Erion Veliaj është shprehur sot se opozita me protestën e saj po bllokon jetën në kryeqytet dhe prandaj duhet që të zhvendoset. Ai ka provokuar sot duke “ju lutur” qytetarëve të pozicionuar përballë dritares së zyrës së kryeministrit Rama, që ta zhvendosin çadrën tek Piramida në mënyrë që të mos pengojnë trafiku.
Këtë deklaratë kreu i bashkisë së kryeqytetit e ka bërë gjatë inspektimit të shërbimit që ofrojnë autobusët e linjës së ish Uzinës së Autotraktorëve.
“Jam shpresëplotë që ndoshta do kemi një mirëkuptim edhe nga bllokuesit e Bulevardit që çadra ose të zhvendoset te lulishtja e Piramidës, ose në një hapësirë tjetër, ku të mos bllokohet lëvizja e autobusëve. Kështu, mijëra qytetarë që sot nuk arritën në punë në orar, të mos kthehet në një problem kronik gjatë gjithë kësaj periudhe. Do të respektojmë të drejtën e çdokujt për të protestuar, megjithatë nëse mund të gjejmë një bashkëpunim që kjo të mos bllokojë jetën e përditshme të qytetarëve të Tiranës, që duan të jetojnë me punë, të ndjekin shkollën dhe që duan të vazhdojnë jetën normalisht, besoj se do të arrijmë një konsensus”, tha Veliaj.
Por përgjigjen për këtë shqetësim të Erion Veliajt e ka dhënë vetë Edi Rama, rreth 7 vjet më parë, kur kërkonte me çdo kusht të kapte karrigen e kryeministrit dhe për këtë arsye kishte nisur protestat dhe grevat në të njëjtin vend.
Ja çfarë thoshte atëherë Edi Rama për çështjen e “bllokimit të bulevardit”, kur organizonte vetë protesta;
“Sot kam pasur një diskutim me një qytetar i cili më tha, se si plotë të tjerë, ishte plotësisht dakord me çka ne kërkojmë, ishte plotësisht dakord se kutitë duhet të hapen, ishte plotësisht dakord se transparenca duhet të jetë parimi i funksionimit të institucioneve shtetërore, të parlamentit, të qeverisë e kështu me radhë. Ishte plotësisht dakord se liria e medias duhet garantuar, por nuk ishte dakord me formën e protestës sonë dhe as me grevën e urisë në bulevard.
Atij qytetari dhe të gjithë atyre që mendojnë si ai u them, në rast se jeni dakord me gjithçka që ne kërkojmë, por nuk jeni dakord me formën se si ne protestojmë, atëherë protestoni në formën tuaj, por mos rrini duke bërë sehir, mos rrini duarkryq, mos rrini larg, sepse ajo ç’ka ndodh për mirë, është e mirë për të gjithë dhe ajo çka ndodh për keq, është e keqe për të gjithë.
Nuk shpëtoni sot nga e keqja të cilën ne po e luftojmë, duke u mjaftuar me konstatimin se ne kemi të drejtë kur themi se ja ku është e keqja, por nuk kemi gjetur formën e duhur për të protestuar kundër të keqes. Bëhuni pjesë e betejës për të protestuar kundër të keqes, gjeni formën tuaj.
Dhe në rast se nuk e keni një formë, respektojeni formën tonë.
Në mbyllje dua ta përsëris se protesta jonë është shprehje e shpirtit tonë opozitar edhe e vizionit tonë për një Shqipëri evropiane, për një Shqipëri moderne, për një Shqipëri të mirëqenë, për një Shqipëri ku liria dhe e drejta e secilit janë mbi vullnetin e pushtetit mbi këdo. Në këtë rrugë të protestës ne kemi qenë dhe mbetemi gjithmonë të bindur se dialogu është i domosdoshëm dhe asnjëherë nuk i jemi larguar apo nuk e kemi refuzuar dialogun.
Por nga ana tjetër është sot dita për ta thënë se nuk mjafton të thuash se jemi gati për dialog, dhe këtë e kam për zotërinjtë e palës tjetër, por duhet të thuash se për çfarë dialogu je gati” (10 Maj 2010, kur PS kishte ngritur çadrat në mes të bulevardit)./360grade.al