Home KRYESORE Të rrezikuar nga shtëpia e të dhunuar nga babai

Të rrezikuar nga shtëpia e të dhunuar nga babai

Një nënë me probleme shëndetësore dhe dy fëmijët nga fshati Vlashuk i Kuçovës rrezikojnë jetën nga amortizimi i banesës dhe skamja e madhe. Që prej vitit 2013, familja nuk merr ndihmë ekonomike. Bashkia e Kuçovës premton zgjidhje.

Në fshatin Vlashuk të Kuçovës, në një banesë që rrezikon t’i zërë brenda, jeton një nënë dhe dy fëmijët e saj. Të harruar nga shteti dhe familjarët, mes skamjes dhe mjerimit, ata kërkojnë ndihmë.

Vera Kumria dhe dy fëmijët e saj jetojnë pa asnjë të ardhur. Prej shumë vitesh, bashkëjetuesi i saj dhe babai i dy fëmijëve jeton në Greqi. Për vite me radhë, ai ka ushtruar dhunë fizike dhe psikologjike mbi të dhe fëmijët, ndërsa në banesën e rrënuar nuk ka as ujë e as tualet. Babai i fëmijëve vjen nga Greqia vetëm një herë në vit, por nuk kujdeset për asgjë, pasi është përdorues i rregullt i alkoolit.

Me zërin që i dridhet, Vera shpjegon se ka frikë të flejë në dhomën që rrezikon të shembet, por nuk ka zgjidhje tjetër. Dikur, kjo nënë merrte ndihmë ekonomike, por prej vitit 2013 nuk e përfiton më. Fëmijët tregojnë se janë dhunuar vazhdimisht nga i ati, i cili nuk u ka dhënë as mbiemrin e tij.

“Prej vitesh babai na rreh. Kohët e fundit jo aq shumë, megjithatë nuk sjell parà, shumë rrallë. Nëna është e sëmurë, kur e kap sëmundja ajo nuk ushqehet dhe rri shtrirë, por nuk fle. Ne me vëllain kujdesemi me radhë për të. Edhe për të shkuar në shkollë, kur ajo është sëmurë shkojmë me radhë. E gjithë barra bie mbi mua, pasi vëllai është i vogël. Kërkoj që dikush të kujdeset për ne, të paktën të na rregullojnë pak shtëpinë”, shprehet vajza 18-vjeçare.

Situatën e vështirë e pohon edhe mjeku i familjes, doktor Guxim Llangozi, i cili tha për “Fiks Fare” se kryefamiljaria Vera Kumria nuk është në gjendje nga ana shëndetësore të kujdeset për familjen.

“Edhe pse duhet një ekzaminim nga specialisti, sipas mendimit tim znj. Vera nuk është në gjendje të kujdeset vet për veten e saj, jo më për fëmijët”, pohon ai. Ndonëse nuk ka një diagnozë përfundimtare, nga ekzaminimet e para mësohet se Vera Kumria vuan nga çrregullime psikiatrike për determinim.

“Fiks Fare”, pasi u njoh me gjendjen e mjerueshme të kësaj familjeje iu drejtua Njësisë Administrative të Kozarës.

Marsela Sallo, specialiste e Ndihmës Ekonomike në këtë njësi, shpjegoi se ndihma për këtë familje është ndërprerë në vitin 2013, pasi Vera Kumria nuk ka paraqitur dokumentet e nevojshme, siç është certifikata e pronësisë së tokës.

“Fiks Fare” iu drejtua Bashkisë së Kuçovës.

“Pasi jemi vënë në dijeni të gjendjes së rënduar të familjes Kumria, ne, në bashkëpunim me Komunën Kozare do të bëjmë gati dokumentacionin e duhur. Shpresojmë që pasi të kryhen procedurat ligjore në muajn mars, znj. Kumria të jetë përfituese e ndihmës ekonomike marrë nga fondet e Bashkisë”, u shpreh Klement Tabaku, specialist në Shërbimin Social, Kuçovë./TCH

Share: