Drejtuesi i Lëvizjes “Zgjidhja” për Reformimin e Partisë Socialiste, Koço Kokëdhima, u shpreh se koalicioni i së majtës së bashkuar nuk e shfrytëzoi mandatin 4-vjeçar për të arritur pritshmëritë e popullit.
“Koalicioni nuk i arriti pritshmëritë e duhura sipas meje. Nuk u shfrytëzua si duhet koha e këtij mandati që kaloi, me qëllim që ky koalicion, pra e majta e bashkuar, të adaptonte standarde të larta qeverisëse”, nënvizoi Kokëdhima gjatë një takimi me gazetarët në qytetin e Vlorës.
Politikani socialist foli për nevojën e reformave, që ia heqin pushtetin një grushti njerëzish dhe ia kthejnë popullit.
“Duhej të bënte reforma për t’ia hequr pushtetin një grushti njerëzish dhe për t’ia kthyer popullit, i cili është defaktorizuar plotësisht në këtë tranzicion dhe sot është në një gjendje që nuk merr pjesë në asnjë vendimmarrje, duke ushtruar në mënyrë të drejtpërdrejtë vullnetin me votën e lirë”, u shpreh Kokëdhima.
Nga Vlora, ku Kokëdhima zhvilloi edhe një bashkëbisedim me studentë dhe të rinj të qytetit, ish-deputeti e cilësoi të rëndë situatën e rendit dhe sigurisë publike në vend. Kokëdhima hodhi akuza mbi policinë për lidhje të tyre me elementë kriminalë.