Në një goditje në shkallë të gjerë kundër terrorizmit islamik në Hesen, policia arrestoi një tunizian 36-vjeçar. I arrestuari dyshohet se ka qenë aktiv si rekrutues për grupin terrorist Shteti Islamik dhe ka ndërtuar një rrjet mbështetësish për të kryer akt terrorist në Gjermani. Planifikimi ishte në fazë të hershme, tha Zyra e Prokurorit të Përgjithshëm në Frankfurt, dhe objektivi i goditjes nuk qe caktuar.
Hetimet u drejtuan kundër gjithsej 16 personave të moshës 16-46 vjeç. Policia bastisi të mërkurën herët në mëngjes 54 apartamente, lokale biznesi dhe xhamitë në Hesen. Të dyshuarit janë akuzuar për mbështetjen e një organizate terroriste të huaj për përgatitjen e një akti të rëndë të dhunshëm.
Kundër tunizianëve gjykata e lartë e kishte lëshuar urdhërarrestin të enjten e kaluar. Të arrestuarit nuk shfaqën rezistencë. Rreth 1,100 policë u përfshinë në operacionin e bastisjes në 9 qytete.
Ministri i Brendshëm tha se policia ka ndërhyrë në fazë të hershme. “Me masat e marra, po dërgojmë një mesazh të qartë për islamistët radikalë në Hesen: Nuk tolerojmë në vendin tonë fanatikë mashtrues të cilët refuzojnë rendin tonë demokratik, që përhapin mesazhe të urrejtjes nën maskën e lirisë fetare dhe bëjnë thirrje për luftë kundër besimeve të tjera.”