Nga Qamil Xhani
A do shkojmë në zgjedhje me 18 qershor si ditë feste apo në betejë ku përplasjet do jenë të egra, aq sa sipas selisë blu nuk do ketë kuti votimi që nuk do përfundojë e thyer në kokat e komisionerëvëe të PS? Edi Rama deklaroi prerë, ditën e dielë, se nuk jep dorëheqjen dhe se PS-ja do shkojë në zgjedhje me datën 18 qershor. Bile në mbledhjen e grupit parlamentar dje Edi Rama theksoi se deputetët e PS-së të shkojnë në bazë për takimet e për zgjedhje parlamentare. Edhe vetëm sikur të mbetemi, por në zgjedhje do shkojmë, ka thënë kryeministri. Pra asnjë tërheqje nga vendosmëria e tij e ditës së dielë. Edhe ndonjë mundësi kompromosi historik që ishte në horizont, ai e mbylli me çelës. Ndërkohë PD dhe opozita rikonfirmuan po dje se nuk futen në zgjedhje pa qeveri teknike dhe bile pohuan se “nuk do te ketë zgjedhje me 18 qershor”. Lulzim Basha shtoi se Edi Rama do përfundojë si Musolini. Pra PD paralajmëroi betejë dhe përplasje për votën e lirë. Shenjat duken se po shkohet në përplasje fizike me turma. Me 19 prill, pas një muaji, është afati i fundit zyrtar për regjistrimin e koalicioneve në zgjedhje. Fiks me 20 prill nuk ka më asnjë shans për opozitën. Por as për PS-në. Do shkojnë drejt përplasjes të dyja partitë e vjetra.
Nga të gjitha këto enigma me e madhe mbetet vendimi i Ilir Metës. A do hyjë ai në zgjedhje ndërkohë që opozita nuk pranon, kurse Edi Rama vendosi që do të hyjë pa opozitën dhe të tjerët. Kjo “të tjerët” me cilin e kishte Edi Rama? Për LSI?
Ben Blushi mësohet se do hyjë në zgjedhje me LIBRA. Por a është Ben Blushi opozita e Shqipërisë? Jo, ndonëse mbetet opozitar qeveritar. Me saktë opozitën e ka me Ramën, por jo me PS-në.
A do futet LSI në zgjedhje? Prapë kjo pyetje rri pezull në politikën e ditës. Pavarësisht se pyesin dhe rrijnë me vesh ngrehur PS e PD, Ilir Meta vazhdon me më intensitet takimet në rrethe. Me sa duket nuk ka vendosur, por “motorat” e fushatës i mban ndezur. Një gjë vihet re në takimet e Ilir Metës këto ditë: Nuk përmendi asnjëherë fjalën “zgjedhje” dhe as datën “18 qershor”.
Të dielën ishte në njësinë administrative në Pezë të Tiranës. Ndërsa dje Ilir Meta mori pjesë në një aktivitet festiv të organizuar nga të rinjtë e Lëvizjes Rinore për Integrim të qytetit të Fierit. Meta vlerësoi edhe një herë tjetër rëndësinë e pjesëmarrjes në politikë dhe në vendimmarrje, duke theksuar se “për LSI-në të rinjtë janë të parët”. Kryetari i LSI-së rikonfirmoi mbështetjen e tij dhe të LSI-së për nxitjen e politikave rinore, shtimin e mundësive të punësimit duke nxitur sipërmarrjet rinore dhe punësimin e të rinjve. Meta, duke theksuar rëndësinë e formimit profesional për brezin e ri, vuri në dukje rëndësinë për punë më të mirëpaguara për të rinjtë, si edhe krijimin e kushteve më të mira për zhvillimin e tyre.
Por prapë nuk tha fjalën zgjedhje me 18 qershor.
Ç’po mendon Ilir Meta? Por edhe shumë kohë nuk ka, ndaj duhet të vendosë: Do hyjë LSI në zgjedhje me 18 qershor dhe në varësi të saj me apo pa Edi Ramën.
Edi Rama dhe Lulzim Basha akoma nuk dijnë se si do veprojë Ilir Meta. Në varësi të vendimit të tij do marrin udhë ngjarjet pas datës 19 prill, ditë kur KQZ ka afatin e fundit për regjistrim në zgjedhje. Burimet të mirëbesuara tregojnë se deri ditën e dielë në mesditë Ilir Meta kishte një ofertë zgjidhje për PS dhe PD, por pas fjalës se kryeministrit pasdite te “Komunikimi i Javës” është shkatërruar oferta, e cila do kënaqte dyja palët dhe do shkohej në zgjedhje pa sherr dhe konflikte. Ishtë formulë e gjithëpranuar, ndonëse ndonjë prishje qejfi në selitë rozë dhe blu, por ama krijohej atmosferë zgjedhjesh dhe pa përleshje turmash siç po shkohet me vrap nga të dyja partitë, pas kokëfortësisë së Ramës për tu ulur në bisedime. Natyrisht që Rama ka një të drejtë, sepse nuk mundet që pushteti të dorëzohet tre muaj para zgjedhjeve, kur ka votë legjitime. Por nisur nga shtegu ku e ka futur vendin opozita, ai, pra Edi Rama mund të ngrihej mbi interesat e ditës dhe partiake dhe tregonte burrin e shtetit, siç ka deklaruar se “kam ardhur për të bërë shtet e jo për patur pushtet”.
Tashmë busulla e politikës luhatet nga njeri cep në tjetrin, duke mos ditur asnjë, për momentin, se çdo bëhet me 18 qershor: Zgjedhje apo luftë!/Koha Jone, Qamil Xhani