Home KRYESORE Shqiptarët, shansi për të mos humbur

Shqiptarët, shansi për të mos humbur

Nga Azem Parllaku

Cili do të jetë epilogu i fundit për formimin e qeverisë së Maqedonisë, pasi VMRO-DPMNE dhe BDI dështuan për krijimin e qeverisë së re?

Po LSDM, do të jetë hapur dhe e gatshme lidhur me negociatat e mundshme me faktorin politik shqiptarë?

A do të jetë pjesëmarse në këto negociata edhe ndonjë nga subjektet tjera politike shqiptare së bashku me BDI-në për shkak të numrave të mandateve të shumicës në Parlamentin maqedonas?

Sa e gatshme do të jetë opozita maqedonase, për të pranuar kërkesat e partive politike shqiptare të përfaqësuara në negociatat e mëparshme nga BDI dhe Ali Ahmeti?

Nëse do të dështojnë negociatat edhe me LSDM-në, a ka të drejtë partia e tretë për nga numri i mandateve të jetë ajo protagoniste e formimit të qeverisë?

A po shkon Maqedonia në zgjedhje të reja, mbasi rezultati përfundimtar i zgjedhjeve në Maqedoni, e nxori fituese VMRO-DPMNE me 51 deputetë, teksa LSDM do të ketë 49 karrige në Parlament, BDI 10 të tilla, Lëvizja BESA 5, Aleanca për Shqiptarët 3 deputetë dhe në fund PDSH me 2 të tillë?

Nëse shkohet në zgjedhje të reja, a do të dorëhiqet eventualisht presidenti Ivanov, e kush është organi kompetent për interpretimin e dispozitave të kushtetutës së Maqedonisë?
Cili do të jetë ndikimi i faktorit ndërkombëtarë?

Çfarë mund të përfitojnë politikisht shqiptarët me zgjedhjet e reja?

Nisur nga pyetjet më lart duket që shteti maqedon do të vijojë të mbetet në ngërçin politik të radhës, mbasi fituesit nuk do të mund t’a menaxhojnë fitoren, edhe pse konstituimi i qeverisë me gjasë mund të ndodhë.

Kundërshtarët e Gruevskit janë optimistë, kjo për faktin se; pas sundimit dhjetvjeçarë të regjimit, pas okupimit të të gjitha sistemeve të pushtetit dhe organizimit shoqërorë, edhe rritja e opozitës konsiderohet si fitore.

Në ditët në vijim pritet çfarë vendimi do të ndërmarrë BDI, e cila ka bashkëqeverisur me partinë maqedonse në pushtet, teksa kjo e fundit përgjatë fushatës elektorale, e ka anatemuar gjithnjë e më shpesh faktorin shqiptarë në Maqedoni. Gruevski u tha maqedonasive se Zaevi dhe LSDM do t’i detyrojnë fëmijët maqedonas të mësojnë shqip në shkollë.

Shqiptarët në Maqedoni, i’a faturojnë BDI-së dhe Ahmetit uljen e numrit të mandateve për deputetët shqiptarë, pasi siç thonë ata është dëmtuar pesha politike e votuesëve shqiptarë, si rezultat i mosevidentimit në listat zgjedhore. Prej më shumë se një dekade, BDI është thirrur si pronare e shumicës së votave të shqiptarëve, ndaj depërtimi i LSDM-së tek elektorati shqiptar është një tjetër mesazh i fortë për qeverisjen e radhës.

Dy muaj pas zgjedhjeve qëndrueshmëria në Maqedoni është shumë e brishtë. Po shqiptarët lind pyetja humbën, apo fituan!? Kanë humbur duke votuar. Një numër i madh i votave të tyre u hodh për partitë maqedonase, e arsyetuar si mospajtueshmëri me qëndrimet e dy partive shqiptare BDI dhe PDSH, kurse rezultati i dy projekteve të reja politike, Besa dhe Aleanca për Shqiptarët, janë motivuese.

Lufta për pushtet dhe aritmetika e fituesit, i qas Maqedonisë statusin e një shteti të kapur prej ngërçit politik. Çfarë shansi ka spektri politik shqiptar atje, është një tjetër sfidë.

LSDM dhe partitë shqiptare pa BDI, mund të negociojnë për të marrë në dorë fatet e Maqedonisë, pasi Gruevski dhe Ahmeti nuk u dakortuan. Ndonëse si mundësi, këtij varianti aritmetika e mandateve, thjeshtë vetëm sa ka thyer pamposhtmërinë e mitit të Gruevskit.

Pas zgjedhjeve të dhjetorit e deri në këto ditë shqiptarët po dëshmohen se janë faktor kyç për stabilitetin politik në Maqedoni. E vërteta mbi shqiptarët e Maqedonisë sot është ndryshe, edhe pse ndaj tyre prej më shumë se një çerek shekulli, është ushtruar dhunë nga makineria e propogandës së sëmurë nacionaliste e udhëhequr nga Gruevski.

Komuniteti etnik shqiptar me 30 përqind të numrit të përgjitshëm të popullsisë në Maqedoni, është komuniteti etnik homogjen thuajse i barabartë me atë Maqedon.

Në vitin 2017 shqiptarët në Maqedoni janë etnikisht më homogjen, më të arsimuar, më të ngritur politikisht, e ç’është më kryesore ata janë bartësit më të mëdhenj të frymës euro-atlantike ndryshe nga komunitetet tjera etnike në Maqedoni. Realiteti i sotëm shqiptar në Maqedoni po provon sesa të drejta janë parimet e Marrëveshjes së Ohrit, të cilat i njohin shqiptarët si element konstituiv shtet-formues.

Tashmë do të jetë LSDM e cila do t’u drejtohet partive shqiptare për të formuar qeverinë e re, e sido që të jetë formati i pjesëmarrjes së shqiptarëve në qeverinë e kryesuar nga Zaevi, sërish ata duhet të jenë këmbëngulës të parimeve të Marrëveshjes Kuadër të Ohrit.

Kampi politik shqiptar në Maqedoni, kur pritej që qeveria e re të formohej, u investua në arritjen e një konsensusi politik të përbashkët mbarëshqiptare nëpërmjet një platforme e mbështetur tërësisht në Marrëveshjen Kuadër të Ohrit të gushtit 2001. Kjo dakortësi midis partive politike shqiptare i hoqi të drejtën e formimit të qeverisë Gruevskit, si antishqiptari i thekur i ditëve tona. Largimi i Gruevskit është sinjal politik pozitiv për Maqedoninë, pasi kriza e thellë dhe komplekse e Maqedonisë mban emrin e VMRO-DPMNE dhe të Gruevskit.

Shqiptarët në Maqedoni kanë shansin të jenë unik për interesat madhore kombëtare dhe duhet të tejkalojnë fërkimet eventuale mes tyre, në garën politike të formimit të qeverisë së re të Maqedonisë. Platforma e mbështetur tërësisht në Marrëveshjen Kuadër të Ohrit, duhet t’i prijë qasjeve politike të orëve në vazhdim. Faktori politik shqiptar duhet nxjerrë maksimumin për shqiptarët, investimet në pjesën shqiptare duhet të jenë në përputhje me taksat që paguajnë shqiptarët . Gjuha shqipe duhet të jetë gjuhë zyrtare kudo në të gjithë vendin, në të gjitha nivelet dhe shqiptarët duhet të kenë pozita të larta në strukturën shtetërore të Maqedonisë.

VMRO-ja, si forcë antishqiptare që shndërroi edhe shtetin në shtet kriminal, do të bëjë të gjitha përpjekjet përmes strukturave që i kontrollon për të mbetur në lojë. Për këtë arsye, edhe në rast se LSDM-ja pranon kërkesat e partive politike shqiptare të shtruara në deklaratën e përbashkët dhe krijojnë mazhorancën parlamentare, nuk mund të besohet se gjërat do të zhvillohen aq lehtë.

Ashtu sikurse nuk përjashtohet mundësia që, Presidenti i Maqedonisë, i cili nuk është asgjë tjetër veçse marionetë e Nikolla Gruevskit, të krijojë kushtet për shpërndarjen e parlamentit dhe çuarjen e vendit në zgjedhje të jashtëzakonshme. Për këtë arsye shqiptarët duhet të jenë unik rreth objektivave strategjike të shtruara në Deklaratën e përbashkët të partive shqiptare të Maqedonisë.

Share: