Home KRYESORE Kokëdhima tregon me emra: Rama shkarkoi këta profesionistë!

Kokëdhima tregon me emra: Rama shkarkoi këta profesionistë!

Ish-deputeti Koço Kokëdhima ishte sot në Elbasan, ku shpalosi programin e lëvizjes së iniciuar prej tij “Zgjidhja”.
Përpara qytetarëve të Elbasanit, Kokëdhima e cilësoi si të padrejtë shkarkimin e tij nga Asambleja Kombëtare e PS, ndërsa shtoi se edhe pas kërkesës së bërë prej tij, nuk i janë paraqitur arsyetimet e këtij vendimi.

Kokëdhima denoncoi jo vetëm drejtimin që po i bëhet Partisë Socialiste, por edhe shkarkimet dhe emërimet politike që bëhen me urdhër të kryeministrit Edi Rama.

Për të argumentuar lëvizjet që u janë bërë qytetarëve nga puna, Kokëdhima përmendi me emër disa nga qytetarët që kanë humbur vendin e punës vetëm se kanë shprehur vullnetin e tyre për një organizim të PS që në bazë.

Madje jo vetëm kaq, por Kokëdhima shtoi se të gjithë ata qytetarë që kanë zgjedhur t’i bashkohen atij në këtë lëvizje, janë pushuar po ashtu nga puna, pavarësisht arsimit dhe kualifikimeve që kishin.

Pjesë nga fjala e Kokëdhimës:

Ne nuk do të rreshtim së denoncuari pushimet nga puna me urdhër të lidershipit të PS-së, të Nertila Selimajt, Ted Nastos dhe Ardit Xhafajt, që të tre anëtarë të Asamblesë Kombëtare të Partisë Socialiste të Shqipërisë, pushimin nga puna të Jola Fotos, Silvana Islamajt, Gjergji Robos e Thoma Kordhës. Të gjithë këta djem e vajza janë me kualifikime të larta dhe universitete shumë serioze. Me qindra socialistë janë shantazhuar me pushime nga puna, privime dhe ndëshkime nga më të ndryshmet, nga më absurdet e nga më të çuditshmet.

Klejli është nga Elbasani dhe është martuar në Sarandë. Ajo është një vajzë dhe juriste e shkëlqyer që ka studiuar universitetin e Tiranës me të gjitha notat dhjeta. U vu në listën e zezë dhe u paralajmërua me humbjen e vendit të punës, sepse bën “like” në postimet tona në “Facebook”. Brigels Dervishi është një jurist me nivel e formim të shkëlqyer, i shkolluar në universitetin shtetëror të Milanos, prind dhe bashkëshort shembullor. Tani iu ndërpre marrëdhënia e punës pa asnjë shpjegim, vetëm sepse është mbështetës i lëvizjes sonë politike.

Mariel Murati, si drejtor i ALUIZNI-t në Sarandë vendosi largimin nga puna të Brigelsit me urdhër të Gjiknurit. Murati ka mbështetur prej vitesh Partinë Socialiste, por është pa arsim të mesëm dhe pa arsim të lartë, është krejtësisht i papërshtatshëm për funksione drejtuese të këtij niveli. Në datën 10 tetor të vitit 2013, Elisa Spiropali e emëroi Marielin, Drejtor të Doganës në Qafë-Botë. I shkruajta menjëherë Ramës: “I dashur Edi! Në doganën e Qafë-Botës më thonë se keni çuar drejtor dogane, Marielin. Në se kjo është e vërtetë, unë nuk e di se ç’do të ndodhë më tutje. Vetëm një gjë po ju them: hiqeni menjëherë pa e marrë vesh shumë njerëz…! Kështu Marieli u hoq nga detyra në të cilën qëndroi vetëm 8 orë.

Gjiknuri, shkarkoi drejtorin e ALUIZNI-t në Sarandë, Blerti Diamantin, dhe vendosi në vend të tij Mariel Muratin. Blerti është një arkitekt i laureuar në Firence dhe një person me integritet. Kështu i larguan dy ekspertët e lartë te ALUIZNI, dy specialistë që i bëjnë nder Sarandës, Blertin dhe Brigelsin, për t’i zëvendësuar me njerëz pa shkollë e pa zotësi.

Këto janë turpe. Janë turpe dhe abuzime të rënda që bëhen në mes të ditës me diell e në sy të gjithë qytetarëve. Jo vetëm në jug, por në të gjithë Shqipërinë, pushohen nga puna njerëzit më të mirë e më të zotë për t’i zëvendësuar me tutkunë, të paaftë, të korruptuar dhe servilë!

Share: