Nga Rita Petro
Këndova këngën tënde turmë,
Më shumë se këngën time,
Se gërmova aty thellë ku ti ke frikë të hysh nga
manipulatorët.
Këndova në rreshtin e parë,
Por ti më vure para.
Të dua se je e vërtetë,
Je e përlyer, erëdjersë, erëhashash kundërmon,
Je ndejllëse, gojëpisët, e marrë, budallaqe,
Kokëkrisur, zemërplagë, gojështhurur,
Zëfortë, potente, vullkan, e pandalshme…
T’u dhashë ty trup e shpirt,
Po në vend të dashurisë
Më qëllove me baltë, gurë, mutra të tharë
Me gjithçka që të dilte përpara
Se në dorë t’i jepnin manipulatorët,
Dhe, kur u largova prej teje, më deshe prapë,
Se ç’kuptim do kishte jeta jote pa mua,
E imja jo e jo pa ty.
Dhe ja ku më ke,
Lakuriq para teje kam vendosur të jem,
Duke kënduar bukurin e frikës nga mëkati
Kundër frikës që na mban mbërthyer në vend…