Nga Nikollaq Neranxi
Pse një qeveri teknike është për të mirën e të gjithëve, përveç kriminelëve?
Në një nga përballjet e mia muajt e fundit në Himarë me një individ mafioz që ju bën karshillëk banorëve dhe po grabit pronat e tyre, ai duke më parë në sy më tha: “Mos u lodhni me ne, do jemi në pushtet edhe 20 vite dhe do bëjmë ç’të duam!”
Ky është vetëm një moment ku arroganca, kriminaliteti dhe grabitja, ka arritur aty ku s’mban më. Me siguri edhe ju që po më lexoni, mund të keni eksperienca të ngjashme në jetën tuaj.
Prandaj mendoj se në këto kushte, kur sistemi i drejtësisë po fillon riorganizmin dhe dekriminalizmi po filtron individët që janë të përfshirë në politikë, mirë do ishte që politikanët e çdo ngjyre, t’i largoheshin pushtetit dhe të lejonin krijimin e një qeverie jo politike me teknicienë.
Nëse do të shkonim në zgjedhje kështu siç jemi, duke bere sikur këtu çdo gjë po shkon mirë, sikur ne jemi një vend normal, ku padyshim votat do bliheshin, kriminelët ne politike ose te fshehur pas tyre, të rikonfirmuar falë atyre zgjedhjeve, do të bëheshin akoma më agresivë dhe me te rrezikshem.
Qeveria teknike iu jep mundësi partive politike të bëjnë katharsis në rradhët e tyre, të pastrojnë listat, të mbyllin “kontratat” me kriminelët duke shkuar secili në rrugën e tij. Sepse edhe kriminelët duan arsye të forta për t’i braktisur se nuk eshte aq kollaj!
Qeveria teknike mendoj, është arsye mëse e mjaftueshme. Prandaj unë me gjithë familjen time, e mbështes këtë kërkesë dinjitoze dhe e kam bindje se ata qytetarë plot me halle që kam takuar në atë çadër teksa protestojne, shumica te pa angazhuar me asnje parti, tashmë kanë një shpresë më shumë se diçka ka filluar të ndryshojë për mirë në këtë vend.