Home KRYESORE Një koment në lidhje me politikat ekonomike dhe protesta e 18 shkurtit

Një koment në lidhje me politikat ekonomike dhe protesta e 18 shkurtit

Nga Kasem Seferi

Fundi, qëllimi, ose synimi i çdo politike ekonomike të qeverisë është çlirimi nga ndjenja e ankthit në lidhje me rritjen ekonomike, ose më saktë përmirësimin e mirëqenies së qytetarëve.

Pra, politika ekonomike është një mjet që shërben për arritjen e çdo fundi, qëllimi ose synimi.

Politika ekonomike si dhe të gjithë nocionet e tjera që lidhen me atë janë elementë të domethënies dhe të sjelljes së qeverisjes.

Çdo shoqëri, veçanërisht, një shoqëri në tranzicion drejt tregut, ka probleme tejet delikate po të mos mbikqyret me kujdes. Mbioptimizmi i qeverisë përkthehet në teprime dhe në shpërthime spekullativ, që tregojnë se qeveria nuk po shkon drejt qëllimit ose synimit.

Roli i parë i saj është të shikojë që politikat ekonomike të arrijnë balancimin më të mirë që tregu të jetë i lirë, me të gjitha përfitimet, që tregu të mbahet nën fre kur konkurrenca nuk është e drejtë.

Për më shumë, kur ekonomia e vendit ka rënie, roli kryesor i qeverisë është të riparojë dëmin, në mënyrën më të mirë që qeveria mundet.

Pra, shënjestrat e qeverisë janë: e para kërkesa agregate, për të cilën politika konvencionale fiskale dhe monetare duhet të synojë nivelet e punësimit të plotë të kërkesës. E dyta, qeveria duhet të sigurojë mbështetje të fortë që të mos ndodhë kolapsi i besimit të investitorit, tregjeve të kreditimit, të cilat përmbushin një rol të rëndësishëm në ekonomi.

Kësisoj qeveria nuk duhet t’i reshtë përpjekjet e saj për të ruajtur gadishmërinë dhe të marrë masa të forta derisa të shohë se ekonomia funksionon përsëri, sepse nuk mjafton të deklarosh se je në drejtimin e duhur pa pasur një udhërrëfyes të mirë.

Reforma mikroekonomike duhet të çojë në drejtim të rregullimit financiar, ligjit të falimentimit dhe barazisë së trajtimit të qytetarëve në kuptim të të ardhurave që ata marrin.

Roli i qeverisë nuk nënkupton rolin autoritar të saj, që do të thotë se përpjekjet e qeverisë për reforma, nuk duhet të nënkuptojnë traditën e një shteti paternalist përsa i përket reformës tatimore dhe asaj të derregullimit.

Thjesht, kjo gjë për shkak të rrezikut të shkarjes së qeverisjes drejt autoritarizmit.

Ekonomia e tregut bazohet në një kuadër ligjor të plotë, ku zbatimi i ligjeve nuk duhet të jetë përzgjedhës, sepse një e drejtë që respektohet në mënyrë përzgjedhëse nuk është më një e drejtë.

Ekonomia është më efikase kur shoqërohet me politika konkurruese dhe një qeverisje autoritare nuk i ofron asaj valvolën e nevojshme të sigurisë, sepse ekonomia kërkon, patjetër, valvolën e sigurisë: demokracinë.

Gjendja e ekonomisë së vendit e vënë përballë premtimeve të pothuajse katër viteve më parë dhe përballë arritjeve konkrete në kontekstin e komentit të mësipërm të çon drejt e te pakënaqësia e qytetarit dhe, natyrisht, e kalon të drejtën konkurrimit politik tek opozita.

Protesta e nisur në datë 18 shkurt 2017, është pikërisht përppjekja e opozitës për t’i dhënë ekonomisë valvolën e sigurisë: demokracinë, me qëllim që tregu në Shqipëri të ngrihet në nivelin që kërkon koha në kuadër të konkurrueshmërisë brenda vendit, në rajon dhe më gjërë.

Kasem Seferi – ekonomist

Share: