Home KRYESORE Politikat zhvillimore në bujqësi dhe roli i zinxhirëve të vlerës në kuadër...

Politikat zhvillimore në bujqësi dhe roli i zinxhirëve të vlerës në kuadër të zgjedhjeve 2017

Nga Kasem Seferi

Askush, ende nuk mund të thotë dhe as pretendojë se kemi një statiskë të qartë në lidhje me përqindjen e popullsisë që jeton në fshat, përqindjen e saj në veprimtari bujqësore dhe blegtorale, gjë që për një ekonomist, aq më shumë për atë ekonomist që priret të analizojë dhe të bëjë parashikime.

Do të ishte pa vlerë shkencore dhe praktike çdo mënyrë që do të bazohej, thjesht, në të dhëna të stërpërdorura, (me nder) të lodhura, në të gjithë këto vite premtimesh pa një produkt të vërtetë si prodhim i brendshëm bujqësor dhe blegtoral në tërësinë e PBB – së kundrejt premtimeve dhe pozimeve mediatike.

Politikat e deklaruara në fushatat e deritanishme zgjedhore, ballafaquar me rezultatet shënojnë suksesin “me turp” të arritjeve, që e kanë fshehur suksesin e vërtetë të sakrificave, punës dhe djersës së fermerit shqiptar në kushtet e mungesës së pronësisë së dokumentuar mbi tokën për një periudhë më shumë se sa dy dhjetëvjeçarë; mungesës për këtë arsye kryesore të tregut të shitblerjes së tokës; mungesës së mundësive kohore dhe teknike (1.2 hektarë ndarë në disa copa larg njëra tjetrës); dhe mungesës së zbatimit në praktikë të strategjive të zhvillimit, edhe pse kanë qenë të lakmueshme sikundër leyoheshin në letër.

Në të gjithë botën ka pasur dhe ka një, ose dhe disa parti politike, që kanë mbrojtur dhe mbrojnë interesat e ngushtë të fermerit, me anë të lobimit, si dhe me anë të votës në parlamentin përkatës këbëtar, në mbrotje dhe për përmirësimin e vazhdueshëm të interesave të fermerit.

Në kushtet e Shqipërisë, kur toka bujqësore sa vjen e zvogëohet në sasi, si rezultat i politikave antiurbane (personalisht do t’i quaja antikombëtare) ka pasur dhe ka një parti që ndjek të njëjtin interes por, për fat të keq, nuk është përkrahur, mbështetur dhe votuar nga fermeri shqiptar.

Kjo dukuri tipike shqiptare, është rrjedhojë e politikave të gabuara që kanë hartuar dhe (për fat të keq) kanë zbatuat partitë politike kryesore, që lindën pas rrëzimit të regjimit komunist, pikërisht atëhe kur u ideuan, u zbatuan dhe ende zbatohen politikat në lidhje me pronësinë, sipas dhe variacioneve (të mallkueshme) të ligjit të mallkuar 7501.

Quo vadis Albania!

Më shumë se njëzet e ca vjet qytetari dhe fermeri shqiptar ka “gëlltitur” shumë ide, shumë premtime dhe … ende është pa një treg të tokës bujqësore. Në këto kushte, çfarë politikash zhvillimore, ose më saktë ndërhyrje qeveritare për zhvillimin e bujqësisë mund të kemi në të vërtetë?!

Le ta kujtojmë të madhin Kadri Roshi te “I teti në Bronx”, që i kthen prapanicën e harnuar trashë “ballistit” Protopapa. Por, Protopapa i vërtetë, që kam pasur fatin ta takoj në Boston në vitin 1995 kishte ku e ku ide tejet të përparuara mbi pronësinë, gjë që, me këtë rast, do t’ia kujtoja me mirësi nipit të tij Zotit Eduard Zaloshnja (që merret me parashikimet e zgjedhjeve), të thotë diçka në lidhje me këtë temë.

Ka një parti, e cila ka një zgjedhje të sajën politike për koalicion, por kjo nuk do të thotë se partitë e tjera konkurruese në zgjedhje, pavarësisht prirjes kundërshtare për të marrë pushtetin, nuk do të hedhin ide të njëjta interesi për fermerin shqiptar, natyrisht, me alternativa zgjidhje të ndryshme.

Do të ishte në interesin kombëtar e më tej që, jo si deri më sot, të hartohen dhe deklarohen premtime (po i paragjykoj që nuk do të mbahen) që e kanë çuar durimin e fermerit shqiptar deri në … dhimbje që shprehen me kronika televizive ku produktet bujqësore kalben, hidhen në lumenj, etj, etj si mallkimet e përshkruara në folklorin shqiptar.

O tempora! O mores!

“Kemi të njëjtin Vangjel, njëri hyn dhe tjetri del.”. (Thuaj, në ta mban, se jemi popull budalla?!)

Le të shkojmë më tej. Një politikë zhvillimore për bujqësinë dhe vetëm për territorin e Republikës së Shqipërisë, do të ishte, thjesht, mungesë largpamësie politike dhe mungesë e mendimit ekonomik gjithëpërfshirës.

Në mbështetje të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, çdo qeveri e Republikës së Shqipërisë, duhet të interesohet dhe të mbrojë interesat e shtetasve shqiptarë kudo që ata jetojnë.

“Un nazione, un intenzione – një komb një qëllim”.

Në rastin konkret, një fermer shqiptar, në politikat zhvillimore, duhet parë në panoramën e gjërë të zinxhirëve të vlerës që krijojnë krahinat brenda dhe jashtë kufijve të Republikës së Shqipërisë në kohë, në veçoritë dhe në mundësitë që ka territori i kombit shqiptar në Ballkan.

Kjo do të ishte risi e një lëvizje politike unifikuese e tregut kombëtar shqiptar, në përputhje me kërkesat e përcaktuara në marrëveshjet e vendeve anëtare të rajonit e më tej dhe jo, madje aspak ide për një praktikë si ajo e “show – ut“ qesharak shfaqur në Prizren pak vite më parë nga qeveria Rama.

Ka një parti të veçantë që po e kërkon një gjë të tillë, apo e kërkojnë të gjitha partitë politike këtu e andej Republikës së Shqipërisë? Gjasat janë se po e kërkojnë. Por kush po e merr një nismë të tillë?!

Besimi i një ideje zhvillimore lind, zhvillohet dhe jetësohet nga kush merr guximin jo vetëm për ta thënë por edhe për ta bërë atë një të vërtetë jetësore.

Ne … premtohet.

Kush?

Besoj, të gjithë ata që do të bashkohen për ta bërë fermerin shqiptar një figurë të vërtetë të politikave zhvillimore në çuarjen përpara të zinxhirëve të vlerës që ka potenciali natyror që Zoti i ka falur shqiptarëve në Ballkan.
Sot ka shumë ide për zhvillime të politikave ambientaliste, turistike, por a mund të jenë ato të vërteta, pa politikat e zhvillimit të zinxhirit të vlerave të në bujqësi dhe blegtori, në zakone, doke, folklor, etnografi, etj.

Nëse dikur Lord Bajroni, Edit Durhami, Evlia Çelebiu, dhe shumë të tjerë, në listën e atyre që kanë vlerësuar në mënyrë të vërtetë Shqipërinë dhe fqinjët e saj në Ballkan, i kanë bërë “reklamë“ Shqipërisë, nuk mund të mos shihen ato dukuri natyrore që duhen pasqyruar në politikat zhvillimore agrare.

Edhe pse nuk jam analist i politikës, zgjedhja e PAA – së së Shqipërisë për të dalë në zgjedhje në koalicion me PD dhe aleatë të tjerë të saj më sjell në vemendje dy pamje: e para, daljen nga një makth shumëvjeçar i fermerit shqiptar dhe, e dyta, të sjellin risi para zgjedhësit – fermer diçka ndryshe nga çfarë ka ndodhur deri më sot.

Pra, premtimi, ose premtimet të jetësohen gjatë mandatit të koalicionit në pushtet, me kusht që (në Shqipëri zorr se ndodh) të jepet dorëheqje për mosmbajtjen e premtimeve.

Çdo qytetar dhe, sidomos, fermer shqiptar është në gjendje të gjykojë dhe të mbajë në mendje se ku nga partitë/koalicionet i ka mbajtur më shumë premtimet e deklaruara në fushatat zgjedhore dhe (për turp) në programet e qeverisë së radhës.

Të jesh pragmatist, nuk është gjë e keqe. Të mos marrësh parasysh pasojat e pragmatizmit është vërtetuar se është gjë fort e keqe.

Kasem Seferi – ekonomist

Share: