nga Perandoria Osmane.Qëndrim kritik mbante ndaj parësisë shqiptare, qëndrimit indiferentë të tyre, të mënjanimit apo vetëmënjanimit nga qeveria e Vlorës të personaliteteve intelektuale dhe me kontribute në çështjen kombëtare. Sipas Janit, qeveria nuk i kërkoi dhe as i bëri pjesë të kabinetit të saj, veprimtarët e shquar të pavarësisë. Një ndër ta ishte Faik Konica, të cilin e quante, “ më vyeri shqipëtar i mendjes, i pendës, i fjalës dhe karakterit të patundur dhe mjaft i zoti në mbushjen e detyrës kombëtare.” Por do ta mbështeste Qeverinë Përkohshme të Vlorës, kur Esat pashë Toptani po rrezikonte ekzistencën e saj. Jani Vruho do të drejtojë takimin e shqiptarëve të Fayoumit në mbështetje të qeverisë së Vlorës dhe do t’i dërgonte një letër solidarizuese. “Jemi gati për të mbrojtur shtetin pavarur shqiptar qoftë edhe me gjakun tonë…Ishim gati për të ardhur dhe prisnim ditën kur vapori i shoqërisë italiane të nisej…Është e tepërt Shkëlqesi t’ju rrëfejmë dëshirën dhe vendimin e zemrës sonë, duke ju vërtetuar që jemi gati të vijmë e t’i shërbejmë Atdheut kurdoherë që do të duhet”.
Kur shqiptarët kishin marrë fatet e vendit në dorë, duke organizuar në qytetin e Lushnjes një kongres mbarëkombëtar, Jani ndihej i shqetësuar për produktin që do të dilte në Lushnje, shqetësim që vihet re, në një prej letrave drejtuar nënprefektit të Lushnjes Veli Vasjarit, njëherësh organizator i kësaj mbledhje kombëtare. Kërkon t’i japë disa këshilla edhe pse ata “e dinin fort bukur”. Si një patriot dhe atdhetar, ai nuk mundi të largohej nga problemet shqiptare asnjëherë. E vlerësonte dokumentin themeltar që doli nga kongresi, i cili edhe ishte shkruar me “ngutësi tëdetyruar nga interesat e nalta të atdheut”. Jani do t’i kërkonte z. Vasjari që “…Statutit të Lushnjes sa do i ngushtë që qoftë, mos i rrëzoni asnjë pikë, dhe për mbi themelet e atij Statuti, duhet të ndërtoni godinën e ndërtesës shtetërore… Statutin dhe vetëm Statutin ta ruani e ta mbroni me më të shtrenjtin gjak që të ketë Shqipëria… Kjo është këshilla e një plaku, i cili atë Shqipëri e ka pasur idhullin e tij ndër gjithë jetën që kur e patë njohur.” Jani Vruho i përket panteonit të atdhetarizmit, majave të larta të atdhetarisë e qytetarisë, në të cilat kanë arritur jo shumë krijues e veprimtarë shqiptarë. Vlerësimi për vlerat dhe kontributin e tij patriotik dhe atdhetar është bërë në literaturën historike shqiptare. Për akademikun, studiuesin e historisë diplomatike Arben Puto, Jani Vruho ishte një atdhetar të flaktë dhe mjeshtër i penës shqipe.
Trupi i pa jetë i tij i mbuluar me flamurin kombëtar u shoqërua nga shqiptarë të kolonive të ndryshme të shoqërisë “Tomori”, përfaqësues të klerit, nga anëtarë të komunitetit grekë të Fayoumit nga Vëllazëria e Shqiptarëve të Misirit në Kajro. Kjo e fundit do t’i bënte një përkushtim ku e cilesonte Vruhon “ një atdhetar i kohës së hershme, një nga shqiptarët e pakë që atdhetarijën nuk e pati vetëm me fjalë dhe as e bëri rrugë fitimi. Jani Vruhoja, bashkë me shokun e panadarë të tij Thanas Tashkon, qënë dy shtylla të forta atdhetarie në Misir. Atdhetarë gjer në thelp të zemrës, këta dy burra bijw trima të atdheut, ndonëse të pakët nga gjëja dhe nga mësimi, nuk i kursyhen as kuletën dhe as mundimin. Emrat e tyre do të shndrijnë në rrjeshtat e para të luftëtarëve trima për brinjë atdhetarëve të vertetë që deshën atdheun me gjith shpirt dhe zemër. Brezi që do të vijë do të japi këtë gjykim: Atdhetarë të vertetë me gjithë fuqinë e fjalës, luftëtarë zemër-kthjellët kundër të huajve, armiq të rreptë dhe të pamëshirshëm kundër bijve të Shqipërisë që e patën mohuar gjakun e vehtë.” Ndërsa një prej bashkohësve të tij, Vasil Novosela do të shkruante: “ Lajmi i vdekjes së tij u përhap si vetëtimë në qarqet e shqiptarëvet, por edhe ndër të huajtë, sepse i ndjeri kish fituar simpatinë jo vetëm në botën e shqiptareve, që e kishin emëruar babën e shqiptareve por dhe në qarqet e huaja. Kolonia e Misirit humbi veteranin e çquarë, të cilin e vajtoj me lot”. Vruho në historinë kombëtare është i gjallë, për të cilin u bë theror gjer në orën e fundit”. Edhe Fan S. Noli do ti kushtonte mikut të tij të vjetër një kolonë në gazetën Republika (Boston) 5 nëntor, nr.53. “Një tjetër veteran militant i nacionalizmës shqiptare na la shëndet këto ditë. Jani Vruhoja nga Vërtopi, i vendosur prej vitesh në Tubhar të Misirit, pranë Fajumit. Me Athanas Tashkon, të dy patriotët ishin mjaft largpamës sa të kuptonin ç’rol historik mund të luanin shqiptarët e Amerikës dhe u kujdesnë të dërgojnë një organizator me një program të caktuar. Programi i Tashkos së Fajumit e i Vruhos së Tubharit u realizua në Amerikë dhe kapërceu çdo shpresë që kishin ushqyer inisiatorët në Misir më 1905. Organizatori që dërguan ka qënë i nënshkruari. Gjer në ç’pikë e mbarova misionin që mora përsipër do ta thotë historia e Shqipërisë, Dhe kjo s’mund të mohojë faktin që kam vënë tërë forcën për ta mbaruar detyrën time. Këtë mund ta them pa mburrje mbi varrin e të dy inspiratorëve të mi dhe iniciatorëve të larkmë të lëvizjes shqiptare të Amerikës, Thanas Tashkos dhe Jani Vruhos, patriotëve të dëgjuar të Misirit.
Vruho largohet me një plagë në zemër, që nuk e pa Shqipërinë dhe qytetin e tij të lindjes, Beratin, të cilit i thyri shumë vargje. Zemra m’është bërë zhur,/në të shkretin mërgim,/ Zemr’e e shkretë s’është gur,/Të mos ket’atë kujtim. Ai la një amanet, më varosni në Shqipëri. Qeveria shqiptare në vitin 1962, me rastin e 50 vjetorit të shpalljes së pavarësisë, sjell në Shqipëri eshtrat e tij . Ai sot prehet në varezat publike të qytetit të Beratit, i braktisur, madje me identitet të cunguar. Jani Vruho bënte pjesë në ata intelektualë të Rilindjes Kombëtare, që mbi çdo gjë vuri idealin, parimin, të drejtën, të vërtetën, për të cilin flijoi çdo gjë që kishte pasurin, familjen, rehatinë dhe mirëqenien personale.
Penda shqiptare e Misirit
“Të qytetëruarin dhe të zhvilluarin e lidhin te trualli gjithë zërat atyre që kanë vdekurë përpara tij, që i kanë dhënë një shkëlqim dhe një famë këtij vendi” do të shkruante Mit’hat Frashëri. Dhe Jani Vruho në poezinë e tij të shkurtër do të shprehte admirimin për figurat kombetare si Skenderbeun, Naim Frashërin etj. Ja disa prej vargjeve kushtuar Naim Frasherit.
“Sa isha gjallë, me sy s’të pashë,
Po me të shkruar, të kuptova
Si Naim beu ndë këtë botë-thashë
Do mos ketë!- dhe s’u gabova.
Nuk mund të themi që poezitë e Jani Vruhos janë antologjike, por ato kanë zgjeruar mundësinë e ligjërimit shqip dhe figura të njohura kombëtare, janë bërë pjesë e këtij ligjërimi poetik. Kontributi i tij në fushën poetike është quajtur modest, sepse pak vjersha të shkruar prej tij janë publikuar, dhe askush nuk është marrë me përmbajtjen e poezive të tij. Ai lindi dhe lëvroi publicistikë në kohën e Rilindjes Kombëtare, ky rrethet intelektuale shqiptare lëvronin edhe letërsi shqipe në gjini të ndryshme. Personaliteti i tij publicistik, kulturor, poetik la gjurmë deri në fund të viteve ’20 të shekullit XX. Letërsia e tij ka ardhur nëpërmjet përmbledhjes folklorike “Valët e Detit” të Spiro Dines dhe faqeve të gazetës “Drita” e “Liri e Shqipërisë”. Pena punëtore e Vruhos ka lëvruar krahas publicistikës dhe poezinë dhe fabulën. Gjendet në fondin e tij fabula “Një herë qenë tre vëllezër”. Tentoi të përdorë vargun në editoriale. Qartësia e mendimit poetik, mbetet një tipar dallues në veprën e tij. Ai është i qartë në ecurinë e pohimeve historike, morale, vertetësinë e objektit të poezisë dhe idesë që ajo mbartë. Poezia shpreh mallin e një mërgimtari, detyrën e tij para atdheut, historisë. Ai komunikon drejtëpërdrejtë me lexuesin, nëpërmjet edhe urtësisë popullore. Vjersha e parë e Janit është e vitit 1899. Në vitin 1902 boton “Kënga e Shpëtimit” dhe në vitin 1903 “Naim Beut”. Poezia “Porosi e urtë”, u botua në “Kalendari Kombiar” në 12 dhjetor të vitit 1905, një poezi me përmbajtje atdhedashurie, e cila i kushtohet Shqiperisë.
“Me një guxim pra, gjithë të thërasim
Ja të shporet mes nesh robëria,
Ja në luftë gjithë të vdesim
Se të tillë rrojtje s’do Shqipëria!
Një ditë rrojtje është m’e mirë
Se njëqind vjet e në robëri,
Të na mundojë një egërsirë
Të tillë rrojtje s’e do njeri!!!
“Mall i vendlindjes” është një poezi e cila u vendos në vitin 1921 nga Ministria e Arsimit në tekstin e këndimit II. Në poezinë “Mall i vendlindjes” ndërthyren motivi patriotik me nostalingjinë për vendlindjen.
“Sa mall kam i gjori për ty
të vij të të shoh,
në gjirin tënd të vij të hyj
zjarrin tim te ti ta ftoh!”
Vargjet e tij të kujtojnë vargjet naimiane. “zemra më është bërë zhur! Ndë të shkretin mërgim/ zëmër e shkretë s’është gur/ të mos ketë atë kujtim”, apo zjarrin sheperiot të Çajupit, ku ajri dhe duhma mbytëse e Aleksandrisë i shkallmojnë mushkritë në kraharor. “Zemra mu ngjashërye, dërgomëni një gur, dërgome/ ta vë jastek nden krye!
“Këng’ e Flamurit t’enë” u botua në gazetën “Liri e Shqipërisë”, më 10 maj të vitit . I kushtohet flamurit kombetar, simboli identitetit të shqiptarëve, kudo ku ata jetojnë, për të mbajtur gjallë qenësinë shqiptare në rezistencën kundër pushtuesve të huaj, por dhe si dëshmi e besnikërisë ndaj atdheut dhe ndaj kombit.
Me hijen tënde mbulona,
Njeri me tjetrin bashkona
E nga tiranët shpëtona!
O flamur’ i Shqipërisë
Qe mbules e njerëzisë
Kurrë s’prure dëm lirisë
Përveç shkelmin robërisë!
Këto vargje me tharm shqiptarizmi, me nerv kombëtar e plot zjarr, mund të krahasohen me vargjet e Asdrenit “Himni i Flamurit”.
“O flamur, flamur, shenj’ e shenjtë,
te ty betonemi këtu,
për Shqipërin’ atdhen’ e shtrenjtë,
për nder’ edhe lavdimn’ e tu”.
Jani Vruho nuk ishte vetëm penda shqiptare e Misirit, por edhe poeti i Rilindjes Kombëtare Shqiptare. Ai meriton të studiohet edhe si poet, edhe pse nuk është në shkallën e poetëve të mëdhenj rilindas, të cilët kanë hyrë në historinë e Letërsisë Shqipe.Ai mbeti misionar i shqiptarizmës dhe i veprimit mëmëdhetar, shërbestar i Shqipërisë, veprimtar i pavarësisë, analistë, publicistë, kronikan, apostulli i kulturës shqiptare. Për fat të keq, bota intelektuale shqiptare sot, e njeh pak publicistikën e tij, ku ai kontriboi me qindra shkrime për mëse dy dekada dhe po aq pak dhe poezinë e tij. Robert Elsie në dy librat e tij : “A Biographical Dictionary of Albanian History”, dhe “Early Albania: A Reader of Historical Texts, 11th-17th Centuries” dhe studiuesi italian Gaetano Petrotta, e vendosin në historinë e publicistikës së Rilindjes Shqiptare. Vruho dhe Tashko, siç shkruante Sotir Kolea, nuk kanë nevojë për lëvdata, por për të ngrohur zemrat e brezave të rinj, për t’i mbëltuar ne këtyre atdhetarizmin e kulluar, për të mbarën e vendit dhe të kombit tone…” Jani Vruho nuk është më, por lidhja e tij me botën, me ne vazhdon të veprojë jo vetëm si atëherë kur ai ishte gjallë, por edhe akoma më fuqishëm.
Dr.MarelaGuga
Dokumente
Bashkimi” Kajro, 21 gusht 1919
Vëllazëritë Shqipëtarëvet
të Misirit në Aleksandri
Zotit J.P.Vruho
ndë Tubhar
Atdhetar i dashur,
Vetëm sot ndë mëngjes mora letrën tuaj po gazetën “Dielli” nr 1628 s’e kam pare, nga shkaku që tramvajtë s’punojnë! Parëdje mora dhe unë një letrë të gjatë prej Sotir Gjikës, ku të falet me nder dhe kërkon ndjesë se nukë do ta botojë artikullin që kini pat dërguar për delegatët tonë.
Të lumtë, o Vruho! Dhe mos vdeksh kurrë! Se po s’të rrietë për Atdhen’e dashur që gjendet sot ndë rrezik të math duk me mos pasur asnjë mik nga të mëdhejt e ditës. Për krerët e Shqipërisë që përbëjne sot Qeverinë s’kam asnjë shpresë, se më duket se janë trundryshkur dhe vepërojnë për interesa të veta! Zoti më kërreftë gënjeshtar dhe Shqipëria daltë mbanë. Po të mësoj të reja me rëndësi do të shkruaj.
U falem me nder.
A.Zako
Poezite e Jani Vruhos nese mundeni të botohen në rubrikën Pena Shqiptare
Këng’ e Flamurit t’ene
Luaj e valo ndë erë
O shqiponja me dy krerë
Rrofsh ndë jetë e qofsh përherë
Kurrë mos na lenç të mjerë.
Gëzoji zemerat t’ona
Me hijen tënde mbulona,
Njeri me tjetrin bashkona
E nga tiranët shpëtona!
O flamur’ i Shqipërisë
Qe mbures’ e njerëzisë
Kurrë s’prure dëm lirisë
Përveç shkelmin robërisë!
O nënëza jon’ e naltë
Emër m’ i embël se mjaltë,
Uzdaj’ a shpresëz’ e lartë
Rrofsh e qofsh Zoti të faltë.
Kaqë vite i rrëzuar
Në pa kujtim i harruar
Bijt’ e shqipes së uruar
Sinvjet të ngrijtën në duar.
Gra e burra të lëvdojnë
Djem e vajza t’ adhurojnë
Edhe pleqtë kur të shohnë
Rrofsh të thon’ o shënja jonë!
Ngrihi, ngrihi Shqiptarë!
Gjithë tok e të pandarë
Na, flamuri që pate rarë
U- ngrijt, lufton si më parë!
Duhetë që ta nderojmë
Flamurin, kur ta kujtojmë,
Trimërisht t’a lartësojmë
Sa herë që të luftojmë.
Tubhar(Egjypt), 7 maj 1911
J.P.Vruho
Këtë vjershë e ka botuar në gazetën “Liri e Shqipërisë” në faqen 4 të kësaj gazete në numrin 6 të saj.
Mall’ i vend-temit
O e bukura Shqipëri
I shenjtëruari vend
Me mall e me ligjëri
Se largu të sjell ndërmend.
Sa mall kam i gjori për ty
Të vij aty të të shoh,
Në gji tend të vij të hyj
zjarrin tim tek ti ta ftoh!
Zemra më eshtë bërë zhur!
Ndë të shkretin mërgim,
Zemër’ e shkretë s’është
Të mos ketë atje kujtim.
Miq e shokë i kujtoj
Far’e fis i sjell ndërmend
Për gur’e drurë vajtoj
Që gjenden nd’ atë vend.
Ngrenj’ e pirja s’e ushqeu
As kamja të gjorin njeri
Mëmëdheu e dëfren
Atë që nuk është ari!…
Robëri! E shkretë mbeç
O kuçedra robëri
Moj nga zot’i madh e gjeç
Që s’na le në Shqipëri!
Po na tret e na mundon,
Lëkurën po na e rrjep
Nga vendi ynë na mërgon
Të drejta njerëzie s’jep.
J.P.Vruho