Nga Denion Meidani
Një nga sanksionet më të fundit të administratës Trump është dhe ai kundër zv. Presidentit të Venezuelës Tareck El Aissami. Akuza tepër e rëndë ndaj tij, sipas administratës amerikane, lidhej me rolin e dorës së parë që ai ka luajtur në trafikun ndërkombëtar të drogës. Por, El Aissami, gjatë zgjedhjeve amerikane, ishte dhe një nga kritikët më të ashpër të kandidatit Trump ndër politikanët e Amerikës Latine. Më pas, ai i uli tonet, madje jo me larg se pak ditë më pare, në një takim politik artikuloi besimin e sigurinë e tij se Trump do të ishte një president shumë më i mirë se presidenti Obama. Por, mesa duket, kjo “kthese e forte” nuk ndihmoi aspak në ndryshimin e vlerësimit mbi të, apo veprimtaritë e tij të paligjshme. Sanksione të rrepta u ndërmorën edhe ndaj njerëzve më të afërt të El Aissamit, deri dhe ndaj biznesmenëve e bizneseve afër tij. Këto sanksione të Departamentit të Thesarit erdhën mbas një letre të 34 kongresmenëve, deputetëve e senatorëve amerikanë, që iu drejtuan Presidentit Trump dhe kërkuan prej administrates së tij një hetim të detajuar ndaj El Aissami dhe zyrtarëve të tjerë të korruptuar dhe të përfshirë në narkotrafik. Aq më tepër, që persona të tillë ishin përmendur, para pak kohësh, edhe nga Associated Press. Vetë sanksionet e fundit janë bazuar në një legjislacion të miratuar që gjatë administratës Klinton. Sipas një legjislacioni të tillë, ShBA mund të ndërmarrë hetime dhe të zbatojë masa penalizuese ndaj individëve të përfshirë në narkotrafik, aseteve dhe entiteteve të tyre. Ndërkohë pritet dhe një përfundim i hetimeve dhe masa të tjera nga vetë Departamenti Drejtësisë për këtë çështje…
Deklarata e zyrës përkatëse në Departamentin e Thesarit, rrezaton vendosmëri të prerë për të demaskuar e goditur në vazhdimësi e pa mëshirë narkotrafikantët, kudo në botë, dhe veprimtaritë e tyre të paligjshme. Një gjë e tillë bëhet akoma më e domosdoshme ndaj personave me pushtet. Në mënyrë të veçantë që pushteti dhe influence e tyre të mos arrijë që të ndihmojë askënd të përfshirë në të tilla veprimtari kriminale e antihumane! Dhe kjo na mbush me shpresë!…
Pozicionime të qarta dhe të ashpra ndaj këtyre veprimtarive duhet të shtrihen me nxitim në të gjithë rruzullin duke përfshirë edhe Shqipërinë, që fatkeqësisht sot është kthyer në Kanabistan, gati-gati në një hambar të kanabisit në kontinentin tonë. Mbi të gjitha, duhet një sinjal i fortë ndaj të gjithë zyrtarëve të lartë, të përfshirë në narkotrafik apo të zhyer në një korrupsion masiv, që paralelisht kanë dëmtuar dhe po dëmtojnë rëndë dhe demokracinë tonë të brishtë, deri duke goditur e shpërbërë mjaft kolona të saj. Çuditërisht, kohët e fundit, përfaqësues të BE-së dhe ShBA-së kanë mbyllur sytë ndaj dukurive të tilla në qeverisjen tone; për më tepër ata ose kanë heshtur ose janë shfaqur me deklarata të vagëta. Kjo edhe pse sot mjaft media ndërkombëtare, si evropiane dhe amerikane, e kanë pasqyruar situatën si tepër shqetësuese e kritike. Dhe, natyrisht, media nuk kishte si heshte para akuzave të disa ministrave dhe deputetëve, apo deklaratave bombastike të ish-Ministrit të Drejtësisë, që, në thelb, hodhën dritë mbi përfshirjen e shtetit, sidomos të policisë, në kryerjen, lehtësimin, koordinimin e mbrojtjen e narkotrafikut ndërkombëtar me vatër të rëndësishme, deri epiqendër Ballkanin e Shqipërinë. Dhe ndërkohë mungon reagim i qenësishëm nga kancelaritë evropiane dhe të BE-së apo administratës Trump.
Sanksionet konkrete, si rastin e Venezuelës, janë tepër të nevojshme për ta ndryshuar situatën aktuale. Ato e ndihmojnë drejtpërsëdrejti zgjimin e ndërgjegjes civile. Vetëm kështu, nëpërmjet fuqizimit të lëvizjeve popullore dhe protestave qytetare, krahas nxitjes së kurajës dhe reflektimit për shkëputje (sa s’është vonë!) nga një qeverisje të perceptuar në mënyrë masive si aleancë me krimin, korrupsionin e narkotrafikun, mund të garantohen zgjedhje të lira, një rikthim në procesin demokratik, pra dhe ringjallje të shpresave për integrim evropian.