Katër anëtarët e bordit e drejtues të AMA-s, Sami Neza, Agron Gjekmarkaj, Suela Musta dhe Pirro Misha kanë dëshmuar në Prokurorinë e Tiranës në lidhje me mbledhjet kur janë marrë vendimet për dhënien e licencave kombëtare dhe procedimin e tyre.
Nënkryetari i AMA-s, Sami Neza pas dëshmisë në prokurori tha, se u pyetën për veprimet e 3 muajve.
“Të gjitha pyetjet që kanë të bëjnë me mbledhjet e AMA-s. Dëshmia ka të bëjë pak a shumë në lidhje me vendimet që ka marrë AMA gjatë tre muajt e fundit”, tha Neza.
I pyetur pse nuk janë paraqitur të gjithë anëtarët, Neza tha: “Nuk e di, flas për veten”.
Ndërsa anëtarët Pirro Misha dhe Suela Musta nuk kanë komentuar mbi dëshminë për shkak të çështjes në hetim.
Antarët e bordit e drejtues të AMA-s kanë qëndruar mbi një orë në prokurorinë e Tiranës, ndërsa më herët organi i akuzës zbarkoi në zyrat e AMA, për të sekuestruar të gjitha dokumentat dhe procesverbalet e mbledhjeve të muajit të fundit të AMA, për licencat kombëtare.